Gani Gashi (77), me “Rrethin” e hapur të enjten mbrëma në Galerinë Kombëtare të Kosovës, thyen heshtjen me ekspozitën personale pas një pauze prej gati 15 vjetësh. Ekspozita shtrihet në dy sallat e GKA-së dhe rrethi është ftesa e parë nëpërmjet pikturave. Veprat e Gashit e fusin publikun brenda në rreth, e nxjerrin jashtë, e rrotullojnë rreth tij e edhe i ndryshojnë formë
Intriguese që në titull është ekspozita e Gani Gashit. Merr kuptim që në përballjen me pikturën e parë. Rrethi është kryefjalë, emërues i përbashkët i shumicës së pikturave. Si formë perfekte gjeometrike, piktura s’e pretendon atë, por sillet në rreth në kërkim të vazhdueshëm të shprehjes artistike. Gani Gashi (77), me “Rrethin” e hapur të enjten mbrëma në Galerinë Kombëtare të Kosovës, thyen heshtjen me ekspozitën personale pas një pauze prej gati 15 vjetësh. Ekspozita shtrihet në dy sallat e GKA-së dhe rrethi është ftesa e parë nëpërmjet pikturave. Veprat e Gashit e fusin publikun brenda në rreth, e nxjerrin jashtë, e rrotullojnë rreth tij e edhe i ndryshojnë formë. E kuqja vjen si ngjyrë bazike e “Rrethit”. Nuancash të ndryshme asocon si kthim te tradita, te xhamadani i lashtë, te qilimi që shtrohej pranë sofrës së rrumbullakët, te flamuri që valëvitet e deri te e kuqja e gjakut dhe sakrificës.
Me këtë ngjyrë autori ka vendosur t’i lyejë edhe faqet e para të katalogut të kësaj ekspozite, ndërsa kuratori i saj, njëherësh edhe poet, Krenar Zejno, ka vendosur që në fillim katalogut ta nisë me një poezi, e cila nis me vargjet: “E kuqe vatre, e kuqe flakadan/ E kuqe pishtari, e kuqja vatan”. Vijnë si një himn paralajmërues për esencën e veprave të Gashit.
Në natën e hapjes, “Rrethi” bëri bashkë jo pak kolegë, miq e familjarë të Gashit.
“Me Gani Gashin kemi bërë dy ekspozita, një ka qenë përvjetori i parë i Pavarësisë së Kosovës me karakter kolektiv dhe një personale, ndërsa sot, pas më shumë se një dekadë, e hapëm ekspozitën e titulluar ‘Rrethi’. Hapja e një ekspozite të tillë është shumë e rëndësishme veçmas në këtë kohë kur syri sheh vetëm luftëra, bomba e sëmundje të shumta, tabloja është festa e syrit, ekspozita është mesha ose ramazani i syrit”, ka thënë kuratori Zejno.
Në tekstin kuratorial, ka zbërthyer titullin e ekspozitës. “Emërtesa ‘Rrethi’, si zgjedhje e artistit për të pagëzuar ekspozitën e tij, tërheq natyrshëm edhe kah kureshtja e domethënies së titullit, si figura gjeometrike e përkryer, rrethi në rolin e një titulli, e kësisoj edhe kuptimi metaforik, e fton shikuesin ta perceptojë atë edhe si figuracion, pra si simbol dhe metaforë e përsosurisë dhe përkryerjes”, ka shkruar Zejno.
Zejno shkruan edhe për atë se çka një njohës arti mund të shohë te pikturat e Gashit, për atë se çfarë tregojnë pikturat e “Rrethit”.
“Përballë tablosë së Gashit, qoftë edhe për soditje të shkurtër e sipërfaqësore, e sigurojmë aty për aty shpërblimin e një kënaqësie estetike. Madje nën harmoninë e një vitrazhi a mozaiku objekti kulti, ndiejmë gjer efektin e një mirëqenie, gati terapeutike. Ndoshta prej regjistrit kaligrafik e me ato hapësirat e bardha në tablo si në fletë poezie shkruar me dorë. Një pamje me ngarkesë e hapje çiltërsie si prej grafemë bukurshkrimi... Porse, kur e këqyrim më thellë, në thellësi e me sytë e mendjes meditative, përtej asaj që jemi duke shikuar, do të rrokim edhe atë çka është për t’u shijuar: sensacionin e asaj çka epoka e kubizmit pat pëlqyer ta quante l’esprit de geometrie”, ka shkruar ai.
Veprat e Gani Gashit, përveç karakterit metaforik, kanë edhe tituj të tillë. Nëpër shfletimin e katalogut të tij apo edhe gjatë vizitës së ekspozitës, gjejmë tituj që shpesh do ta kujtojnë artin e letërsisë, si “Mpiksje çasti të mbramë”, “Kujtim prej guri”, “Reliefi i ëndrrave”, “Merimanga e kujtesës”, të cilat veç se ia shtojnë vlerën estetike e i japin më shumë kolorit.
Përveç artistëve e piktorëve të njohur shqiptarë, në ekspozitë, nuk munguan as familjarët e autorit.
Lira Gashi, e bija, ka lexuar një shkrim prej tri faqesh, i cili gjendet i botuar edhe në katalogun e ekspozitës. Lira, e cila me profesion është letrare, përmes një shkrimi të titulluar “Ta jetosh jetën me ngjyra” ka treguar se si është të jesh bijë piktori.
“Të rritesh si bijë piktori do të thotë ta jetosh jetën fiks me ngjyra e herë pas here edhe bardh e zi, ta jetosh jetën në lëvizjen e vijave, figurave, portreteve e formave pa kufi, të jetosh me të bukurën dhe për të bukurën, ndërmjet reales e imagjinares e herë-herë t’i shkrish ato në njëra-tjetrën... të qëndrosh me orë të tëra mes pikturash herë ekspresioniste, abstrakte dhe moderne dhe patjetër që shpesh herë më ka ndodhur që ta shoh veten të përhumbur në portrete pa emra ose të harruar ose të futur thellë në dramën e ngjyrave, rrëfimeve e historive pafund të pikturave të jetës së babës tim”, ka shkruar ndër të tjera ajo.
Diplomati e gazetari, Avni Spahiu, i cili me Gashin kishin punuar në “Rilindje”, ka kujtuar kujtoi kohën kur ekspozitat nuk lejoheshin të mbaheshin në Galeri dhe si rezultat i kësaj, ato i bënin nëpër kafene.
“Në kohën kur, për shkak të pushtuesit serb, ekspozitat nuk organizoheshin në Galerinë e Arteve, por nëpër kafene, Ganiu ishte gjithmonë pjesë e rëndësishme e tyre. Së bashku me disa të tjerë, Ganiu nuk e la artin e Kosovës që të vdiste, prandaj hapja e kësaj ekspozite është shumë e rëndësishme sepse Ganiu së bashku me piktorët tjerë kanë shënuar një etapë të rëndësishme mbi historinë e artit pamor, artit figurativ të Kosovës”, ka thënë Spahiu
Në fund të ceremonisë, fjalën e mori vetë autori Gani Gashi, i cili edhe bëri hapjen e kësaj ekspozite. Përmes një fjalimi të shkurtër, ai falënderoi të gjithë ata që ndihmuan në hapjen e kësaj ekspozite e veçmas zëvendësuesin e drejtorit të GKA-së, Naim Spahiun.
“Hapja e kësaj ekspozite është shumë e rëndësishme sepse në njëfarë mënyre është një rrumbullakësim i të gjithë krijimtarisë sime”, ka thënë autori i “Rrethit”.