Shtojca për Kulturë

Gjuha shqipe sot

Kongresi i Gjuhes Shqipe
Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, Tiranë, 20 – 25 nëntor 1972
 

Shqipja standarde me burimet e saj nga gjuha e gjallë do selitur në frymën e për­shtatjes së gje­rë me nevojat e botës moderne, duke për­thithur sa më shumë nga shprehja e saj e gjallë. Ajo, shprehja e gjallë, e përca­kton hapësirën e lirisë shprehëse. Zgjerimi i spon­­ta­nitetit shpreh­jor të ndërlidhur me gjallninë jetësore, duke mbajtur parasysh të kup­tuarit sa më të lehtë­suar në hapë­sirën e bashkësisë së folësve, është diçka që do synuar dhe për­mbu­shur në shkallë të gjerë në proceset di­na­mike standardizuese

Le të pyesim menjëherë: Ç’është gjuha shqipe sot? dhe le të shprehim një përgjigje të shlirë, që mund të gjendet gjithandej për gjuhë të ndryshme: gjuha shqipe sot është i tërë potenciali shprehjor i bashkë­sisë gju­hësore shqipe. Ky poten­cial gjallon nëpër shtresa të shumta, si në të folmet orga­nike ven­dore, në dialekte, në fenomene në kapërcyell midis të folmesh të ndryshme, në të folme qyte­tesh, në zhargone, e deri te manifestimi i gjuhës stan­darde me ndër­lidhjet e ndërvarësitë e saj me aspekte të ndryshme, me ma­nifestimet e pak a shumë formale në rrethet e arsimuara, krejtësisht for­­male në komunikimet zyr­­tare dhe në korrespon­dencat e punës, etj. Lidhur me funk­sionet shoqë­rore të gjuhës shqipe mund të shënohen po ashtu shtre­sëzime. Do theksuar dhe realiteti i kontakteve të bash­kë­sisë së folësve të shqipes me gjuhë e dia­lekte gju­hësh të tjera, me italishten, me gre­qishten, me slla­vishtet e jugut, me turqishten, me ang­lishten, me gjermanishten, me frën­gji­shten, me gjuhët skan­dina­ve, më tej në tërë botën. Në ato kontakte shqipja jo çdoherë është e rendit të bara­bartë.

Në kohën e Kongresit të Drejtshkrimit bashkësia gjuhësore shqipe, me traditën e varianteve letrare, me shtresëzimet sho­qërore, shtrihej në RPS të Shqipërisë së izoluar me sistem rigjid të Lindjes, në RFS të Jugosllavisë po ashtu në një sistem socialist me kontroll politik-ideologjik e mbisundim të dukshëm të serbo­kroatishtes (jo njësoj në Kosovë, në Maqedoni, në Malin e Zi dhe në Serbi). Komunikimi mi­dis pjesëve të bashkësisë gju­hësore në Shqipëri dhe në ish-Jugosllavi ishte i reduktuar në komunikime përmes radios, më vonë, televizionit, apo shumë i kontrolluar përmes librave, gjithnjë me mbulesë të fuqishme të shprehjes propagandistike. Pjesët e tjera të bash­kë­sisë gjuhësore shqipe në diasporën his­torike dhe në dia­sporën ak­tuale thuaja se nuk ki­shin komunikime me trungun. Bashkësia e folësve të shqi­pes ishte e ndarë dhe në kontroll të rreptë politik-ideologjik e propagandistik.