Mbi jetën teatrore kosovare, kritikët e këtushëm dhe teatrologët, krijuesit e teatrit dhe publiku dinë shumë pak, apo informacionet për teatrin kosovar deri këtu rrallë arrijnë, dhe njëkohësisht shpesh janë të pabesueshme
Ka shumë arsye për të cilat sot është e komplikueshme të udhëtosh në Prishtinë. Megjithatë, mund të thuhet se nuk ka asnjë prej tyre e cila do të ishte e ndërlidhur me largësinë fizike, me kualitetin e udhëve, me procedurat administrative apo me sigurinë e udhëtarit i cili mund të vijë, për shembull, nga Beogradi.
Në anën tjetër, aq më pak nuk ka arsye, të themi, që një kritik teatri të mos i përgjigjej me dëshirë një ftese nga “Kosovo Theater Showcase”, e cila për të katërtën herë organizohet në Prishtinë, qëllimi i së cilës është bash sikur i çdo showcase që të shfaqë përzgjedhjen më përfaqësuese të prodhimeve teatrore të atjeshme.
Përndryshe, mbi jetën teatrore kosovare, kritikët e këtushëm dhe teatrologët, krijuesit e teatrit dhe publiku dinë shumë pak, apo informacionet për teatrin kosovar deri këtu rrallë arrijnë, dhe njëkohësisht shpesh janë të pabesueshme. Kritikët nga kjo hapësirë rrallë e kanë mundësinë që shfaqjet e caktuara të krijuara në teatrot e Prishtinës t’i shohin nëpër festivalet në Mal të Zi apo në Bosnjë-Hercegovinë, edhe më rrallë ato janë në ofertën e manifestimeve teatrore jashtë këtij regjioni, ndërkaq prodhimet nga Gjilani, Ferizaj apo Gjakova mund të shihen vetëm në skenat vendore.
Njëkohësisht, me dëshirë dhe me shumë arsye të rëndësishme teatrore shkojmë në Graçanicë, që në fakt është një paralagje e Prishtinës, që t’i shikojmë shfaqjet e dramës serbe të Teatrit Kombëtar të Prishtinës, shfaqjet e tyre rregullisht i shikojmë gjatë udhëtimeve nëpër qytete të Serbisë, si dhe më shpesh në festivalet vendore. Aq më parë shtrohet pyetja pse të mos shfrytëzohet mundësia të kemi një pasqyrë për produksionet që krijohen në teatrot kosovare.
“Showcase” i Prishtinës është mbajtur nga 2 deri më 7 nëntor të këtij viti dhe në të janë paraqitur tri shfaqje të teatrove prishtinase – Teatrit Kombëtar, teatrit “Dodona” dhe teatrit “Oda”, si dhe shfaqje të krijuara në Ferizaj, me kooproducentë nga New Yorku, Beogradi apo Berlini, kurse publikut dhe mysafirëve të showcase-it u janë shfaqur edhe shfaqjet të teatrove qipriote dhe zvicerane të punuara sipas teksteve të Jeton Nezirajt, pa dyshim në këtë kohë dramaturgu më i shquar dhe më produktiv kosovar. Për më shumë, Neziraj me qendrën e tij “Multimedia” është njëri nga iniciatorët dhe organizatorët e këtyre shfaqjeve në Gjakovë dhe në Gjilan. Disa nga këto shfaqje janë rezultat i bashkëpunimit me revista të jashtme, në të cilat, përpos të rinjve lokalë kanë marrë pjesë katërdhjetë kritikë, teatrologë, producentë, regjisorë dhe gazetarë nga të gjitha anët e Evropës. Edhe pse ka qenë i paralajmëruar një numër më i madh i mysafirëve të huaj, pandemia ka zvogëluar praninë e atyre që nuk arritën t’u përgjigjen ftesave nga Prishtina.
Në “Showcase” ka qenë e paraparë të marrë pjesë edhe teatri beogradas “Reflektor” me shfaqjen “Redaktori” (Urednik), me tekst të Sare Radojkoviqit dhe nën regji të Vojkan Arsiqit, për fat të keq edhe këto realizime për të njëjtat shkaqe kanë munguar. Është interesante se këto pjesëmarrje u kanë takuar kategorive që e kanë plotësuar programin e “Showcase” nga produksionet e realizuara në shtetet të cilat nuk kërkojnë vizë nga banorët e Kosovës.
Se sa mikpritësit seriozisht e marrin “Showcasen”, dëshmojnë të dhënat se në kuadër të qarkut të saj, dy produkcione – “Balkan Bordello” dhe “Fuego” – kanë pasur premierën, kurse një tjetër produksion – “John Cage’s Hamlet” – si premierë është dhënë në vitin 2015, mirëpo është rikthyer pikërisht për këtë rast, siç do ta shohim për shumë shkaqe të rëndësishme.
Qarkun tematik të “Showcase” simbolikisht e kanë përbërë dy tryeza të diskutimeve: në të parën është shtruar pyetja “Si të luhet? Gjuha e trupit në teatër dhe paraqitja e politikës”, ku si pjesëmarrës ishin lajmëruar Milo Rau, Xhulija Visert dhe Simon Shtraus, me moderatoren Natalija Domartska, derisa për të dytën ishte tema: “A mund të krijohet një kritikë e shëndoshë në regjionin e fragmentuar”, si panelistë ishin paraparë Natasha Tripni, Haris Pashoviq dhe Milena Bogavac, krahas moderatorit Jeton Neziraj.
Të shikojmë çka ishte më interesantja në kuadër të këtij qarku. Para së gjithash, ishte drama e Jeton Nezirajt, “Balkan Bordello”, një prodhim botëror, si kooproduksion i qendrës prishtinase “Multimedia”, i teatrit të New Yorkut “MaMa”, i “Atelje 212” nga Beogradi, si dhe i producentit njujorkas-beogradas “Ballkani im“, Beke Vuço. Në shfaqje luajnë Svetozar Cvetkoviq dhe Ivan Mihajlloviq nga “Atelje 212”, teatër i cili në këtë bashkëpunim ka sjellë edhe dramaturgun Dimitrije Kokanovin, si dhe kostumografen Jelisaveta Tatiç-Çuturillo, po ashtu, luajnë edhe dy aktore nga Prishtina, si dhe disa aktorë dhe aktore nga “La MaMa”, krahas aktores legjendare Ellen Stewart, si ikonë e “Broadwayt”.
Neziraj e ka shkruar një farsë të intonuar, të mbështetur në mitin antik mbi pasojat e shkatërrimit të Trojës, të kthyer më vonë në një tragjedi të famshme mbi fatin e tmerrshëm të Agamemnonit fitues, të cilin duke u kthyer nga lufta e kanë mbytur bashkëshortja Klitemnestra dhe i dashuri i saj, Egisti, të cilëve më pas, pas mbytjes së nënës, u janë hakmarrë vajza dhe djali, Elektra dhe Orasti. Të gjithë ata i takojmë në objektin turistik të dështuar në Ballkan, në motel apo kafehane e cila për nga atmosfera nuk dallon nga ndonjë bordel klasik. Në të vërtetë, gjithçka këtu është lëndë e tregtisë – mallra të ndryshëm, por edhe shpirtra njerëzish, fate dhe jetë të tyre, doemos atdhedashuri dhe marrëdhënie familjare. Kjo tregti e gjithanshme zhvillohet në këto hapësira gjatë një cikli të pandërprerë të dhunës dhe të jomoralitetit, dhe është brymosur me frikë dhe lakmi. Aktorët e tregimit i identifikojmë sipas emrave, domethënë në bazë të trashëgimisë nga Greqia antike, i njohim ata edhe nga fati dhe funksionit dramatik, por ata do të mund të ishin përfaqësues të cilitdo komb apo religjioni ballkanik – shqiptar apo serb, maqedonas apo bullgar, grek apo turk, malazez, të njërit apo tjetrit përcaktim tradicional, mysliman apo ortodoks... Megjithatë, një e kanë të përbashkët – jetën në gënjeshtra me të cilën jo që pajtohen, por me gjithë zemër e gjenerojnë dhe mbi të e krijojnë identitetin e tyre dhe në raport me të përcaktojnë armiqtë dhe kundërshtarët e tyre.
Kësisoj, personazhet dramatike të Nezirajt janë robër të rrethit vicioz prej të cilit nuk mund të dalin, dhe kështu pandërprerë sillen në një ringishpil të krimit dhe amoralitetit, të cilët me kohë i përvetësojnë si fat të vetin. Në fund edhe ata vetë do të shndërrohen në gënjeshtër; bëhen heronj të rrejshëm të luftës, profetë të rrejshëm, intelektualë të rrejshëm, si dhe viktima të rrejshme, gjithsesi viktima të një fati të largët të paarritshëm dhe të rrejshëm. Prej gjithë kësaj gënjeshtre në të vërtetë rrjedh funksionimi i matricës themeltare e cila çdoherë prej fillimit pa u lodhur gjeneron mjerim, varfëri dhe pafat.
Regjisorja e shfaqjes Blerta Neziraj me precizitet detekton atmosferën e tekstit, saktësisht i njeh karakteret dhe rolet e tyre dhe krahas ndihmës së dramaturgut gjen zgjidhjet e duhura regjisoriale dhe krijon bazën për hulumtimin teatror emocional, qëllimi i të cilit nuk është shkatërrimi i modelit dramatik, por loja skenike e brendshme me fuqinë e tekstit. Kështu, shfaqja bëhet e rreptë në të cilën pandërprerë ndërrohen emocione të forta dhe fryma e akullt të cilën e lë lufta, në të cilën është theksuar stilizimi i kujdesshëm i përputhur me temën e tregimit të cilin shikuesi i këtushëm, pavarësisht nga përkatësia nacionale, duhet ta njohë në gjendjen më të vrazhdë të tij.
Në këtë udhë, regjisoren vazhdimisht dhe saktë e përcjellin disa aktorë, para së gjithash ata të cilëve me gjasë ky tregim i dramës u është i njohur dhe i qartë nga përvoja e tyre. Më së vështiri janë gjetur këtu aktorët nga New Yorku. Në anën tjetër, në premierë shihej qartë që zhvillimit më të përshtatshëm të këtij projekti i kanë munguar edhe më shumë prova. Mund të parashikohet që ato do të rezultonin me një qëndrim më radikal regjisorial, gjegjësisht me shkurtime, që shfaqjen do ta kishin bërë më të pranueshme, më të fuqishme dhe më të qartë. Por, pas premierës dhe shfaqjes së saj nëpër teatrot kosovare, “Balkan Bordello” do ta ketë premierën beogradase në fund të marsit dhe një seri të shfaqjeve në New York, dhe deri atëherë do të ketë mundësi për prova plotësuese të cilat do të sjellin korrigjime të përsosura.
“Showcase” prishtinas ka treguar që teatri shqiptar në Kosovë i luan edhe shkrimtarët nga territori i ish-Jugosllavisë, si për shembull autorin kroat Ivor Martiniç dhe dramën e tij “Ditëlindja”, tek ne është inskenuar me titullin “Djali im vetëm ecën pak ngadalë”, po ashtu në repertorët e tyre kanë edhe inskenimet e dramave të klasikëve bashkëkohorë, si “Plus18” të David Mametit apo “Audienca” e Václav Havelit, kurse shkrimtarët nga Kosova, konkretisht Jeton Nezirajn do ta inskenojnë teatri i Zvicrës apo ai i Qipros, por pamë atje që teatrologët hapësirën për afirmimin e teatrove të tyre e kanë gjetur në kooproduksione, që në të vërtetë është shumë ekskluzive dhe që rezultoi me shfaqjen “Kthimi i Karl Majit”, gjithashtu e punuar sipas dramës së Nezirajt, në bashkëpunim të Teatrit Kombëtar të Kosovës me teatrin berlinez “Volksbühne”.
Dhe derisa ky kooproduksion, bash si dhe “Balkan Bordello” apo ndonjë tjetër inskenim i dramave të Nezirajt, është rreptësisht politikisht dhe shoqërisht aktual, derisa pa mëshirë analizon prapësitë e realitetit në të cilin jetojnë kombet në shoqëritë transicionale, por edhe fishkëllen pa mëshirë burokracinë e BE-së, në “Showcase” të Prishtinës ka pasur edhe shfaqje të cilat sikur nuk çajnë kokën për kohën dramatike në të cilën është e gjykuar një shoqëri në transicion. Në të vërtetë, edhe këto shfaqje shfrytëzojnë mjetet teatrale të cilat pa dyshim përputhen me tendencat bashkëkohore karakteristike për teatrin evropian, mirëpo kjo nuk ndihmon që të vendosin vërtet pasqyrën para fytyrës se realitetit të tyre.

Në Prishtinë, në kuadër të “Showcase” të sivjetme të teatrove të Kosovës është dhënë një shfaqje, për shumëkënd një shfaqje e veçantë. Këtë vlerësim ajo nuk e meritonte pse është dhënë premierë qysh më 2015, por për shkak së vërtet në mënyrën provokuese dhe pa dyshim rrënjësisht trajton njërën nga më të shenjtat e dramave dhe të teatrit – “Hamletin” e Shakespeareit. Regjisori Bekim Lumi, njeri nga autorët më të respektuar të teatrit shqiptar, i cili ka vdekur para tre vjetësh, në fakt nuk e vuri në skenë tragjedinë e famshme. Para së gjithash, shfaqja e tij u rikthye pikërisht që në “Showcase” të përfaqësonte tendencat eksperimentale të jetës teatrale kosovare, projektit të tij ia kishte dhënë emrin “John Cage’s Hamlet”.
Mësuam që regjisori në atë kohë kishte këmbëngulur që tekstin e paktë të Shakespeareit të cilin e ka shfrytëzuar në këtë inskenim të mos e përkthejë në anglisht, as në ndonjë gjuhë tjetër, por që shfaqja të luhej shqip. Arsyet nuk kanë të bëjnë me sferën nacionaliste. Në përshtatjen e tij dramaturgjike, Lumi tekstin e tragjedisë në të vërtetë e mbështeti në monologët dhe në skenat më të njohura të Hamletit. Në anën tjetër, shfaqja nuk u përcaktohej atyre të cilët Shakespearein nuk e kanë lexuar, kurse lexuesit të kujdesshëm menjëherë do t’i ishte e qartë që po merrte pjesë në skenën e cila i paraprin vdekjes së Ofelisë, kur ta shohë princin danez, tradicionalisht të veshur në të zeza, me një kafkë në duar, ashtu që i është e qartë që po e sheh skenën e “kurthit të minjve“ dhe të grindjes së Hamletit me nënën kur princi do të vërsulej mbi figurat e mbretit dhe të mbretëreshës në tabelën e shahut.
Duke ndërlidhur titullin e tragjedisë së Shakespeareit me emrin e kompozitorit, muzikologut dhe filozofit të famshëm John Cage, regjisori ka paralajmëruar qëllimin që teksti i njohur dramatik të përkthehej në gjuhë të notave dhe posaçërisht të zërave. Pikërisht nga fragmentet e dramës dhe të zërave që i nxirrte aktori në rolin e princit danez, mirëpo edhe nga muzika që interpretonin në skenë dy muzikantë (tenori dhe violonçelisti), Lumi krijonte një strukturë të pazakontë teatrore e cila natyrisht është e murosur në paranjohuritë dhe në përvojat e shikuesve me Hamletin e Shakespeareit. Më anë të mjeteve teatrore, Lumi transformonte rrëfimin në pamje skenike dhe veçanërisht në zëra të cilët tek publiku ngjallnin emocione të fuqishme, dhe në këtë mënyrë, përkundër ngjeshjes rrënjësore të përmbajtjes, krijon versionin e ri dhe megjithatë të vjetër të Hamletit, po aq emocional dhe të fuqishëm, dhe përsëri dukshëm të ndryshëm.
Ky “John Cage's Hamlet”, nën regji të Bekim Lumit, është njëra nga shfaqjet e luajtura në këtë vjeshtë në “Showcase” të teatrove kosovare, e cila vërteton se politika na ka pamundësuar përvoja të rëndësishme teatrore.
Ky tekst është emetuar në programin e tretë të Radio Beogradit në fund të vitit 2021, dhe me disa ndryshime formale është botuar në revistën “Scena"” (numër 1. 2022) Përktheu: Afrim Demiri