17 korrik të vitit 1799, nga rrënojat e një muri në Rozeta, port në Deltën e Nilit në Egjipt, ushtarët francezë nxorën një pllakë guri që nuk binte në sy. Tri pjesë në të cilat ishin skalitur ca shkrime u shfaqën në sipërfaqe. Asnjëri nga burrat që merrte pjesë në Fushatën egjiptiane të Napoletonit (1798-1801), të përgatitur për ta luftuar Perandorinë Osmane, nuk kishte ndonjë ide se çfarë thesari po mbanin në duar. Por lajmi u përhap me shpejtësi të madhe.
Pllaka prej guri magmatik i ngjashëm me granitin, e lartë vetëm 112 centimetra dhe e gjerë 75.7 centimetra, ishte në fakt vetëm një pjesë e vogël e një pllake antike shumë më të madhe.
Por çfarë domethënie kishin mbishkrimet, shkronjat dhe simbolet? Pllaka u dëmtua gjithashtu: Dy të tretat e tekstit të sipërm, hieroglifë të palexueshëm, mungonin. Përveç kësaj, shumë rreshta të cilët gjendeshin në skaje, ishin të dëmtuar. Pjesa e mesme e tekstit e shkruar në demotik, një formë e lashtë e shkrimit egjiptian, i përdorur për punë të përditshme, ishte më e ruajtura. Nga teksti i poshtëm, i shkruar në greqishten e vjetër, mungonte një pjesë e madhe që gjendej në qosh të pllakës.
Zbulim misterioz
Por çfarë domethënie kishin këto tri tekste? A ishin ato mesazhe të njëjta, në gjuhë dhe shkrime të ndryshme? Lejtnant Perre-Francois Bouchard, komandant i korpusit të ekspeditës Napoleonike, ishte plotësisht i magjepsur. Misteri nuk po e linte të qetë. Ai i informoi arkeologët francezë që ishin me ta, por as ata nuk kishin ndonjë shpjegim. Arkeologët francezë deshën që pjesët e gjetura t’i dërgonin në Francë, për të kryer hetime të mëtutjeshme.
Por kjo përpjekje dështoi në vitin 1801 për shkak të fitores së trupave angleze mbi ato franceze. Të mundurve iu kërkua që të hiqnin dorë nga të gjitha artefaktet e lashta egjiptiane. Kështu Pllaka Rozeta mbërriti në Londër si plaçkë lufte. Deri më sot, ajo gjendet e ekspozuar në Muzeun Britanik.
Të elektrizuar nga zbulimi misterioz, studiues nga e gjithë Evropa filluan t’i deshifronin shkrimet.
Francezi Silvestre de Sacy fillimisht e bëri krahasimin midis pjesës demotike dhe asaj greke të tekstit. Në vitin 1802, duke ndjekur punën e Sacyt, suedezi Johan David Akerblad arriti t’i lexonte emrat demotikë. Dijetari britanik, Thomas Young, nga ana tjetër, u përpoq ta zgjidhte enigmën e shkrimeve të shenjta në një mënyrë matematikore, por ai nuk e kuptoi gramatikën komplekse të shkrimit të lashtë egjiptian.
Ishte Jean-Francois Champollion (1790-1832), gjuhëtar francez, i cili më në fund arriti ta zbërthente atë: Ndryshe nga Young, ai fliste rrjedhshëm gjuhën kopte dhe dinte shumë për Egjiptin dhe kulturën e tij. Ai zbuloi se kuptimi i shkronjave demotike qëndronte te rrokjet, ndërsa nga ana e tyre, hieroglifët ptolemeike pasqyronin tingujt e gjuhës kopte.
“Kjo i lejoi Champollion të dëshmonte se gjuha kopte qëndronte pas shkrimit hieroglifik”, ka thënë për DW, egjiptologu Christian Loeben nga Hanoveri. “Kështu i ka deshifruar hieroglifët”.
Plotësisht i emocionuar, Champollion thuhet se ka vrapuar për tek zyra e vëllait të tij dhe ka bërtitur: “Je tiens mon affair! (I rashë në fije) – dhe më pas i ra të fikët.
Hieroglifët egjiptianë – një shkrim piktografik që përdor figura njerëzish, kafshësh dhe objektesh – ishin përdorur dikur rreth viteve 3200 para Krishtit e deri në vitin 400 pas Krishtit. Me kalimin e kohës, gjuha e shkruar doli krejtësisht jashtë përdorimit dhe nuk mund të lexohej më.
Pra, nga erdhi saktësisht Guri i Rozetës? Dhe për çfarë ishin gdhendur këto shkrime?

Hieroglifët – tinguj të gjuhës kopte
Shkencëtarët supozojnë se pllaka me mbishkrime u krijua rreth vitit 196 para erës sonë në epokën Ptolemeike (rreth vitit 323- 30 para Krishtit ). Pas vdekjes së faraonit Ptolemeut IV, sundimi i dinastisë Ptolemeike ishte kërcënuar nga luftërat për pushtet. Kur në vitin 204 para Krishtit shpërtheu një revoltë, u kërkua besnikëri ndaj faraonit dhe në vitin 196 para Krishtit, këshilli egjiptian i priftërinjve formuloi të ashtuquajturin “Dekreti i Memfisit”.
Është shkruar në atë mënyrë që të tri grupet e popullsisë të mund ta lexojnë: Për priftërinjtë është shkruar në hieroglifë, si gjuhë e Zotit; në gjuhën egjiptiane demotike për zyrtarët; dhe për sundimtarët grekë të Egjiptit, me shkronja të mëdha të greqishtes së lashtë. Pllaka me mbishkrime të tilla, identike do të ngriheshin në çdo tempull në Egjipt.
Me ndihmën e Gurit të Rozetës, Jean-Francois Champollion, krijoi një alfabet fonetik të hieroglifëve. Studiues të tjerë mundën ta përdornin atë për ta përkthyer plotësisht mbishkrimin.
“Falë Gurit të Rozetës, Champollion ishte në gjendje të deshifronte hieroglifët. Kjo u dha zë përsëri egjiptianëve”, ka thënë Loeben, i cili drejton Departamentin Egjiptian në Muzeun Kestner në Hanover. “Në të njëjtën kohë, shënoi lindjen e Egjiptologjisë”.
Kush janë pronarët?
Edhe sot e kësaj dite, Guri i Rozetës konsiderohet si një nga zbulimet më të rëndësishme arkeologjike të bëra ndonjëherë. Rëndësia e tij është e madhe – dhe jo vetëm për shkencën. Në fund të fundit, kujt i përket objekti që arriti në Angli gjatë periudhës së kolonializmit?
“Guri i përket njerëzimit, pavarësisht se ku ndodhet”, ka thënë egjiptologu gjerman, Loeben. “Objektet egjiptiane në muzetë e mbarë botës janë ambasadorët më të mirë të Egjiptit”. Nga kjo përfiton edhe turizmi, i cili në fund sjell para në tokën e faraonëve, ka thënë ai.
Loeben aktualisht po përgatit një ekspozitë të madhe mbi Gurin e Rosetës për Muzeun Roemer dhe Pelizaeus në Hildesheim të Gjermanisë.
Duke filluar nga 13 tetori 2022, një ekspozitë e madhe në Muzeun Britanik të Londrës, e titulluar “Hieroglifët: Zhbllokimi i Egjiptit të Lashtë” do të nderojë zhvillimin e zbulimeve të studiuesve - saktësisht 200 vjet pas deshifrimit të hieroglifëve.
Marrë nga DW. Përktheu: Mirjetë Sadiku