Shtojca për Kulturë

Ukraina ndalon muzikën dhe librat rusë

Në Ukrainë tani është e paligjshme të luash muzikë ruse në publik ose të importohet një numër i madh i librave nga Rusia dhe Bjellorusia. Ndalimi i ri i miratuar nga parlamenti në Kiev përfshin “produkte nga artistë ose autorë që janë ose kanë qenë qytetarë të shtetit agresor”. Artistët që përfshihen në këtë listë gjithashtu e kanë të ndaluar të performojnë në Ukrainë.

Prezantuesi i televizionit ukrainas dhe producenti i filmave, Ihor Kondratyuk, ka mbledhur më shumë se 25 mijë nënshkrime për një peticion nëpërmjet të cilit kërkohej ndalimi i koncerteve me artistë rusë në Ukrainë edhe para nisjes së pushtimit nga Rusia më 24 shkurt. Për të, ligji i ri duket si një hap tjetër logjik për mbrojtjen e vendit.

“Është po aq pjesë e mbrojtjes së Ukrainës sa ajo që po bëjnë luftëtarët tanë në luftën kundër agresorit. Artistët rusë nuk duhet të mirëpriten në Ukrainë derisa marrëdhëniet me Rusinë të bëhen sërish miqësore”, ka thënë ai. Prezantuesi shtoi se ushtria ruse i ka përdorur artistët e saj si një lloj pararoje që nga viti 2014, kur aneksoi Krimenë dhe nisi pushtimin në rajonin e Donbasit.

Kondratyuk ka thënë se “YouTube” dhe platformat e tjera të transmetimit kanë zgjuar interes të madh për përmbajtjen në gjuhën ukrainase. Autorët e masave të reja theksojnë popullaritetin në rritje si një nga motivet e tyre për të shkruar ligjin, por nxitojnë të shtojnë se në legjislacion janë bërë përjashtime. Ata kanë thënë se për shembull, ka përjashtime për muzikantët rusë që dënojnë agresionin e Moskës ndaj Ukrainës. Se cilët artistë përjashtohen do të përcaktohet nga Kievi.

Është miratuar edhe një ligj tjetër. Parlamenti i Ukrainës ka përcaktuar se është i paligjshëm importi dhe shitja e librave nga botuesit në Rusi apo Bjellorusi, si dhe në ato pjesë të Ukrainës që janë të pushtuara.

Ndalimi nuk u përket vetëm veprave të shkruara në ndonjë nga këto vende, por aplikohet edhe për veprat e autorëve që janë shtetas rusë. Librat e botuar para pushtimit janë përjashtuar nga ndalimi.

Sidoqoftë, literatura në gjuhën ruse e botuar në vende të tjera mund të importohet për aq kohë sa është e miratuar. Sipas ligjit, një këshill i ri letrar i ekspertëve fillimisht do të heqë veprat që i kontribuojnë kontrabandës kundër Ukrainës.

Për më tepër, në Ukrainë nuk mund të shtypen librat e autorëve që kanë ose kanë pasur pasaporta ruse. “Ky, gjithashtu, është një reagim i natyrshëm i shoqërisë ndaj luftës. As rusëve ‘të mirë’ dhe as ‘të këqij’ nuk do t'u jepet qasje në tregun e librit në Ukrainë”, ka thënë Oleksandr Krasovytsky, pronar dhe drejtor i “Folio Publishers”, i cili ka ndihmuar në hartimin e ligjit. Megjithatë, ndalimi i botimit nuk do të zbatohet për librat në gjuhën ruse që do të botohen në Ukrainë përpara datës 1 janar të vitit 2023.

Ky ndalim është i fokusuar, mbi të gjitha, tek autorët me pasaporta ruse, ka treguar Krasovytsky. Botuesi thotë se këshilli i ekspertëve të Ukrainës do të rishikojë çdo rast veç e veç. Sipas ligjit, veprat e Aleksandër Pushkinit ose Leo Tolstoit, për shembull, nuk mund të importohen më në Ukrainë nëse shtypen në Rusi, por nëse shtypen në vende të tjera munden.

Kjo do të thotë se gjërat do të ndërlikohen për disa autorë në të ardhmen – sikurse është Boris Akunin, i cili nuk jeton më në Rusi, por ka ende një pasaportë ruse. Veprat e tij nuk mund të importohen më. Por ky rregull vlen vetëm për veprat e tij të shtypura në Rusi, ato të shtypura diku tjetër dhe të gjetura nga këshilli i ekspertëve si pa propagandë antiukrainase mund të importohen ende.

Ekzistojnë gjithashtu përjashtime nga importi për individët privatë. Ata që mbajnë më pak se 10 kopje të një vepre që nuk është në listën e librave të ndaluar të këshillit të ekspertëve dhe nuk kanë ndërmend t'i shesin, janë të lirë t'i sjellin në vend.

Reagimi i Moskës ndaj ligjit ishte i parashikueshëm – sipas Kremlinit, përdorimi i gjuhës ukrainase në jetën e përditshme është shkelje e të drejtave të ukrainasve që flasin gjuhën ruse.

Hapi tjetër mund të jetë ndalimi i letërsisë klasike ruse në shkollat ukrainase. Një grup pune i Ministrisë së Arsimit ka këshilluar tashmë që rreth 40 autorë dhe poetë rusë ose sovjetikë - mes tyre Leo Tolstoy, Alexander Pushkin, Fyodor Dostoyevsky dhe Michail Bulgakov - të hiqen nga programet shkollore. Autoritetet ende nuk kanë dhënë një vendim përfundimtar për këtë çështje.

Autori Rostyslav Semkiv mbështet tërësisht ndalimin e literaturës mbresëlënëse ruse nga planet e mësimit. “Për momentin, vërtet nuk e kuptoj se si mund t'i emocionojmë nxënësit për bukurinë e poezisë ruse. Klasat janë plot me fëmijë, shtëpitë e të cilëve janë shkatërruar, të cilët janë detyruar të ikin, u janë qëlluar ose edhe kanë humbur të afërmit”, ka thënë Semkiv në një televizion ukrainas. Si ilustrim, letërsia gjermane nuk u kthye në shkollat sovjetike deri në vitin 1960, 15 vjet pas fitores mbi nazizmin. “Faust” i Gëtes ishte i pari që është rikthyer.

Andriy Hirnyk, profesor i psikologjisë dhe pedagogjisë në Akademinë e Universitetit Kombëtar të Kyivit “Mohyla”, ka thënë se letërsia dhe kultura ruse kishin prani të madhe në Ukrainë para pushtimit. Tani ka treguar se kjo rëndësi e madhe thjeshtë do të zhvendoset në letërsisë angleze, gjermane, franceze, kineze dhe ukrainase

(Marrë nga DW)

Përktheu: Besartë Elshani