Shtojca për Kulturë

Romani grafik – mjet për ndryshime politike dhe ruajtje të identitetit

Descriptive Text

Pesha e romaneve grafike nuk matet vetëm me mjeshtërinë e imazheve, dhënien jetë të personazheve e fuqisë së rrëfimit, por që në zanafillë, arti i nëntë ka në esencë edhe ndikimin në shoqëri. Se është mjet politik, ka fort dëshmi, e kjo anë e romanit grafik është kundruar edhe në edicionin e sivjetmë të “GRANFestit”, që për temë kryesore ka pasur “Identitetet e përziera”. Shembuj konkretë janë dhënë në debatin “Romani grafik si mjet politik” për ta prekur edhe temën “Mes integrimit dhe rrënjëve”. Konferenca “Diaspora hebraike në romanet grafike” ka shpalosur prejardhjen e superheronjve më të njohur dhe ka zbardhur paragjykimet në disa vepra

Se arti është mjet i cili mund të shfrytëzohet për të mbajtur lidhjen me atdheun si dhe për ta afirmuar kulturën e vendit të origjinës, e dëshmojnë edhe dy shkrimtaret e romanit grafik, Duchy Man Valderá dhe Li-chin Lin.

Duchy Man Valderá, e lindur në Havanë prej vitit 2012 jeton në Belgjikë ku edhe ka krijuar jetën e saj artistike. Si emigrante dhe artiste me origjinë kubane ajo ka vendosur që nëpërmjet romaneve grafike, të paraqesë një pjesë të kulturës së saj e cila lidhet me muzikën, vallëzimin, kujtimet e fëmijërisë gjatë kohës kur ka jetuar në Kubë.

Valderá, e cila po ashtu ka një prejardhje të përzier afrikano-kineze, ka qenë shembulli ideal për të folur në “GRANFest”, që sivjet në edicionin e tretë, ka ardhur me temën “Identitetet e përziera”. Ajo ka qenë njëra prej folëseve në debatin “Romani grafik si mjet politik”, të shtunën në ditën e dytë të Festivalit ndërkombëtar të romanit grafik.

Duchy Man Valderá: Lidhja me atdheun është shumë organike

Duchy Man Valderá ka thënë se me vendin e saj në radhë të parë e lidh dashuria dhe njerëzit e atij vendi. Për largimin e saj nga atdheu ka fajësuar politikat e vendit të cilat e kanë sjellë vendin e saj, Kubën, në një gjendje çfarë është sot.

“’Amorio’ në gjuhën spanjolle do të thotë se e adhuroj vendin tim. Nuk është vetëm toka, por janë njerëzit të cilët na mungojnë më shumë. Jam shumë e zemëruar me qeverinë, me skemat, me rrugën që ajo ka marrë”, ka thënë Valderá

Gjatë gjithë jetës, ajo ishte edukuar me idenë e “njeriut të ri” atë super-njeriun e socializmit. Më vonë, pas rënies së Murit të Berlinit, Valderá ka thënë se kubanët kishin një pyetje: “Kush jam unë?”

Para publikut, autorja e librit i cili u përkthye në shqip dhe u botua këtë vit nga “GRANFest”, “Trëndafili i Havanës”, ka kujtuar se sa e vështirë ishte ta konstruktonte jetën nga fillimi, pas ardhjes në Belgjikë.

“Unë dhe gjatë adoleshencës isha e humbur, sepse vendi ka qenë në krizë të madhe ekonomike të madhe. Jam edukuar si e pafe dhe pastaj me thanë që ka fe të ndryshme. Më është dashur ta konstruktoj pastaj të gjithën”, u shpreh ajo.

Romani i Valderás, “Trëndafili i Havanës”, i cili është botuar në gjuhën spanjolle dhe franceze e tani edhe në shqip, tregon historinë e një djaloshi i cili vendos të vijë nga Santiagoja për ta provuar fatin në spektaklet e kafeneve kubane. Përmes tij autorja jep shumë detaje dhe veçori të jetës kubane si vallëzimi, jeta ritmiko-dramatike etj.

“Është nostalgjia e emigrantit në një mënyrë që nuk mundem ta kaloj dhe edhe kur kthehem atje, unë them se nuk jam e Kubës”, ka thënë ajo.

Të quajtur Hebrenjtë e Karaibeve, Valderá ka treguar se si komuniteti kuban në Belgjikë është aktiv në shoqëri dhe ka arritur edhe të bëjë ndryshime në vendin ku tashmë jetojnë. Atdheu sipas saj, ndonëse mund të jetë larg fizikisht, prapë se prapë do të vazhdojë të jetë pjesë e secilit prej tyre.

“Lidhja me atdheun është shumë organike. Njerëzit e Kubës jetojnë shumë në diasporë. Na quajnë si hebrenjtë e Karaibeve. Thonë që ne e lëshojmë Kubën, por ajo nuk na largohet kurrë nga zemra. Ajo është si një plagë, sepse e kemi një vend këtu, një atje. Unë banoj ne Bruksel dhe kemi një komunitet të vogël me të cilin kemi arritur t`i ndërrojmë disa emra rrugësh si për shembull ‘lagja kubane’”, ka thënë ajo

Meqenëse debati i paralajmëruar nga “GRANFesti”, “Mes integrimit dhe rrënjëve”, nuk arriti të realizohej si pasojë e mungesës së autorëve të paralajmëruar, Duchy Man Valderá ka folur edhe për këtë temë.

Sipas saj, emigrantët janë “vrima e zezë” sepse janë larguar nga atdheu dhe janë shkëputur prej rrënjëve ndërkohë, në vendin ku janë vendosur, janë pjesë e një komuniteti pakicë.

“Humbja e rrënjëve është diçka që na takon neve. Identiteti i vërtetë nuk është ai vend prej nga vijmë. Ne jemi si një kometë. Duhet të lidhemi me diçka. Në rastin tim, lindja e vajzës në Belgjikë. Dhe kjo është ajo vrima e zezë. Nuk do të jemi kurrë të atij vendi ku kemi qenë dhe nuk ekziston shpresa e kthimit”, ka thënë ajo.

Image
“Te Supermeni janë të pranishme disa elemente me origjinë hebraike. Prindërit e Supermenit kanë emrat hebrenj. Pastaj gjuha e cila përdoret te Supermeni, gjuha kryptonese, i ngjason hebraishtes”, ka thënë Didier Pasamonik në prezantimin “Diaspora hebraike në romanet grafike”, të shtunën në “GRANFest”

Li-chin Lin: Kur largohemi nga vendi i origjinës, i kemi lënë rrënjët

E pranishme në panel për të diskutuar rreth temës “Novela grafike si mjet politik” ka qenë edhe autorja me prejardhje nga Tajvani, Li-chin Lin.

Li-chin, e cila është shpërngulur nga Tajvani në Francë, romanin grafik e shkruan me një përzierje të mangas japoneze dhe romanit grafik evropian.

Duke qenë se vjen nga një vend i vogël, një ishull aziatik i cili vazhdon të kontrollohet nga Kina, Lin ka thënë se prejardhja nga një vend i tillë e preokupon gjatë tërë kohës, prandaj vepra e saj është e angazhuar dhe lidhet pazgjidhshmërisht me vendit prej nga vjen.

“Doja të tregoja se si vendosëm ta bënim artin të ketë rol angazhues për vendin nga vjen. Kur je në një vend të vogël ku ka me mijëra raketa kineze drejtuar kah vendi yt nuk ka se si të jetë ndryshe. Domosdoshmërisht, do të jetë diçka që të preokupon”, ka thënë Li-chin. Ka treguar se emri i saj kudo nëpër botë, si në Francë apo Spanjë vazhdon të shkruhet kinezisht e jo në atë që në Tajvan e quajnë gjuhë tajvaneze. Lidhur me temën e rrënjëve dhe të shkëputjes nga rrënjët, pas imigrimit, Lin ka thënë se këtë duhet parë si normale.

“Unë e shfrytëzoj imazhin e rrënjëve në veprat e mia, por besoj që për ne, qeniet njerëzore, rrënjët janë më shumë në zemër dhe tru sesa diku tjetër. Kur largohemi nga vendi i origjinës i kemi lënë rrënjët. Ata në Tajvan më thonë se ky për të cilin ti po flet është Tajvani që ke njohur para 20 vjetësh. Mendoj që çrrënjëzimi është diçka normale”, ka thënë Li-Chin Lin, e lindur në Tajvan në vitin 1973, prej nga u largua për të studiuar art në Francë në Ecole Supérieure de l'Image në Angoulême dhe më pas u regjistrua në shkollën Poudrière për animacion në Valencia. Pas realizimit të filmave të shkurtër të animuar, ajo iu rrek romaneve grafike në vitin 2002. Ka prodhuar dy libra për fëmijë dhe drejton rregullisht seminare për karikaturistët universitarë. “Formosa” është romani i saj i parë grafik.

Por krijuesit e romaneve grafike janë vetëm njëra anë e këtij arti. Sot, nëpër botë ka emra të shquar që merren me studimin e personazheve, historitë e tyre. Një emër i shquar në këtë fushë është Didier Pasamonik, i cili nëpërmjet disa prej superheronjve historikë të romaneve grafike, ka zbuluar anët e panjohura të tyre.

Diaspora hebraike që krijoi superheronjtë

Didier Pasamonik, i cili njihet si ekspert i romaneve grafike në gjuhën frënge, ka shpalosur në GRANfest studimin e tij rreth shkrimit të tyre nga diaspora e hebrenjve.

Ka thënë se shumica e superheronjve të fëmijërisë kanë autorë me prejardhje hebreje. Në të ai përfshin emra si Supermeni, Batmani, seritë e njohur Avangers, X Man, seritë Asterix, Captain Amerika e të tjerë.

Në historitë e të gjithë këtyre heronjve ka elemente të cilat dëshmojnë për ndikimin dhe praninë e kulturës si dhe natyrës hebreje. Pasamonik ka theksuar se “kur më 1941 dy imigrantët hebrenj Joseph Henry Simon dhe Jack Kirby krijuan ‘Captain Amerika’ në SHBA, në Evropë, ka ndodhur vrasja e miliona hebrenjve”.

Në studimin që ai i ka bërë Supermenit, Pasamonik ka gjetur elemente të shumta të cilat dëshmojnë për prejardhjen hebraike të krijuesit të këtij heroi, siç janë për shembull emrat me origjinë hebreje të dy prindërve të tij, e pastaj edhe gjuha e përafërt me hebraishten.

“Te Supermeni janë të pranishme disa elemente me origjinë hebraike. Prindërit e Supermenit kanë emrat hebrenj. Pastaj gjuha e cila përdoret te Supermeni, gjuha kryptonese, i ngjason hebraishtes”, ka thënë ai në konferencën “Diaspora hebraike në romanet grafike”, e mbajtur po të shtunën në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

Mirëpo, megjithatë, te Supermeni dallohen edhe elemente të tjera të cilat e largojnë atë nga kultura hebraike dhe e ofrojnë nga ajo amerikane. Si shembull të kësaj, studiuesi i romaneve grafike, ka marrë martesën së Supermenit. “Martesa e tij nuk bëhet në Sinagogë, siç rëndom ndodh te hebrenjtë, por në kishë”, ka thënë ai.

Mes tjerash, ai ka ofruar të dhëna edhe për atë se si seria e njohur d’Asterix “është shkruar nga René Goscinny, një emigrant hebre i cili ka emigruar nga Polonia në Francë dhe Albert Uderzo”.

Në fund Pasamonik ka folur flet edhe për veprat të cilat janë shkruar për hebrenjtë dhe të cilat shpesh kanë dhënë mesazhe negative. Ndër to ai ka përmendur “Le Suis Legion”, nëpërmjet së cilës autorët kanë krijuar një paqartësi te publiku.

“’Le Suis Legion’ është shkruar nga de Fabien Nury dhe John Cassaday. Këta janë dy persona të respektueshëm, por kjo vepër është një kronikë ku thuhet se nazistët nuk i kanë shfarosur hebrenjtë, por me gjak të vampirit i kanë shndërruar në vampirë që luftonin për kauzën naziste. E gjithë kjo ka krijuar konfuzion dhe nganjëherë duhet te kemi kujdes se çfarë shkruajmë” ka thënë ai.

Pasamonik i lindur më 1957 në Ostend të Belgjikës – ekspert i romaneve grafike botues, redaktor, gazetar dhe kurator, asistent redaktor dhe drejtor editorial i “ActuaBD.com” që nga viti 2003 – ka përmendur edhe romanin grafik, “Le Ministere de l’espace” (Ministria e hapësirës) në të cilin vazhdohet paragjykimi se hebrenjtë janë një popull me pasuri të madhe.

“Në ‘Le Ministere de l’espace’, shkruar nga de Warren Ellis dhe Chris Weston, paraqiten anglezët duke i sulmuar gjermanët, me ç’rast arrijnë deri në Berlin dhe marrin arin e hebrenjve, të vjedhur nga gjermanët. Arin, anglezët nuk ua kthejnë hebrenjve, por financojnë një projekt anglez për të shkelur në hënë. Klisheja se hebrenjtë janë të pasur është një klishe e cila ende vazhdon, por që duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, ka thënë Pasamonik.