Preokupimi im prioritar i vokacionit dominues janë krijimtaria dhe pedagogjia. Gjuha ime muzikore është e formuar në traditat klasike muzikore, teknikisht e kultivuar dhe primare melodioze, dhe veprat e mia kryesisht u përkasin formave klasike
Krijimtaria, gjatë jetës është shprehje qenësore e zhvillimit të njeriut. Të kompozuarit është krijim mendor e kulturor i njeriut individual, i shpikur nga mendja. Kjo pjellë e mendjes arrihet me veprimtari krijuese, e cila lidhet me krijimtarinë në fushën e caktuar të artit muzikor, që përpiqet të gjejë rrugë a mënyra të reja shprehëse muzikore. Ky frymëzim i mbushur me dëshirë e me forca për një punë a veprimtari, shpërthen hovin krijues të njeriut nën ndikimin e ideve e të ndjenjave të fuqishme e të brendshme të krijuesit. Siç dihet, puna e krijoi njeriun, e këto zbatime krijuese arrihen vetëm me punë. Këto veprime të reja duhet të jenë të dobishme për shoqërinë. Në botën bashkëkohëse, e cila permanent zhvillohet, njerëzit duan vazhdimisht të mësojnë dhe të mendojnë kreativ, pasi gjithnjë takohen me situata dhe probleme të cilat duhen të zgjidhen.
Preokupimi im prioritar i vokacionit dominues janë krijimtaria dhe pedagogjia. Gjuha ime muzikore është e formuar në traditat klasike muzikore, teknikisht e kultivuar dhe primare melodioze, dhe veprat e mia kryesisht u përkasin formave klasike. Shkruaj muzikë orkestrale, ndërsa veprat më të rëndësishme janë: Simfonieta in d, katër simfoni, mbi dhjetë vepra orkestrale, muzikë dhome, disa kantata, këngë solo dhe dy cikle të solo këngëve, një numër i madh të muzikës korale, muzikë për fëmije etj. Duke shfrytëzuar shkallët modale dhe harmonitë, krijimtarinë e bazoj në frymë të muzikës nacionale të popullit tim. Shkruaj dhe krijoj në stilin neoromantik, derisa jam ekzekutuar si në vend (në të gjitha republikat e ish-shtetit), ashtu edhe jashtë vendit (Amerikë, Angli, Norvegji, Shqipëri, Gjermani, Rumani, Zvicër etj.)
Në gjuhën amtare kompozova dhe muzikë sakrale (katër përmbledhje, e para “Libër këngësh korale kishtare” – 1994, e botuar në Romë, dy në Zagreb “Ejani t'i këndojmë Zotit”- 2000, bleni i parë, bleni i dytë, për të cilat dy recensuesit kroatë, njohës më të mirë të muzikës sakrale - dr. Miho Demoviq dhe mr. mo. Miroslav Martinjak, janë shprehur lëvdueshëm, e një në Prishtinë “Ta lavdërojmë Zotin”- 2012. Kam kompozuar edhe për Nënë Terezën, së cilës, përveç të tjerash, ia kam kushtuar një oratorio "Dallëndyshja Mirandjellse" dhe një meshë "Mesha klasike", të dyja të kompozuara për solistë, kor dhe orkestër.
Si krijues kosovar përmendem në “Enciklopedinë muzikore” - Zagreb, 1963, botimi i parë, si edhe në botimin e dytë të “Enciklopedisë muzikore” - Zagreb, 1977; në “Leksikun enciklopedik” - Beograd, 1972, si edhe ne "Biographical dictionary of Balkan composers" Tiranë, 2005, faqe 212, 213, 214, 215. Jam anëtar i Shoqatës së Kompozitorëve të Kosovës (SHKK) dhe i Shoqatës së Kompozitorëve të Kroacisë (HDS), e informata më të shumta mbi mua mund të lexoni në ueb-faqen e Shoqatës së Kompozitorëve të Kroacisë në www.hds.hr.
Me kolegun Mark Kaçinari kemi shkruar librat e parë për edukatën muzikore në gjuhen shqipe (për shkollat fillore dhe të mesme), e për studentë unë shkrova librin e parë universitar të Harmonisë (1984), dhe botimin e dytë të zgjeruar e të ndryshuar, të Harmonisë 1 dhe te Harmonisë 2 (2006).
Kam edukuar një numër të madh të kuadrit muzikor, nga të gjitha anët e ish-shtetit. Përgjithshëm jam përfshirë në jetën publike e kulturore të Kosovës, si dhe jam angazhuar dhe kam kryer funksione të ndryshme shoqërore. Për punën time jam shpërblyer me shumë mirënjohje dhe shpërblime publike.
Siç dihet, në muzikë, elementet më të rëndësishme melodia, si artikulim linear i lartësisë së toneve, dhe ritmi, si rrjedhë e organizuar e toneve, manifestojnë fuqinë zanafille në çdo shprehje muzikore, si në folklor ashtu edhe në muzikë të kultivuar.
Shkëputur nga libri autobiografik “Unë jam Vinçenc Gjini”, botuar nga Këshilli i Pakicës Kombëtare Shqiptare të Qytetit të Zagrebit më 2012