Shtojca për Kulturë

“Lufta në Ukrainë…” gjen rolin e shkrimtarit si zë i paqes

Polip në Prishtinë

Në kuadër të festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip”, shkrimtarë e përkthyes nga Suedia, Danimarka e Austria diskutuan nën temën “Lufta në Ukrainë – Çfarë mund të bëjnë tani shkrimtarët dhe përkthyesit?”. Danezi Carsten Jensen solli rrëfime për luftën në Kroaci, masakrat dhe kryerësit e krimeve, që ngjajnë me ato të kryera në Kosovë

Paneli me kryetemë luftën, ka qenë ideal që gazetari danez, Carsten Jensen, ta risjellë rrëfimin e tij për luftën sa ishte reporter i asaj në Kroaci. E ka bërë këtë para publikut që pati të njëjtën fatkeqësi, me armikun e njëjtë. Por historia e Jansenit ka qenë vetëm një kapitull i panelit në temën “Lufta në Ukrainë – Çfarë mund të bëjnë tani shkrimtarët dhe përkthyesit?”, pasditen e së shtunës në ditën e dytë të festivalit ndërkombëtar të letërsisë “Polip”.

Për dy ditë radhazi, kryeqyteti i Kosovës ka mbledhur shkrimtarë dhe përkthyes nga vende të ndryshme të botës. Diskutimi i dytë ka mbledhur në teatrin “Oda” edhe shkrimtarët dhe përkthyesit, Daniel Gustafsson nga Suedia, Petra Nagenkogel nga Austria, gazetarin dhe përkthyesin kosovar, Edis Galushi.

Nën moderimin e kroates Tatjana Radmilo, po ashtu përkthyese, u diskutua për pandeminë, krizën me refugjatë dhe veçanërisht për luftën në Ukrainë, si tri çështjet më të mëdha globale të kohës.

Gazetarët kanë aftësinë të sjellin pamje të qarta të luftës, edhe pa përmbajtje audiovizive.

“Kam punuar si reporter për luftën në Kroaci, një luftë terroriste ndaj popullit civil, sikurse e shohim edhe ndaj ukrainasve sot”, ka thënë shkrimtari danez, Carsten Jensen. Gjatë fjalës së tij në panel, si njohës e pjesëmarrës “i paimponuar” në luftë, ka ndarë eksperiencat e tij para publikut që pati fatkeqësinë ta përjetojë dy dekada më parë.

“Mua më kanë dërguar në një fshat të vogël të Kroacisë që ka qenë në dorë të policisë serbe për tre muaj. Pashë se kishin hedhur në erë një kishë katolike 600-vjeçare dhe pastaj të vetmit njerëz që mbetën në fshat ishin ata që panë njerëzit pa duar, të gjithë të masakruar, të lidhur me zinxhirë dhe çfarëdo mjeti tjetër që kanë përdorur”, ka thënë Jensen, duke përshkruar vrasjen e civilëve kroatë, për të cilët thotë se u vranë në mënyrën më mizore, nga forcat që rrallëherë zgjidhnin një mënyrë më të lehtë për të vrarë.

Sytë e mediumeve botërore janë kthyer në Ukrainë, në luftën me Rusinë, e cila që nga 24 shkurti i këtij viti nuk i ndahet mediumeve botërore. Për panelin, që në fokus ka rolin e përkthyesve dhe shkrimtarëve në tri kauzat që shqetësojnë botën, përkthimi i saktë është jetik për informim.

“Mendoj se në vendin tim kemi mjaft përkthyes që mund të përkthejnë nga gjuha ukrainase shumë qartë, kemi edhe përkthyes të gjuhës ruse që mund të përkthejnë. Në vendin tim mund të lexoni dhe studioni gjuhën ukrainase, që është gjuhë relativisht shumë pak e përhapur, ka vetëm katër milionë folës të kësaj gjuhe, që pothuajse janë ukrainas të gjithë”, ka thënë shkrimtari dhe përkthyesi nga Suedia, Daniel Gustafsson, që vlerëson se gjuha ukrainase nuk ka shkrirje të gjerë, teksa në krahasim me të, gjuha ruse është dominante.

Përkthyesit dhe shkrimtarët konsiderohen heronj të ditëve të sotme për rëndësinë që kanë dhe mesazhet që përçojnë.

“Së pari mendoj se të gjithë ne jemi të shokuar këta muajt e fundit. Unë si shkrimtare dhe si qenie njerëzore dhe të gjithë ne, çfarë mund të bëjmë është të gjejmë dhe mundohemi të shohim, ndiejmë një pozicion, formë dhe gjuhë për luftën”, ka thënë Petra Nagenkogel, shkrimtare dhe përkthyese austriake. Ajo u është referuar artikujve të gazetares ukrainase, Oksana Sabuschko, e cila “ka thënë së gjithmonë në literaturën ruse mund të shohësh glorifikimin e krimit dhe të luftës, kështu që qindra vjet më parë ne kemi pasur mundësinë të lexojmë atë çfarë po ndodh sot”.

Fjodor Dostojevski dhe Leon Tolsoy janë nga emrat që kishte përmendur gazetarja ukrainase në pamfletin e saj.

Edis Galushi, përkthyes nga Prizreni, ndër vite i ka kontribuuar trashëgimisë dhe kulturës rome përmes poezisë dhe shfaqjeve teatrale, si të paktë autorë romë në Kosovë. Komunitetin rom e ka prezantuar edhe në diskutimin në kuadër të programit të festivalit “Polip”, për të vlerësuar edhe rrezikun e këtij komuniteti në Ukrainë e Rusi.

“Ne i shohim romët artistë në Evropë dhe kulturën e tyre dhe mundohemi të reflektojmë në atë që interpretohet nga shkrimtarët dhe përkthyesit. Unë si gjuhëtar kam analizuar së fundi gjithçka dhe mendoj se këtu është pyetja kur rreziku vjen në dy pjesë, sepse patjetër se romët flasin gjuhën ruse dhe gjuhën rome në një anë dhe flasin gjuhën rome dhe ukrainase në anën tjetër. Ndërmjet kësaj shkrirjes së këtyre gjuhëve, është një rrezik që askush nuk dëshiron ta kuptojë”, ka thënë Galushi. Ai ka thënë se lufta mund të dokumentohet më së miri përmes literaturës, e cila krijimtari, sipas tij, është shumë e varfër te komuniteti rom.

Lajmet për luftën janë sinonim për aksionet, municionet e gjalla, eksplozivë, e luftëtarët e armikut. I pakrahasueshëm është ballafaqimi me civilë të pafuqishëm e të paarmatosur. Rrëfimi i reporterit të luftës në Kroaci kthen në kujtim aktet gjenocidale të serbëve në Kosovë në vitet 1998-1999. Ish-reporteri i luftës në Kroaci, Carsten Jensen, ka rrëfyer edhe për përvojën që kishte me një nga kryesit e masakrës në kishën katolike në një fshat në Kroaci.

“U përballa me njeriun që është përgjegjës për të gjithë këtë masakër. Unë e pashë atë duke rrahur civilë dhe kështu e pyeta, pasi si gazetar duhet të konfirmosh faktet: A e rrahe atë? Tha: Kjo është pyetje e gabuar, thashë: Cila është pyetja e duhur? Më tha: Duhet të më pyesësh pse nuk e vrava? Ne nuk duam të bëhemi si ai, ne e duam atë para ligjit, të përfundojë e gjithë kjo. E vetmja gjuhë që kuptojnë ata janë armët”, ka kujtuar ai para publikut kosovar, duke thënë se nëse do të ishte novelist, protagonistin e krimit do ta përmblidhte si “Përbindëshin”, për të cilin Jensen thotë se ashtu edhe ishte.

Ai në vitin 2008 kishte shkruar një artikull gazete që paralajmëronte luftën mes Ukrainës dhe Rusisë. Për këtë e kishte bindur konflikti mes Rusisë dhe Gjeorgjisë gjatë kohës kur të dy ish-republikat përbërëse të Bashkimit Sovjetik zhvilluan luftime në rajonin e rëndësishëm strategjik të Kaukazit Jugor.

Në lidhje me atë se çfarë mund të bëjnë përkthyesit dhe shkrimtarët në kohë lufte, thotë se nuk ka diçka që e konkretizon ndonjë veprim, mirëpo vlerëson se demokracia në nivel ndërkombëtar arrihet duke zgjidhur mosmarrëveshjet e të gjitha vendeve që kanë mes vete. “Qëkur unë shoh luftën e Ukrainës ndaj agresorëve rusë, shoh një luftë për demokraci, kjo është sesi e identifikoj unë. Kjo është një luftë që mund t’i bashkojë të gjithë që pajtohen për demokraci dhe demokracia nuk arrihet në Evropë vetëm përmes Ukrainës dhe Rusisë, por edhe përmes vendeve të tjera që kanë mosmarrëveshje”, ka thënë ai.

Ndërkohë që gjatë gjithë kohës udhëhoqi diskutimin në panel, përkthyesja kroate e gjuhës ruse, Tatjana Radmilo, ka vlerësuar se një luftë tjetër ka qenë shokuese për botën.

“Qëkur Rusia brutalisht filloi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt 2022, ne tmerrësisht u prezantuam me një të re të panjohur, sepse pas dy vjet e gjysmë, duke jetuar në rrethana të panjohura, në pandemi, menjëherë ne e zgjuam në mes të ‘Luftës së Tretë Botërore’”, ka thënë ajo. Është hera e saj e parë në Kosovë dhe thotë të jetë mahnitur nga energjia e njerëzve dhe e qytetit.

"Polipi" do të vazhdojë edhe sot, e diel, me panelin mbi narrativat historike dhe memorien kolektive si zanafillë e luftërave etnike.