Derisa për shumëkënd në botë lufta kishte filluar në shkurt të këtij viti, për ukrainasit është veç një tjetër fazë që tashmë është e nënta me radhë. Ngjarjet që kishin qenë të paimagjinueshme për publikun jashtë Ukrainës, tashmë janë bërë pjesë e përditshmërisë, ndërsa ato që në shtetet stabile janë krejt normale, si reklamat, videot në rrugë, posterët e filmave e të tjera, në një vend lufte duken si objekte nga e kaluara e largët. Dokumentari “One Day in Ukraine” dokumenton brenda 79 minutave përditshmërinë e luftës mes forcave ruse dhe atyre ukrainase. Aty është dita e 2944-t e luftës
Ajo që për shumëkënd në botë perceptohej si katastrofë e ngjarje shokuese, për ata që kanë përjetuar tmerrin prej vitesh nuk është gjë e re. “One day in Ukraine” dokumenton brenda 79 minutave përditshmërinë e luftës mes forcave ruse dhe atyre ukrainase. Regjisori e skenaristi Volodymyr Tykhyy, përshkrimit ku bëhet e ditur se xhirimet e filmit dokumentar janë realizuar më 14 mars, ua shton edhe atë që tregon se kjo shënon “ditën e 2944-t të luftës”.
“Një ditë në Ukrainë” vjen si homazh për ushtarët vullnetarë e si thirrje urgjente për audiencën që të dëshmohet historia më e thellë aktuale nga ajo që shpaloset para syve të botës nëpërmjet mediave.
Burra, gra e fëmijë flenë në stacionet e metrove, hapësirat e tyre janë kthyer në strehim për qytetarët ukrainas që kanë lënë pas gjithçka për t’i ikur vdekjes. Janë grupet e vullnetarëve heronj në kohë të jashtëzakonshme për popullin. Ushtarët nëpër rrugë janë pamje të zakonshme për njerëzit në Ukrainë. Të gjithë u referohen atyre si “djemtë e Mbrojtjes së Territorit”. Rrugët janë shkretë e thuajse i gjithë qyteti i braktisur. Aty janë rrënojat si gjurmë të luftës që s’i shihet fundi.
Është një ditë, por që shpalos një kapitull. Me këtë mision ka ardhur edhe në Prishtinë, i shfaqur të premten mbrëma në “Kino Armata” si premierë kosovare në “PriFest”. Është vetëm njëri prej filmave ukrainas në edicionin e 14-të.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë kishte bërë të ditur në maj të këtij viti se në shenjë mbështetjeje dhe solidariteti, “PriFest” do të jetë nikoqir i OIFF – Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Odesa (Ukrainë). Për këtë ka një vend të veçantë për filmat ukrainas dhe “Një ditë në Ukrainë” është njëri prej tyre.
Në dokumentar bëhet e ditur se që nga viti 2017, qytetarët ukrainas e kanë njohur zyrtarisht ditën e 14-të të muajit mars si Ditën e Vullnetarëve të Ukrainës. Kjo ditë e vitit 2014 bëhet e ditur se përkon me atë kur 500 luftëtarë vullnetarë të “Revolucionit të Dinjitetit” kishin mbërritur në terrenin e stërvitjes së quajtur Novi Petrivtsi për të formuar batalionin e parë vullnetar për mbrojtjen e Ukrainës Lindore nga pushtimi rus.
“Ukraina mbi të gjitha”, “Lavdi kombit, lavdi Ukrainës”, janë thirrjet e tyre më të shpeshta që thuhen në zonat e konflikteve e më gjerë. Lufta në një kohë moderne përshkruhet përmes rutinave të përditshme të tri grupeve të qytetarëve. Një grua që ushqen bashkëqytetarët e saj dhe kafshët në rrugë, anëtarët e Ushtrisë së Mbrojtjes Territoriale që vëzhgojnë zonën dhe familjet që kanë kthyer në strehim stacionet nëntokësore për mbrojtjen nga sulmet ajrore. Ushtarët vullnetarë identifikon nga një shirit i kaltër në krah, që simbolizon njërën nga dy ngjyrat e flamurit shtetëror.
Shumë nga pamjet që jepen vërtetojnë disa nga lajmet që janë dhënë në media. Spiunët që ushtarët i zhveshin dhe i lidhin në shtyllat e sinjalizimeve të komunikacionit në qendër të qytetit janë disa nga to. Dronët janë një nga strategjitë e tyre për të zbuluar nëse përreth ka ushtarë rusë e për të parë sulmet që po bëheshin. Ata përdoren edhe për të ilustruar sulmet e agresionit rus në vend. Lufta e tillë merr edhe kahe teknologjike kur grupet e përfshira në konflikt luftojnë për të hequr qafe a për të mbrojtur dronët në ajër që përdoren si mjet informimi për vendndodhjen e armikut. Armatimi i pashpërthyer është një nga sfidat e qytetarëve, veçmas në zonën e Odesës, por që për ta është veç një tjetër rutinë e luftës.
Filmi paraqet ngjarjen që nuk është një trillim, por thjesht një çështje perspektive. Derisa për publikun në botë lufta kishte filluar në shkurt të këtij viti, për ukrainasit është veç një tjetër fazë që tashmë është e nënta me radhë. Edhe pse nga titulli bëhet e ditur se filmi paraqet një ditë një Ukrainë, pamjet e tij hapen edhe në ditën e 15 marsit. Kamera ndjek një grup të ushtarëve në kryerjen e detyrave të tyre që nga luftimi deri tek zbulimet me dron. Xhirimet zhvendosen më pas edhe në paraqitjen e aktivizmit vullnetar në gatimin për ushtarët, banorët e zonës e deri tek ushqyerja e kafshëve të rrugës dhe përpjekja për të ushqyer ato kafshë që pronarëve u është dashur t’i lënë pas.
“Kino Armata” ka qenë plot me shikues të premten, ndërkohë që gjatë kësaj dite janë shfaqur edhe filmat e tjerë ukrainas si “Stop Zemlia”, “’Slovo’ House. Unfinished Novel” dhe “Blindfold”. Edhe pse jashtë garës, këta filma kanë zgjuar mjaft interesim tek publiku vendor e ai i huaj që kishte ardhur për t’i shikuar.
Disa që kishin ardhur nga Gjermania, filmin e kanë parë si shumë emocionues për solidaritetin dhe dhunën që gërshetohet në të.
“’Një ditë në Ukrainë’ e pashë të ishte e dhunshme, por gjithashtu kishte elemente të kujdesit të njerëzve për kafshët, fëmijët, njerëzit. Ishte e ndarë në dy anë, për kujdesin dhe dhunën. Mendoj se është perspektivë tjetër të shohësh një nga ditët e luftës atje, sepse çfarë shihni në lajme nuk mund ta përjetosh tamam. Edhe po të ketë fotografi të rënda është shumë më ndryshe ta shohësh kështu”, është shprehur Carolin Leutloff-Grandits nga Gjermania. Nën emocionet e filmit është parë edhe shtetasja tjetër gjermane, Paula Sasse, e cila e ka vlerësuar ngjarjen si frikësuese dhe një situatë nga e cila do të ikte.
“Sigurisht se kemi parë lajmet se çfarë po ndodh atje, por nuk kemi parë si duken njerëzit normalë, në stacione treni, duke ngrënë patate dhe gjëra të tilla. Ishte vërtet mbresëlënëse sesi duket çdo ditë atje derisa gjërat të kthehen në normalitet. E kam të vështirë të gjej fjalë, kam parë pamje nga atje, por nuk është e njëjta gjë”, ka thënë ajo.
Gjuha e folur a ligjërimi për ushtarët fokusohet në idealet e patriotizmit e solidaritetit. Ajo që është interesante në dokumentar është mënyra sesi ndryshon perceptimi kur e njëjta ngjaje kundrohet nga një tjetër formë e mediumit. Ngjarjet që kishin qenë të paimagjinueshme për publikun jashtë Ukrainës, tashmë janë bërë pjesë e përditshmërisë, ndërsa ato që në shtetet stabile janë krejt normale, si reklamat, videot në rrugë, posterat e filmave e të tjera, duken si objekte nga e kaluara e largët.
Bisedat e mbikëqyrësve të zonës bëjnë të ditur se ushtarët rusë po depërtonin në qytet duke u hedhur me parashuta. Në anën tjetër, alarmet që ndizen si paralajmërim për sulme ajrore janë trishtuese dhe alarmim për përgatitje në gjithë qytetin. Vetëm stacionet e metrove janë dëshmitarë të lojës së fëmijëve, që janë kthyer në shtëpi të shkatërruara që i kanë lënë pas. Ato janë kthyer në shtëpi, në hapësirë për ushqim e zonë loje për fëmijët. Ata e dinin se herët a vonë lufta do të niste. Përditshmëria e tillë në dokumentar vazhdon për qytetarët që i mban peng shpresa për mbijetesë dhe kthim në normalitet. Sekuenca e fundit në dokumentar është vetëm një nga momentet frymëmarrëse me frikën të cilën ukrainasit janë mësuar ta jetojnë.