Shtojca për Kulturë

Vinçenc Gjini – figurë e shquar e muzikës shqiptare

Vinçenc Gjini, si njëri ndër krijuesit e brezit të dytë të kompozitorëve në Kosovë (ndarje brezash sipas muzikologut E. Berisha), ishte krijues i frytshëm në historinë e muzikës shqiptare dhe autor i një vargu të madh veprash të gjinive dhe formave të ndryshme
 

Kompozitor, pedagog dhe figurë e shquar e muzikës shqiptare. Kompozitor i stilit nacional, besnik i formës klasike me tingëllimë neo-romantike. Kultivues i traditës muzikore popullore shqiptare dhe asaj kishtare, studiues i artit muzikor dhe autor i një vargu veprash të gjinive dhe formave të ndryshme muzikore

Kur flasim për personalitete të shquara të krijimtarisë muzikore si pjesë e kulturës shqiptare, gjithnjë duhet të kemi parasysh faktin se ato personalitete me veprimtarinë e tyre paraqesin figurat më të shquara të universit tonë muzikor. Një ndër këto është padyshim figura e kompozitorit dhe pedagogut Vinçenc Gjini.

Gjini vinte nga një familje qytetare (nga Ferizaj) që e kishte traditë kultivimin e muzikës popullore dhe kishtare, andaj qysh në fëmijëri kishte treguar talentin dhe interesimin e tij të veçantë për muzikën. Pas përfundimit të shkollës së mesme të muzikës në Prizren (gjenerata e dytë e të diplomuarve në atë shkollë 1953/54), ai shfaqi dëshirën për të vazhduar studimet e mëtutjeshme për muzikë, (dëshirë që iu realizua). Në vitin 1958 kishte përfunduar studimet e larta muzikore në Akademinë e Muzikës në Beograd (Dega e Teorisë së Muzikës), për të vazhduar më tutje edhe studimet postdiplomike (Teori dhe Kontrapunkt) duke u bërë kështu magjistër i parë i shkencave muzikore në Kosovë. Dëshira dhe vullneti i madh që kishte për muzikën, e shtynë atë që të vazhdonte studimet edhe më lartë. Në vitin 1979, kishte mbaruar edhe shkollën Superiore muzikore në Shkup (në Degën e Kompozimit - prof. Tome Zogravski). Pas mbarimit të studimeve ishte kthyer në Kosovë duke kontribuar intensivisht në gjallërimin dhe intensifikimin e aktiviteteve dhe krijimtarisë muzikore (që asokohe në Kosovë ishte mjaft e zbehtë). Fillimisht kishte punuar në Radio Prishtinë, më pas në Katedrën muzikore pranë Shkollës së Lartë Pedagogjike (1963-1975), e më pas në Akademinë e Muzikës – Fakulteti i Arteve në Prishtinë (1975-1991). Përveç punës edukativo-arsimore, si një muzikant i gjithanshëm dhe i palodhshëm ishte marrë edhe me punë organizative dhe udhëheqëse. Ka qenë udhëheqës artistik muzikor i Ansamblit “Shota” (1963), udhëheqës i Shoqërisë Kulturore Artistike “Ramiz Sadiku” të studentëve të Universitetit të Prishtinës (1964), si edhe anëtar i korit “Collegium Cantorum”. Nga viti 1993, për arsye të njohura të situatës në Kosovë, ai u detyrua që të shpërngulej për në Buje – Istër të Kroacisë, ku jetoi deri në frymën e tij të fundit.