Shtojca për Kulturë

Tregimet lidhin ekzistencën në ringjalljen e përkohshme të Hamamit të Madh

Monumenti i shekullit XV ka kohë që është braktisur përderisa tentativat e restaurimit që nisën 15 vjet më parë janë shembull i dështimit. Por “Tell me Your Story” e ringjall Hamamin e Madh të Prishtinës, qoftë edhe përkohësisht, në 100 ditët e “Manifesta 14”. Kjo vepër e japonezes Chiharu Shiota – e cila shtatë vjet më parë pati një paraqitje mbresëlënëse në Bienalen e Ndërkombëtare të Artit në Venecie, kur përfaqësoi Japoninë – lidhjen si esencë e ekzistencës. “Për këtë vepër doja të mblidhja historitë e të gjithëve dhe t’i lidhja me fijen e kuqe, u kërkova njerëzve të më tregonin për lindjen, familjen, kombin, vendin, fenë, dashurinë, natyrën dhe vdekjen e tyre”, ka thënë Shiota për KOHËN

Hamami i Madh i Prishtinës tashmë është pushtuar nga “Tell me Your Story”, ndërhyrja artistike e artistes japoneze Chiharu Shiota. Në monumentin pesëshekullor të mijëra historive e rrëfenjave ajo mbivendos tregime personale kohësh të sotme, shkruar në letra që mbahen pezull nga fijet e kuqe. Ajo tenton “të zgjidhë” konfliktet në kohën kur probabiliteti për t’u keqkuptuar është në rritje, sikurse edhe kanalet e komunikimit.

“Ne kurrë nuk mund t'i kuptojmë me të vërtetë ndjenjat e tjetrit, sepse nuk mund të shohim në mendjen e tjetrit. Për këtë punë doja të mblidhja historitë e të gjithëve dhe t’i lidhja me perin e kuq”, ka thënë artistja japoneze për KOHËN. Instalacioni i saj është realizuar për “Manifesta 14”. Përputhet me konceptin e kësaj bienaleje nomade evropiane në synimin për ringjalljen e hapësirave të braktisura. Monumenti i shekullit XV ka kohë që është braktisur përderisa tentativat e restaurimit që nisën 15 vjet më parë janë shembull i dështimit. Hamami i Madh i Prishtinës është përçudnuar me beton ani pse në emër të restaurimit të tij janë shpenzuar gati një milion euro. “Tell me Your Story” e ringjall qoftë përkohësisht, me 100 ditët e “Manifesta 14”.

Qindra penj të zgjatur nga pjesa e tavanit i ndan shumë pak për të prekur rrafshin prej rëre në Hamam. Numër edhe më i madh i letrave të bardha të shkruara janë vendosur në forma të ndryshme të lidhura ku penjtë e kuq i përshkojnë ato si rrjetë venash. Secila është një histori personale e njerëzve në Kosovë. Historitë për lindjen, dashurinë, vdekjen e më shumë, sikur ringjallen në fijet që janë simbol i gjakut, trupit dhe marrëdhëniet mes njerëzve. Pos që janë një nga elementet kyç të ndërhyrjes artistike të Chiharu Shiotas, janë edhe simbol i jetës së Hamamit të Madh, dikur jo vetëm objekt për pastrim e relaksim, por edhe vendtakim për kuvendime. Ka rihapur dyert qysh në ditën e parë të “Manifesta 14” më 22 korrik, duke u bërë njëri prej lokacioneve kryesore të kësaj ngjarjeje.

Image
“Unë dua t’i lidh njerëzit me fillin e kuq. Të gjithë jemi të ndryshëm dhe kemi histori të ndryshme, por ne ndajmë lidhjen në të qenit njerëzor”, ka thënë Chiharu Shiota

“Lidhja është pjesë e ekzistencës sonë”

Për artisten, objekti kishte nënkuptuar lidhjen me gjithë mungesën e njerëzve.

“Lidhja është pjesë e ekzistencës sonë”, kishte thënë ajo për Hamamin e Madh. Objektit i ka ofruar qindra histori e biseda, si për të mbuluar mungesën e më shumë se gjashtë dekadave, prejse Hamami nuk është më në funksionin e tij parësor. Drita që hyn brenda nga dy pjesët e murit dhe nga kupola lart vendosin aty-këtu më në pah një pjesë që vjen si lojë natyrore për hijëzimet e nuancat e bardhësisë së çdo rrëfimi. Përjetimi nga afër i instalacionit ofron perspektivën e historive ku shumë prej tyre janë të paarritshme. Është si pasqyrim i atyre që shpesh lënë në mëdyshje për të vërtetën a gënjeshtrën, çështjet primare e kornizat e thyera të privatësisë.

Për KOHËN ajo ka thënë se të gjitha historitë të cilat ua kishte kërkuar njerëzve për t’i ndarë me të e më pas me publikun kanë prejardhje shumë të ndryshme. Sipas saj, është shumë e lehtë të keqkuptohen qëllimet e njëri-tjetrit, nëse ata vijnë nga kultura ose vlera të ndryshme.

“Po pyesja veten pse nuk e kuptojmë njëri-tjetrin, pse nuk mund të komunikojmë saktësisht atë që ndiejmë. Shoqëria jonë zhvillohet shpejt, por trupi ynë nuk ndryshon. Ne kurrë nuk mund t’i kuptojmë me të vërtetë ndjenjat e tjetrit, sepse nuk mund të shohim në mendjen e tjetrit. Për këtë vepër doja të mblidhja historitë e të gjithëve dhe t’i lidhja me fijen e kuqe, u kërkova njerëzve të më tregonin për lindjen, familjen, kombin, vendin, fenë, dashurinë, natyrën dhe vdekjen e tyre”, ka thënë Shiota në një përgjigje me shkrim nga distanca.

Artistja Chiharu Shiota u lind në Japoni, por jeton dhe punon në Berlin. Instalacionet e saj të veçanta nuk dallojnë shumë nga njëri-tjetri, sikurse as nga ai që i jep hijeshinë Hamamit të Madh. Siç shkruhet në biografinë e saj, ajo frymëzohet nga shqetësimet themelore të njerëzve si jeta, vdekja dhe marrëdhëniet midis tyre. Synim i saj është krijimi i ekzistencës që mungon në objekte të ndryshme. Një gjë të tillë ajo e bën edhe përmes ekspozitave me vizatime, skulptura, fotografi e video.

Në vitin 2015 ajo ishte zgjedhur për të përfaqësuar Japoninë në edicionin e 56-të të Bienales Ndërkombëtare në Venecie. Mbresëlënëse qe vepra e saj atje, “The Key in the Hand”, e cila mori vëmendjen në ngjarjen e madhe. Edhe aty ajo përdor penjtë e kuq me të cilët lidh çelësat. Në dukje ka ngjashmëri me veprën e saj në Kosovë. Në Japoni e Gjermani shpesh ka shpalosur punën e saj artistike ndërsa emri i saj ka figuruar edhe në muzetë e galeritë ndërkombëtare. Arti i saj është prezantuar në Festivalin Ndërkombëtar të Artit “Oku-Noto”, në Bienalen e Sydneyt, në trienalen e artit “Echigo-Tsumari” dhe trienalen “Yokohama”.

Image
“The Key in the Hand”, Chiharu Shiota në Pavijonin e Japonisë në edicionin e 56-të të Bienales Ndërkombëtare të Artit në Venecie, më 2015 (Foto: AP)

Në “Tell me Your Story” gërshetimi i ngjyrës së kuqe dhe të bardhë janë kombinim goxha i bukur. Një pjesë e letrave e shiritave të zgjatur përshkojnë shkallët rrethore të vendosura mu në mes të hapësirës së Hamamit, si vorbull grumbulluese e historive që zbresin e bëhen një. Për artisten japoneze sa ka qenë i vështirë instalimi i saj, ka qenë edhe i veçantë. “Puna është e vështirë fizikisht, hapësira ishte e braktisur prej vitesh, ishte e vështirë të punohej në tavan, por është edhe shumë e veçantë të punosh në një hapësirë ​​të tillë. Mund të ndieni të kaluarën dhe një prani njerëzish dhe energjie, fijet e mia e lidhin këtë hapësirë ​​me të kaluarën dhe të tashmen”, është shprehur ajo.

Filli i kuq dhe e përbashkëta e njerëzve

Vetë artistja ka folur edhe për simbolikën e ngjyrës së kuqe në ndërhyrjen e saj artistike dhe qëllimin e saj.

“Ngjyra e fillit ka kuptim për mua. E kuqja është si gjaku dhe për këtë arsye si marrëdhëniet njerëzore. Unë dua t’i lidh njerëzit me fillin e kuq. Të gjithë jemi të ndryshëm dhe kemi histori të ndryshme, por ne ndajmë lidhjen në të qenit njerëzor. Unë besoj se të gjithë njerëzit janë të lidhur në njëfarë mënyre”, ka treguar Shiota, e cila ka zbuluar edhe filozofinë e mesazhit prapa ndërhyrjes artistike që në fokus ka historitë e njerëzve.

“Disa nga këto tema do t’i ndajmë me njerëzit, por ato janë gjithashtu universale dhe ne mund të lidhemi. Të gjithë kanë historinë e tyre dhe unë dua të lidh ekzistencën e njerëzve”, ka shtuar ajo.

Punime të tilla arti së fundmi artistja japoneze ka instaluar në Seul, të cilin e ka quajtur “In Memory”, “The Soul Trembles” e “Across the River” në Australi e shumë të tjera. “Tell me Your Story” do të jetë e hapur për publikun deri më 30 tetor, kur edhe do të përfundojë misioni 100-ditësh i bienales “Manifesta 14”.