Shtojca për Kulturë

Seniha Spahiu – ikona e edukimit muzikor

Seniha Spahiu

Profesoresha e njohur e muzikës, figura e shquar e kulturës shqiptare, Seniha Spahiu, ka vdekur të shtunën. Ajo ishte 86 vjeçe. Studentë të dikurshëm të saj, kolegë e bashkëpunëtorë, e kanë kujtuar si emër të përveçëm të muzikës, prijetare e edukimit muzikor, promotore vlerash që la vulë të pashlyeshme. Për të edukimi ishte art. Ajo e dëshmoi se ishte artistja unike e tij. Dhe ia kushtoi një jetë të tërë

Për të, akti i krijimit ishte sa kërkues, po aq edhe madhështor, i bukur. Do të thoshte se kur shkrep frymëzimi, kur lind ideja dhe mendimi, çelen rrugët e krijimit.

“Natyrisht, baza është talenti, po talenti është vetëm një filiz, dhunti e cila do latim, kultivim e ky është edukimi. Kështu krijohet e bukura dhe vepra muzikore. Prandaj këtij arti vlen t’i kushtohet një jetë e tërë”, do të thoshte Seniha Spahiu në ditën e tetë të qershorit të vitit 2016, kur iu dorëzua çmimi kombëtar për veprimtari jetësore “Niketë Dardani”. Edhe në kaq pak fjalë, thuret e tërë filozofia e saj. Spahiu ia kushtoi një jetë të tërë muzikës. Njësoj edhe edukimit të brezave të tërë.

Profesoresha e njohur e muzikës, figura e shquar e kulturës shqiptare, Seniha Spahiu, ka vdekur të shtunën. Ajo ishte 86 vjeçe. Studentë të dikurshëm, kolegë e bashkëpunëtorë të saj e kanë kujtuar si emër të përveçëm të muzikës, prijetare e edukimit muzikor, promotore vlerash që la vulë të pashlyeshme në kulturën shqiptare.

Seniha Spahiu u lind në Prishtinë më 6 korrik 1936. Mësimet për muzikë i mori në Shkup, ku kreu dhe studimet për pedagogjinë muzikore. Sipas biografisë së saj në “Fjalorin Enciklopedik të Kosovës”, botuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve e Kosovës, Spahiu i kreu studimet e magjistraturës në Akademinë e Muzikës në Beograd për metodikë të mësimit të muzikës.

Për gjysmëshekulli qe pedagoge në të gjitha nivelet arsimore. Ishte mësimdhënëse në shkollën fillore “Liria” në Prishtinë dhe drejtuese e korit të shkollës, më pas profesoreshë e metodikës së muzikës në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, pastaj në Fakultetin e Arteve si ligjëruese, e docente dhe profesoreshë nga viti 1987. Pas pensionimit (1991), vazhdoi punën në Fakultetin e Arteve dhe më 2002 u emërua “Profesore Emeritus”. Organizoi dhe udhëhoqi studimet pasuniversitare në periudhën 1998- 2011. Është bashkautore dhe autore e teksteve për parashkollorë dhe e teksteve të muzikës për disa klasa të shkollës fillore, si dhe autore e tekstit universitar “Metodika e mësimit të muzikës” (2009). Është marrë me studime kërkimore-profesionale për çështjet nga fusha e mësimdhënies së muzikës, që përfshijnë një sërë punimesh, si dhe këngë korale dhe për fëmijë. Publikimet e saj profesionale janë botuar në revista të ndryshme profesionale-shkencore. Qe anëtare e Shoqatës se Kompozitorëve të Kosovës (nga 1980) dhe e kryesoi Shoqatën e Pedagogëve Muzikorë të Kosovës.

Roli gjigant në sistemin arsimor

Si pedagoge të përkushtuar dhe shumë punëtore e ka përkujtuar ish-studentja e dikur edhe asistentja e saj, Besa Luzha.

“Ishte tepër punëtore, kërkuese prej vetes e edhe prej të tjerëve. Gjatë kohës kur e kemi punuar bashkë librin e klasës së 9-të për Edukatë muzikore, me orë të tëra diskutonim për një formulim të vetëm, sepse ajo donte të ishte gjithçka e saktë dhe e duhur për nxënësit”, ka kujtuar Luzha, të shtunën.

Kryepedagoge të edukatës muzikore e ka cilësuar ndër të tjera, Baki Jashari, drejtor i Filharmonisë së Kosovës.

“Të gjithë e dimë rolin gjigant që ka pasur ajo në sistemin arsimor. Mundet të quhet edhe si kryepedagogia, nëna e pedagogjisë muzikore kosovare, e cila ka lënë gjurmë të pashlyeshme në zhvillimin e sferës së pedagogjisë muzikore posaçërisht metodikës, didaktikës pasi që ka qenë e specializuar edhe në aspektin pedagogjik, shkencor, hulumtues dhe tërë jetën ia ka kushtuar këtij lëmi”, ka vlerësuar Jashari.

Ndonëse Jashari nuk kishte qenë student i saj, lidhjet që ata kishin krijuar gjatë bashkëpunimeve të shumta kishin bërë që edhe ai ta ndiente veten si student të sajin. Ndër momentet e shumta me të, Jashari ka theksuar veçanërisht mbresat që profesoresha Spahiu ia kishte lënë atij gjatë kohës kur po përgatitnin librin e “Edukata Muzikore”.

“Me profesoreshën si udhëheqëse imja dhe e Besa Luzhës, kemi bashkëpunuar ngushtë në botimin e ‘Edukatës Muzikore’ për klasën e 9-të ku kemi qenë edhe bashkautorë. Për këtë botim kemi punuar me muaj të tërë, me orë të tëra, nga 4-5 orë për çdo ditë duke i trajtuar në detaje çdo fjalë, çdo fjali që është shkruar në atë libër, çdo shembull muzikor që ka hyrë aty e gjithçka tjetër”, ka kujtuar ai. Me zë të dridhur, ka thënë se ka mësuar shumë prej.

“E kam njoftuar dhe e kam krijuar një raport profesor-student sikur kur të studioja te ajo. Aq shumë kam mbresa të mira, profesionale. Unë jam shumë krenar dhe i lumtur që kam punuar dhe që e kam njohur për së afërmi jo vetëm si profesoreshë, si profesioniste e fushës, por në ata muaj që kemi punuar në atë libër, unë e kam njohur edhe si njeri të mirë e me shumë vlera”, ka thënë Jashari.

Kompozitori Valton Beqiri, ish-profesoreshën dhe kolegen e tij, Seniha Spahiu, e ka kujtuar si profesoreshë të mahnitshme dhe një figurë të rëndësishme të pedagogjisë muzikore kosovare.

“Edhe si student, por edhe më vonë edhe si koleg dhe bashkëpunëtor i profesoreshës Seniha, jam mahnitur me qasjen, profesionalizmin dhe njohuritë të cilat i ka pasur profesoresha dhe mënyrën se si i ka transmetuar ato te studentët e tjerë. Mund të them që unë e konsideroj si një ndër pedagoget më ikonike të Fakultetit të Arteve, një zonjë të madhe dhe një kolege me një zemër të madhe”, ka thënë ai.

Promovuese e vlerave

Punën dhe përkushtimin e madh të Spahiut për vënien e bazave të edukimit muzikor në Kosovë e ka përkujtuar me shumë krenari profesoresha e Fakultetit të Arteve, Besa Luzha.

“Profesoresha Seniha Spahiu i ka vënë bazat e edukimit muzikor modern në Kosovë, i cili inkurajon aktivizimin muzikor të nxënësve në klasë dhe në shkollë. Për të ishte thelbësore që nxënësit të këndonin e të vallëzonin edhe nëse nuk dinin shkrim lexim muzikor, sepse insistonte që fëmijët sikurse me gjuhën, më së pari flasin e pastaj mësojnë të lexojnë e shkruajnë”, ka thënë Luzha.

Ndonëse, për shkak të sëmundjeve, Spahiu kohëve të fundit mungonte në festivale, si njeri i afërt i saj, Luzha e ka kujtuar insistimin që ajo kishte për promovimin e muzikës së mirëfilltë.

“Dëgjimi i muzikës ishte tepër i rëndësishëm për të dhe insistimi që të promovohet muzika e mirë, (pa marrë parasysh zhanrin) në media ishte po ashtu një kërkesë e vazhdueshme e saj. Në çdo koncert të muzikës klasike, ajo ka qenë përherë e pranishme dhe gjithmonë ka pasur mendim, vlerësim për ngjarjen”, ka thënë ajo.

Si ish-studente, Luzha ka treguar edhe një kujtim që gjenerata e saj kishte pasur me profesoreshë Spahiun.

“Më 1998, ne ishin në provim pranues për magjistraturë, dhe na njoftuan për ngjarjet në Prekaz, duke na thënë të largoheshim nga provimi, ndërkaq ajo shume e qetë, tha se edhe nëse vijnë, deri sa të vijnë, ne e përfundojmë provimin, procesverbalin dhe përfundojmë punë”, ka kujtuar Luzha

Por përveç aspektit profesional, Luzha ka treguar edhe për faktin se profesoresha tashmë e ndjerë, Seniha Spahiu ishte bërë edhe shkak që ajo të kthehej në Kosovë.

“Ajo është bërë sebep, e unë jam kthyer nga Greqia në 98-n, ku isha me burrin dhe vajzën, sepse më ftoi që t’i regjistroj studimet master, e të bëhem asistente e saj. E përgatita punimin me shkrim, sepse unë isha pianiste, dhe ajo kishte dëshirë që asistenten ta kishte pianiste dhe dikë që ka përfunduar gjimnazin. Ja që qëllova unë që i kisha të dyja, dhe që atëherë, ka qenë si një nënë e dytë për mua”, ka thënë ajo plot nostalgji e pikëllim.

Baki Jashari ka thënë se vdekja e profesoreshës Spahiut është humbje e madhe për artin muzikor në Kosovë.

“Ishte e papërsëritshme në fushën e muzikës në Kosovë. Me vdekjen e saj Kosova ka humbur një emër të madh, një pedagoge e cila vështirë se do të përsëritet ndonjëherë. Ajo ka bërë një punë gjeniale në fushën e edukimit muzikor, trajtimit, metodës së punës. Ka punuar me një përkushtim dhe profesionalizëm të jashtëzakonshëm njerëzor, të mos them ndoshta edhe si një nënë, e udhëzimeve dhe mënyrës se si ajo e shihte jetën, gjeneratat, zhvillimin”, ka thënë Jashari.

Edukata muzikore s’mund të paramendohet pa emrin e saj. Për ata që bashkëpunuan me të ajo nuk qe thjesht profesoreshë.

“Arsimtari që ka vullnet ta ngrejë procesin e mësimit, i shtrydh forcat e veta sado të fjetura ose jo të zhvilluara të krijojë këngë për nevojat e mësimit”, kishte thënë Seniha Spahiu më 2017 në një intervistë për programin “Opusi muzikor” të RTK-së. Kjo ishte mënyra se si ajo e shihte përkushtimin e profesionit të saj. Ndër të tjera, ajo kishte folur edhe për kompozimet e shumta që kishte krijuar për të ndihmuar në avancimin e edukatës muzikore. “Kështu kanë lindur më shumë se 50 këngë të cilat i kam kompozuar, i kam shkruar pra dhe ato i kanë kënduar gjenerata të ndryshme”, kishte thënë ajo. “Ta mësojmë muzikën, nëpërmjet muzikës” qe maksima e saj. Për të, vetë edukimi ishte art. Dhe atij ia kushtoi një jetë.