Shtojca për Kulturë

Ibrahim Rugova në ballafaqimin me intelektualët serbë

Descriptive Text

Në gjysmën e dytë të viteve 1980, elita intelektuale shqiptare e Kosovës filloi të shpërfaqte kundërshtinë e saj dhe të dilte në mbrojtje të kauzës së Kosovës. Këto dallime arritën pikën kulmore në takimin e njohur mes krijuesve dhe shkrimtarëve shqiptarë të Kosovës dhe atyre të Serbisë, ”Serbët dhe shqiptarët në Jugosllavi”, që ishte zhvilluar në Beograd, në maj të vitit 1988. Ndonëse Shqipëria në këtë kohë kishte ambasadën e vet në Beograd dhe shtypi i kohës, si në Kosovë, ashtu edhe në Jugosllavi, i kishte bërë jehonë këtij ballafaqimi, kjo informatë e Sigurimit të Shtetit Shqiptar, që mban datën 15.7. 1988, është tejet e varfër, duke e shënuar këtë ngjarje me terma të përgjithshëm

Viti 1988 është viti kur Sigurimi i Shtetit për herë të fundit kishte deponuar dokument për Ibrahim Rugovën, ku kryesisht përshkruheshin disa probleme që ishin shfaqur asokohe ndërmjet elitës intelektuale shqiptare të Kosovës dhe asaj të Serbisë, e të cilat kishin kulmuar me takimin e Beogradit ndërmjet Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe Lidhjes së Shkrimtarëve të Serbisë. Ishte kjo periudha kur në Serbi ishte ngritur në pushtet Slobodan Milosheviqi, i cili kishte marrë si mision realizimin e doktrinës për krijimin e Serbisë së Madhe, që nënkuptonte bashkimin e të gjithë serbëve në një shtet të vetëm.

Hovi i nacionalizmit dhe takimi në Beograd

Nacionalizmi kishte marrë hov, sidomos pas demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, dhe synonte të kufizonte lirinë dhe të drejtat kombëtare të shqiptarëve, duke filluar nga suprimimi i autonomisë. Në këtë periudhë, Kosova po shërbente si problem kryesor i Jugosllavisë, saktësisht kriza e Kosovës po zbulonte themelet e krizës së Jugosllavisë. Përballë kësaj furie nacionaliste serbe, që kishte lëshuar rrënjë edhe në media dhe në shkrimet e akademikëve serbë, në gjysmën e dytë të viteve 1980 elita intelektuale shqiptare e Kosovës, kryesisht e mbledhur rreth Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe Institutit Albanologjik, filloi të shpërfaqte kundërshtinë e saj dhe të dilte në mbrojtje të kauzës së Kosovës. Këto dallime arritën pikën kulmore në takimin e njohur mes krijuesve dhe shkrimtarëve shqiptarë të Kosovës dhe atyre të Serbisë: “Serbët dhe shqiptarët në Jugosllavi”, që ishte zhvilluar në Beograd, në maj të vitit vitin 1988.

Si shkrimtarët dhe studiuesit e tjerë shqiptarë, Rexhep Qosja, Sabri Hamiti, Din Mehmeti, edhe Rugova kishte qenë i qartë në raport me politikën restriktive dhe represive të Beogradit, duke nënvizuar se në shtatë vjetët e fundit, domethënë që nga viti 1981, në Serbi ishin krijuar disa etike të hekurta, të cilat shërbenin si mekanizëm i një strategjie të fshehtë antishqiptare.

“Bëhet fjalë për strategji antishqiptare...”

“Bëhet fjalë për strategji antishqiptare, të cilën po e udhëheqin prej 7 vjetësh një pjesë e shtypit, mandej institucionet e kulturës e të shkencës dhe shoqata të tjera të Beogradit”, kishte deklaruar Rugova. Ai, gjithashtu, fliste për një gjallërim të logjikës së UDB-së të viteve të 50-ta dhe të 60-ta ndaj shqiptarëve dhe bënte thirrje se opinioni jugosllav dhe njerëzit më përgjegjës duhet ta kuptonin se kështu nuk mund të veprohej me një popull.

Por, ndonëse Shqipëria në këtë kohë kishte ambasadën e vet në Beograd dhe shtypi i kohës, si në Kosovë, ashtu edhe në Jugosllavi, i kishte bërë jehonë këtij ballafaqimi ndërmjet intelektualëve shqiptarë nga Kosova dhe atyre nga Serbia, kjo informatë e Sigurimit të Shtetit Shqiptar, që mban datën 15.7. 1988, është tejet e varfër, duke e shënuar këtë ngjarje me terma të përgjithshëm. Madje, me asnjë fjalë nuk është cituar paraqitja e Rugovës në këtë takim, vetëm mjaftohen me konstatimin se ai dhe të tjerët “mbajtën qëndrim pozitiv”, “mbrojtën të drejtat e kombit shqiptar” dhe “kundërshtuan serbët”. Lidhur me këtë ballafaqim shqiptaro-serb, informata fillon me paraqitjen e qëndrimeve të Rexhep Qosjes, i cili “u tha serbëve në sy se pas Luftës së Dytë Botërore janë vrarë rreth 60 mijë shqiptarë dhe më shumë se 300 mijë janë shpërngulur në Turqi”. “Në të njëjtën kohë, ai foli edhe për gjendjen e vështirë të shqiptarëve sot në Kosovë”, shkruan në informatën e prodhuar nga oficeri i drejtimit. Më tej, në këtë dokument theksohet se pas takimit të Beogradit ishte parashikuar që takimi i dytë midis shqiptarëve dhe serbëve të zhvillohej në Prishtinë, por, siç pohohet aty, “Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës nuk i pranoi serbët për arsye të qëndrimit të tyre antishqiptar në mbledhjen e parë”. Sigurimi i Shtetit Shqiptar, po ashtu, ngre pretendimin se shkrimtari Agim Mala, përmes një telegrami dërguar palës serbe, kishte tërhequr vërejtjen se “ardhja e tyre mund të ndikojë në keqësimin e situatës në Kosovë”. Dokumenti përmbyllet me konstatimin se, përveç Rexhep Qosjes, në këtë ballafaqim midis shkrimtarëve shqiptarë dhe atyre serbë, qëndrim pozitiv mbajtën dhe i kundërshtuan serbët edhe Ibrahim Rugova, Sabri Hamiti, Din Mehmeti etj., duke shtuar se ky qëndrim i shkrimtarëve shqiptarë kishte bërë jehonë të populli shqiptar dhe kishte ndikuar në “ngritjen e moralit të tij”.

Në dosje janë arkivuar edhe një fotokopje e letërnjoftimit të Ibrahim Rugovës, formulari i kërkesës për vizë në Ambasadën e Shqipërisë në Beograd, në vitin 1980, por mungojnë artikuj të gazetave nga shkrimet e Rugovës, siç është vepruar në rastet e tjera.

Image
Studiuesi i letërsisë dhe eseisti Ibrahim Rugova në sytë e Sigurimit të Shtetit shihej si intelektual i lartë, i dhënë shumë pas studimit shkencor, veçanërisht pas studimeve albanologjike, por edhe si njeri i heshtur dhe një kundërshtar i rrymës së real-socializmit në krijimtarinë letrare. Përshkrimi dhe skicimi i figurës së Ibrahim Rugovës në dokumentet e Sigurimit të Shtetit të Shqipërisë në përgjithësi nuk sjell shumë risi dhe gjëra të panjohura për të. Madje shpeshherë të dhënat për Rugovën janë të përsëritura dhe, për më tepër, dëshmojnë se ato janë ofruar nga persona që nuk e kanë njohur mirë

Qëndrimet e rezervuara të intelektualit edhe në sytë e Sigurimit

Me krejt këto arrijmë në konkluzion se studiuesi i letërsisë dhe eseisti Ibrahim Rugova në sytë e Sigurimit të Shtetit shihej si intelektual i lartë, i dhënë shumë pas studimit shkencor, veçanërisht pas studimeve albanologjike, por edhe si njeri i heshtur dhe një kundërshtar i rrymës së real-socializmit në krijimtarinë letrare. Përshkrimi dhe skicimi i figurës së Ibrahim Rugovës në dokumentet e Sigurimit të Shtetit të Shqipërisë në përgjithësi nuk sjell shumë risi dhe gjëra të panjohura për të. Madje, shpeshherë të dhënat për Rugovën janë të përsëritura dhe, për më tepër, dëshmojnë se ato janë ofruar nga persona që nuk e kanë njohur mirë dhe nga afër këtë studiues dhe punonjës të njohur të Institutit Albanologjik. Nga përmbajtja e dokumenteve duket qartë se Rugova kishte një qëndrim të rezervuar dhe një refuzim të heshtur ndaj regjimit komunist në Shqipëri dhe gjatë qëndrimit qe në dijeni se vëzhgohej hap pas hapi nga policia sekrete shqiptare. Prandaj, ai, si të gjithë vizitorët e tjerë e kishte në konsideratë këtë fakt dhe zakonisht shprehej tepër i rezervuar. Një nga shpërthimet e tij të rralla ishte i vitit 1981, kur në mënyrë publike në ngjarje kulturore deklaroi se “në Shqipëri nuk ka liri krijimtarie” dhe se artistët dhe shkrimtarët trajtoheshin vetëm si burokratë dhe se ata punonin vetëm sipas klisheve të përcaktuara nga drejtuesit e lartë të shtetit komunist shqiptar.

Ky pozicionim i Rugovës vinte në kohën kur tashmë ishin ndërprerë kontaktet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, pasi Beogradi kishte akuzuar Tiranën zyrtare se kishte dorë në demonstratat studentore shqiptare të vitit 1981, në të cilat ishin shpërfaqur kërkesa për avancimin e statusit të Kosovës në rang republike me të drejtë për vetëvendosje. Ishte kjo periudha kur ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë rivaliteti ndërshtetëror kishte arritur kulmin në muzgun e Luftës së Ftohtë. Në të njëjtën kohë, Rugova na shfaqet po aq mospërfillës edhe ndaj zyrtarëve dhe diplomatëve jugosllavë në Ambasadën e Jugosllavisë në Tiranë, e cila shihej me sy të keq, për shkak të dallimeve të mëdha ideologjike dhe pozicionit politik ndërmjet Perëndimit dhe Bashkimit Sovjetik. Për këtë arsye, duket qartë se ai operonte me kujdes si nga survejimi i Sigurimit të Shtetit Shqiptar, po ashtu edhe nga ndikimi i zyrtarëve jugosllavë, të cilët po ashtu mund të kishin bërë dosje për nevojat e tyre. Nuk ekziston asnjë shënim se ai ka mbajtur kontakte ose ka qenë i kontaktuar nga zyrtarë dhe diplomatë të kësaj ambasade. Thjesht, ai ishte i interesuar për avancimin e studimeve të tij albanologjike dhe për zhvillimin e kontakteve me studiuesit e fushës në Tiranë.

Dokumentet si dëshmi për kontrollin e elitës shqiptare

Edhe pse Rugova nuk mund të shkonte më në Tiranë për shkak të kësaj situate, Sigurimi i Shtetit Shqiptar përmes agjentëve dhe informatorëve të vet arriti të mësonte për lëvizjen e tij jashtë vendit, siç rasti i shkuarjes së tij në Francë për qëllime studimor. Por, Sigurimi i Shtetit Shqiptar kishte parasysh kritikën e Rugovën vite më parë, kështu nuk është e rastit që në një raport sekret të vitit 1985, për Rugovën do të deponoheshin qëndrime negative. Sidoqoftë, këto dokumente mund të nxitin një debat politik dhe akademik për mënyrën se si shteti shqiptar e ka parë dhe e ka trajtuar elitën e re intelektuale nga Kosova. Si duket, caku i përgjithshëm ka qenë sa kombëtar, po aq edhe ideologjik, saktësisht bërja e tyre për vete, me qëllim të propagandimit të gjoja epërsisë së sistemit komunist shqiptar kundrejt atij jugosllav. Në mesin e dokumenteve ka edhe të atilla që duken se janë jo shumë profesionale dhe të ndërtuara kryesisht mbi të dhëna spekulative dhe thashethemeve, të cilat grumbulloheshin në mënyrë nga bashkëpunëtorë të rekrutuar në mënyrë vullnetare apo me forcë. Sidoqoftë, njohja e këtyre dokumenteve u kontribuon qëllimeve akademike lidhur me shpjegimin e ngjarjeve dhe proceseve politike të periudhës komuniste dhe për të kuptuar më mirë se si ka funksionuar aparati represiv i diktaturës komuniste në Shqipëri. Dhe sa më mirë e kuptojmë karakterin dhe mënyrën e funksionimit të Sigurimit të Shtetit, aq më mirë mund të formësojmë dhe të ndërtojmë një rend e demokraci të konsoliduar.

Në të vërtetë, këto dokumente të prodhuara nga ish-Sigurimi i Shtetit dëshmojnë edhe për dimensionin e angazhimit për ta mbajtur nën kontroll elitën shqiptare, për ta izoluar atë nga idetë “borgjeze” perëndimore dhe, njëkohësisht, dëshmon natyrën represive të policisë sekrete shqiptare, e cila, edhe pse nuk e atakoi Rugovën, qëndroi si shpata e Demokleut mbi kokat e studiuesve e bashkëbiseduesve shqiptarë të Rugovës dhe të intelektualëve të tjerë nga Kosova. Prandaj, kjo dosje e Rugovës dhe dokumente të tjera mund të shërbejnë si një mundësi e madhe për zbardhjen e së shkuarës komuniste, si dhe si një reflektim dhe mundësi që brezi i ri të njihet me trashëgiminë dhe laboratorin e Sigurimit të Shtetit, i cili gjatë gjithë periudhës së ekzistimit të tij kishte në llupë elitën intelektuale si në Shqipëri, po ashtu edhe në Kosovë dhe mërgatë, që synohej të mbaheshin në kontroll. Pa dyshim, për mënyrën e trajtimit të këtyre problemeve nga periudha e diktaturës komuniste duhet të ndiqet rruga, e cila, siç thotë Roland Jahn, ish i ngarkuar federal i Qeverisë së Gjermanisë për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit në RDGJ (Stasi), do të ishte biseda dhe dialogu mes palëve, pasi zbardhja e së shkuarës komuniste mund të realizohet vetëm duke qenë me njëri-tjetrin dhe jo kundër njëri-tjetrit.