Shtojca për Kulturë

“U artësofshi!” nëpër trashëgiminë e botës së artit të Bekim Lumit

Shfaqjet si gjurmë të pashlyeshme në artin shqiptar, janë vetëm njëra pjesë e trashëgimisë së Bekim Lumit. Fotografitë e rekuizitat janë dëshmi shtesë e botës së tij, e të cilat shpalosen me pedanteri në ekspozitën “U artësofshi!”, kuruar prej Mentor Berishës

Bota e madhe e Bekim Lumit, në katërvjetorin e vdekjes së tij është shpalosur me ekspozitën “U artësofshi!”, një fjalë e krijuar prej tij, por që sot zbërthen gjurmët dhe misionin e tij në art: lartësim, emancipim, iluminim dhe fisnikërim nëpërmjet artit. Familjarë, miq e kolegë, e kanë kujtuar Lumin si unik në teatër e në jetë. Mbi të gjitha, Lumi vazhdon të mbetet maestroja i artësimit të artit shqiptar

Në gjashtë muajt e fundit të jetës, Bekim Lumi do të luftonte me vdekjen, por do t’i përkushtohej teatrit edhe më fort. Provat ishin betejë me sëmundjen, shërim për dhimbjet e tij. Përgatitej për prova dhe merrte rrugë për në vendin ku gjente terapinë më të mirë, deri në momentin më kritik.

Ishte shtruar në spital pikërisht në ditën e premierës së shfaqjes “Arturo Ui”, më 14 qershor 2018. Për shfaqjen, si trashëgiminë e fundit që e la, kishte punuar deri në frymën e fundit. Nuk ishte dorëzuar as në provë gjenerale, atëherë kur kishte konsideruar se tash shfaqja është vetëm e aktorëve.