Shtojca për Kulturë

Enver Hoxha e Tito, kundër armiqve të përbashkët

Gjatë vitit 1974 nënvizon dokumenti “Marrëdhëniet mes RSF të Jugosllavisë dhe RP të Shqipërisë, pozita e KSA të Kosovës dhe detyrat e saj” i Ukshin Hotit, Shqipëria kishte vendosur disa elemente thelbësore në raport me RSFJ-në, të cilat krijojnë mundësi më të mëdha për zgjerimin e bashkëpunimit. Në këtë kontekst, përmendet fjalimi i Hoxhës i datës 4 tetor 1974 për herë të parë pas vitit 1948, në kontest të sulmit në imperializmin amerikan dhe “socialimperializmit” sovjetik, lideri komunist shqiptar kishte folur pozitivisht për kryetarin jugosllav, Tito. Duke treguar dëshirën për zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, elitat politike e kishin të qartë nevojën e mirëkuptimit midis popujve fqinjë, si në të kaluarën, dhe gatishmërinë e tyre për qëndrim të përbashkët dhe ardhmëri, ashtu si dhe gatishmërinë për luftë kundër armiqve të përbashkët

Dokumenti i titulluar “Marrëdhëniet mes RSF të Jugosllavisë dhe RP të Shqipërisë, pozita e KSA të Kosovës dhe detyrat e saj” fillon me një pasqyrë të marrëdhënieve Shqipëri-Jugosllavi që nga viti 1968, vit kur Bashkimi Sovjetik kishte bërë agresion mbi Çekosllovakinë, ngjarje e cila përbënte një lloj kërcënimi, si për Shqipërinë, ashtu edhe për Jugosllavinë.

Në këtë dokument, Ukshin Hoti nënvizon se orientimi drejt forcimit të bashkëpunimit është shpërfaqur në Kongresin X të PKJ-së dhe mandej edhe ana tjetër, me rastin e një fjalimi të Enver Hoxhës, kryetarit të Partisë së Punës së Shqipërisë, mbajtur me rastin e një takimi me zgjedhësit e tij, si dhe në fjalimin e Mehmet Shehut në tetor të vitit 1974 para Kuvendit të Shqipërisë, me rastin e formimit të qeverisë së re.

“Në rast se Bashkimi Sovjetik e sulmon Jugosllavinë, Shqipëria do të jetë me ju...”

Gjatë vitit 1974 nënvizon dokumenti, Shqipëria kishte vendosur disa elemente thelbësore në raport me RSFJ-në, të cilat krijojnë mundësi më të mëdha për zgjerimin e bashkëpunimit. Në këtë kontekst përmendet fjalimi i Hoxhës i datës 4 tetor 1974 për herë të parë pas vitit 1948, në kontest të sulmit në imperializmin amerikan dhe “socialimperializmit” sovjetik, lideri komunist shqiptar kishte folur pozitivisht për kryetarin jugosllav, Tito. Duke treguar dëshirën për zhvillimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, elitat politike e kishin të qartë nevojën e mirëkuptimit midis popujve fqinjë, si në të kaluarën, dhe gatishmërinë e tyre për qëndrim të përbashkët dhe ardhmëri, ashtu si dhe gatishmërinë për luftë kundër armiqve të përbashkët. Duhet nënvizuar se jo vetëm në këtë fazë pas ngjarjeve në Çekosllovaki, ndërhyrjes së Bashkimit Sovjetik në “Pranverën e Pragës” më 1968, por edhe pas vitit të invazionit sovjetik në Afganistan më 1979, të dy vendet kishin frikë nga mundësia e ndërhyrjes ushtarake sovjetike kundër Jugosllavisë dhe Shqipërisë. Madje, pala shqiptare kishte nënvizuar gatishmërinë e Shqipërisë që nga territori i saj të mos lejojë sulme ndaj Jugosllavisë. Madje përmes kanaleve diplomatike, udhëheqja shqiptare e Tiranës ia kishte bërë të njohur udhëheqjes jugosllave gatishmërinë se në rast se Bashkimi Sovjetik e sulmon Jugosllavinë, “Shqipëria do të jetë me ju...”. Në anën tjetër, edhe pala jugosllave ia kishte bërë të njohur faktin se ajo nuk kishte lejuar që Bashkimi Sovjetik në vitin 1969 të pushtonte Shqipërinë përmes territorit të Jugosllavisë.

Titoja në raport me Shqipërinë dhe “ndihma e shokëve nga Kosova”

Pra, pavarësisht dallimeve ideologjike, të dy vendet përpiqeshin të zhvillonin kontaktet dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore, të cilat konsideroheshin jo vetëm me interesa afatgjate për dy shtetet fqinje, por edhe për stabilitetin e rajonit të Ballkanit. Mund të thuhet se Tito në mënyrë konsekuente e mbështeti këtë qëndrim në marrëdhëniet e Shqipërinë deri në vitin 1980, pasi ai konsideronte se jugosllavët nuk i njihnin mirë rrethanat në Shqipëri dhe për këtë arsye konsiderohej e nevojshme “ndihma e shokëve nga Kosova”.

Më tej, në këtë dokument flitet po ashtu edhe për marrëdhëniet miqësore të Shqipërisë sidomos me shtetet socialiste, duke veçuar marrëdhëniet me RD të Koresë, të dy Vietnamet dhe sidomos marrëdhëniet me RP të Kinës, si vend me të cilin Tirana mbante “lidhje miqësore të ndihmës internacionaliste”. Në këtë kontekst, janë nënvizuar principet mbi të cilat mbështet ky bashkëpunim edhe marrëdhëniet me Jugosllavinë, me të cilën tashmë Tirana zyrtare mbante “raporte normale të bashkëpunimit ndërkombëtar”, në baza të dobisë reciproke dhe të mospërzierjes në punë të brendshme.

Gjithashtu, sipas këtij raporti, elita politike në Tiranë kishte shpërfaqur gatishmërinë që raportet të zgjerohen, në çështje që janë të interesit të përbashkët. Ajo që ishte më e rëndësishme në këto fjalime të udhëheqjes komuniste në Tiranë është fakti se “Jugosllavia nuk apostrofohej më si shtet kapitalist-revizionist që rrethon Shqipërinë”. Në të njëjtë kohë edhe udhëheqja jugosllave provonte të dërgonte sinjale pozitive në drejtim të udhëheqjes komuniste në Tiranë. Në këtë linjë, politikani serb Milan Miniq në fjalimin e tij në Kuvendin Federativ në Beograd i kishte vlerësuar pozitive raportet më RP të Shqipërisë, duke shprehur interesimin dhe gatishmërinë e palës jugosllave për thellimin e bashkëpunimit me Shqipërinë. Dhe për këtë qëllim gazeta e njohur shqiptare “Zëri i popullit” e kishte botuar në tërësi këtë pjesë të fjalimit të M. Miniqit, përveç fjalisë që kishte të bëjë me atë se “ne ishim të interesuar edhe më parë për zgjerimin e bashkëpunimit të vendeve tona dhe atë se ne mbajmë shpresë që të nënshkruajmë Programin për Bashkëpunim Kulturor me Shqipërinë”.

Ndikimi i krizës energjetike, trysnia te prodhuesit e naftës

Në këtë dokumente, të hartuar nga Ukshin Hoti, janë nënvizuar disa elemente të cilat orientojnë raportet midis RPSH-së dhe RSFJ-së në planin global, si dhe evidentojnë rrethanat dhe interesat e përbashkëta në kontekstin historik të periudhës së Luftës së Ftohtë. Në rend të parë, në këtë rajon të Ballkanit influenconte edhe kriza energjetike që kishte kapluar botën në këtë periudhë, duke vendosur një varg elementesh të reja në raportet e përgjithshme ndërkombëtare. Kjo situatë ndërkombëtare ushtronte trysni te prodhuesit e naftës që të mos i rrisin çmimet. Ato shpesh kërcënojnë edhe me përdorimin e forcës, por më shumë indirekt shkaktonin kriza, si ajo në Qipro, ose mbanin një gjendje as lufte e as paqeje, si bie fjala në Lindjen e Afërt dhe së fundi edhe në Ballkan, si dhe që kishin ndikimin në uljen e çmimit të naftës te prodhuesit arabë të naftës. E gjithë kjo, dihet, ndodh në afërsi të kufijve të Shqipërisë dhe të Jugosllavisë. Në këtë kuptim shqiptarët e kishin kuptuar se pavarësia e Jugosllavisë është faktor sigurie për Shqipërinë, ashtu edhe pavarësia e Shqipërisë përbënte faktor sigurie edhe për pavarësinë e Jugosllavisë. Pra, me të gjitha dallimet, të dyja qendrat rajonale, Tirana dhe Beogradi, ishin të lumtura që në dy vendet respektive nuk kishte trupa ushtarake të aleancave ndërkombëtare ushtarake, të Paktit të Varshavës apo të NATO-s. Karakteristikë e përbashkët e kësaj është se ekziston atmosferë për përmirësimin dhe zgjerimin e këtij bashkëpunimi dhe mundësojnë shanse pozitive për ndërlidhje më të mëdha të Kosovës në këto raporte.

Shkëmbimi i mallrave në marrëdhëniet jugosllave-shqiptare

Sipas dokumentit në fjalë, përvoja e deritashme tregon se shkëmbimi i mallrave, si formë kryesore e bashkëpunimit ekonomik, ishte elementi i vetëm konstant në marrëdhëniet jugosllave-shqiptare. Kjo përvojë ilustrohet me faktin se pas vitit 1969, bashkëpunimi ekonomik erdhi duke u rritur vazhdimisht. Shqipëria u lidh me RS të Malit të Zi me elektrosistem. Hoti nënvizon atë vit u nënshkrua protokolli për shkëmbimin e mallrave që kishte vlerë parallogaritëse rreth 50 milionë dollarë amerikanë, që është arritje e madhe edhe për shtetin jugosllav, e lëre më për Shqipërinë, që ishte shtet shumëfish më i vogël në rrafshin territorial dhe demografik. Më tej mësojmë se të dy vendet kishin shfaqur dëshirën që të bëhej lidhja hekurudhore e Shqipërisë me Jugosllavinë përmes Maqedonisë dhe Malit të Zi, por jo edhe me Kosovën. Veç kësaj, Shqipëria kishte kërkuar që të dërgonte tre ekspertë të saj për të shkëmbyer përvojë me palën jugosllave me shpresën që ky të jetë një formësim i bashkëpunimit teknik dhe se në të ardhmen do të dilnin në dritë edhe shumë mundësi të bashkëpunimit teknik. Në planin e shkëmbimit të mallrave, pala shqiptare kishte arritur limitin e saj me palën jugosllave, pasi që ekonomia shqiptare kishte kapacitete të kufizuara në shkëmbimin e mallrave. “Nëse përjashtohet RP e Kinës, RSFJ-ja gjendet në vendin II ose III në raportet e tregtisë së jashtme të RP të Shqipërisë”, konstatohej në dokumentin e hartuar nga politologu Hoti, duke shtuar se në planin e zhvillimit ekonomik, Shqipëria ka shënuar rezultate të dukshme. Ajo tashti është vend agrar-industrial dhe që qëllimi i saj është të bëhet vend industrial-agrare, duke u mbështetur kryesisht në forcat e brendshme dhe sidomos në ndihmën e RP të Kinës.

Në vazhdim Ukshin Hoti nënvizon se megjithëse Shqipëria kishte shënuar disa suksese në fushën e industrisë dhe kishte ndërtuar objekte të reja me rëndësi për ekonominë shqiptare, siç ishte edhe (Hidrocentrali i Fierzës), ekonomia shqiptare, nevojat e popullsisë me artikuj ushqimorë, respektivisht në këtë dokument thuhej se plotësoheshin deri në 83 për qind të nevojave të popullatës shqiptare. Në këtë kontekst, Hoti ngre pyetje se mënyra e zhvillimit të mëtejshëm të Shqipërisë do të vinte herët a vonë në rend të ditës çështjen e hapjes së saj më të madhe me botën e jashtme; marrja e kredive të huaja e të ngjashme. “Akumulimi i saj në sasi prej 9.5 për qind të zhvillimit industrial, gjithnjë e më shumë shoqërohet me kërkesa të reja nga qytetarët shqiptarë. Thënë shkurt, pa marrë parasysh orientimin e tashëm të fortë që ka udhëheqësia për të vazhduar kësaj rruge dhe mënyre, del në dukje dilema e padurimit dhe e pakënaqësisë, e cila shtron vetvetiu pyetjen ‘çka më tutje?’, konstaton më tej Hoti. Megjithatë, ai e lë të hapur dhe ka dilemën nëse Shqipëria do të ketë mundësi ta tejkalojë edhe këtë fazë të dytë të zhvillimit industrial me ndihmën e RP të Kinës dhe në këtë mënyrë ta realizojë gjendjen e kalimit në fazë të lartë të zhvillimit ekonomik. Dhe, siç dihet, për shkak të orientimit ideologjik e dogmatik stalinist, vetëm pak vite më vonë Shqipëria do të shkëputë marrëdhëniet edhe me Kinën e largët dhe me këtë hap ajo përfundimisht do të zhytet në vetizolim total dhe prapambetje të madhe ekonomike. Prandaj, ky forcim i marrëdhënieve në planin ekonomik, krijimi i një baze të caktuar të stabilitetit vetanak, paraqiste një nga motivet jo vetëm të hapjes më të madhe të Tiranës ndaj Beogradit, por edhe të hapjes në përgjithësi në gjysmën e dytë të viteve 80-a.