Shtojca për Kulturë

Trashëgimtarët e Picassos me vepër digjitale arti në botën e kriptovalutave

Pablo Picasso takon botën e kriptovalutave. Trashëgimtarët e maestros, artistit të famshëm spanjoll të shekullit XX, janë duke u futur në tregun e shekullit XXI. Do të shesin 1 mijë e 10 pjesë të një vepre prej qeramike që nuk është parë asnjëherë më parë nga publiku, duke e kthyer këtë vepër në një vepër digjitale për të kapur modën e sistemit që ka pushtuar botën e artit dhe atë financiare.

Në një intervistë ekskluzive përpara daljes në treg zyrtarisht këtë javë, mbesa e Picassos, Marina Picasso, dhe djali i saj, Florian Picasso, kanë hapur apartamentin e tyre – i cili është i mbushur me vepra të paraardhësve të tyre të shquar – në një lagje të pasur të Gjenevës. Atje ata ofruan disa pamje të veprës që e shohin si një bashkim të paparë të artit të bukur të shkollës së vjetër me asetet digjitale.

Ata po kërkojnë të fitojnë para dhe të bëhen pjesë e valës me tokena të pandryshueshëm, ose NFT-të, që kanë fituar miliona, ani pse artistë shumë më pak të njohur dhe janë kritikuar për pasurim nga një skemë që dëmton ambientin.

Një vepër e Picassos, sipas familjarëve të tij, do të shënonte hyrjen e një mjeshtri të madh në këtë lojë.

Në zhargonin e ekonomisë, një token i këmbyeshëm është një aset që mund të shkëmbehet një për një. Mendoni për dollarë ose bitcoin – secili prej tyre ka të njëjtën vlerë dhe mund të tregtohet lirshëm. Një objekt jo i këmbyeshëm, përkundrazi, ka vlerën e tij të veçantë, si një shtëpi e vjetër apo një makinë klasike.

Kaloni këtë nëpër teknologjinë e kriptomonedhës të njohur si blockchain dhe ju merrni NFT. Ato janë në fakt certifikata digjitale të autenticitetit që mund t'i bashkëngjiten artit digjital ose pothuajse çdo gjëje tjetër që vjen në formë digjitale – skedarë audio, videoklipe, ngjitëse të animuara, madje edhe një artikull lajmesh të lexuar në internet.

“Ne po përpiqemi të ndërtojmë një urë midis botës NFT dhe botës së artit të bukur”, ka thënë Florian Picasso, stërnipi i artistit.

Pasardhësit e artistit po tregohen të kujdesshëm për të nxitur interesim dhe për të mbrojtur – tani për tani – një trashëgimi familjare. Ata po tregojnë vetëm një pjesë të veprës që lidhet me NFT-të, një pjesë qeramike me madhësinë e një tasi të madh sallate.

Marina Picasso ka thënë se kjo vepër prej qeramike është realizuar në tetor të vitit 1958, kur ajo ishte fëmijë.

“Është një vepër që përfaqëson një fytyrë dhe është shumë ekspresive”, ka thënë ajo. “Është e gëzueshme, e lumtur. Përfaqëson jetën… Është një nga ato objekte që kanë qenë pjesë e jetës sonë, jetës sonë intime – jetës sime me fëmijët e mi”.

“Sotheby's” është në pritje të një ankandi në mars, që do të përfshijë një NFT unike, si dhe tasin aktual prej qeramike. Një shitje e fazës së parë në internet e më shumë se 1 mijë NFT-ve të tjera filloi të premten nëpërmjet platformave “Nifty Gateway” dhe “Origin Protocol”.

Florian Picasso ka thënë se ata kanë rënë dakord për copën shumëngjyrëshe të qeramikës, sepse ishte “argëtuese” për të filluar.

Një NFT e Picassos sjell me vete simbolikë pothuajse epokale, diçka si koleksioni i “The Beatles” kur u vendos më në fund në “iTunes”. Familja dhe menaxherët e saj të biznesit thonë se qëllimi është krijimi i një komuniteti më të ri të fansave të Picassos.

“Gjithçka po evoluon”, ka thënë Florian Picasso, duke këmbëngulur që NFT nderon artistin e madh. “Mendoj se i përshtatet trashëgimisë së Picassos, sepse ne po nderojmë mënyrën e tij të punës, e cila ka qenë gjithmonë kreative”, ka thënë ai.

Disa nga të ardhurat do të dhurohen – një pjesë për një bamirësi që synon të ndihmojë në tejkalimin e mungesës së infermierëve dhe një tjetër për një organizatë joqeveritare që dëshiron të ndihmojë në reduktimin e karbonit në atmosferë.

NFT-të do të vijnë gjithashtu me muzikë të realizuar nga Florian Picasso, i cili është një DJ dhe producent muzikor, së bashku me kompozitorin John Legend dhe reperin Nas.

Edhe një interpretim i plotë i asaj kënge nuk është publikuar ende publikisht.

“Dhe për të dëgjuar më shumë, ju duhet të blini një NFT”, ka thënë ai.

Marrë nga “Associated Press”. Përktheu: Alberina Haxhijaj