Shtojca për Kulturë

Baudelaire-i mbi artin e dramës lirike te Wagneri

Descriptive Text

Në tekstin mbi operën “Tanhauser”, Baudelaire eksploron lidhjet që ngjizen e shpalosen midis poezisë dhe dramës lirike, përkatësisht operës. Në hyrje të këtij studimi të operës “Tanhauser”, ai thekson se i kishte rastisur shpesh të dëgjojë dhe të lexojë se “muzika nuk mund të lavdërohet se mund të përkthejë çfarëdo me siguri, siç e bën këtë fjala apo piktura”. Baudelaire mendon se ky pohim nuk është i saktë ngase “në muzikë sikurse edhe në pikturë e madje edhe te fjala e shkruar, e cila është madje arti nga më pozitivët, mbetet gjithherë një boshllëk për t’u mbushur me imagjinatën e dëgjuesit”

Shfaqja e operës “Tanhauser” e kompozitorit të madh gjerman Richard Wagner, në janar dhe shkurt të vitit 1860 në Paris u bë një ngjarje e madhe kulturore e cila u shoqërua me debate e analiza në revista letrare e muzikore franceze.

Prej tyre u shqua në veçanti studimi i poetit të madh Charles Baudelaire (Sharl Bodler, 1821-1867), i cili u botua për herë të parë në revistën pariziene “La revue européenne”, në muajin prill të vitit 1861. Këtë tekst të Baudelaire-it e kemi gjetur në librin “Charles Baudelaire. La passion des images” (Pasioni i imazheve, Gallimard) i cili u botua vitin e kaluar në Paris. Ky libër voluminoz (prej 1820 faqeve) përmban një përzgjedhje të teksteve të tij mbi artin, mbi pikturën, mbi muzikën, mbi poezinë dhe kritikën letrare e artistike.

Përzgjedhjen dhe analizat e këtyre teksteve i zhvilloi studiuesi i shquar i veprës së Baudelaire-it, Henri Scepio (Anri Sepio). Qysh në poemat e para të poetit, Scepio dikton “lirinë dhe luciditetin e rrallë në këtë lëvizje të kërkimit të imazhit e lidhur ngushtë me fjalën poetike.” Ai vë në dukje se në shkrimet e Baudelaire-it imazhi si “prodhim i artit dhe i artistit është kësodore vend i kryqëzimeve të pikëpamjeve të ndryshme dhe zbulues aktiv i horizonteve të ndryshme. Perspektiva e piktorit i bashkohet perspektivës së kritikut dhe prek linjën optike të poetit”. (f.13).

Në esetë e veta mbi pikturat, Baudelaire-i është i preokupuar “që të zhvillojë një dialog me piktorin, të hapë veshin për të dëgjuar një univers të ndijimeve dhe mendimeve dhe të gjurmojë me talentin e vet të gjitha dimensionet e imazhit.”(ib)

Scepio thekson se Baudelaire në këto shkrime u qaset imazheve me një ligjërim poetik si “truall i përshtatshëm për lindjen e analogjive dhe korrespondencave, metaforave dhe simboleve.” Poeti i ndriçon në ato shkrime relacionet qe thuren midis “pikturës dhe poezisë, midis imazhit dhe shkrimit, midis të dukshmes dhe të lexueshmes”.

Ndërkaq në tekstin mbi operën “Tanhauser”, Baudelaire eksploron lidhjet që ngjizen e shpalosen midis poezisë dhe dramës lirike, përkatësisht operës. Në hyrje të këtij studimi të operës “Tanhauser”, ai thekson se i kishte rastisur shpesh të dëgjojë dhe të lexojë se “muzika nuk mund të lavdërohet se mund të përkthejë çfarëdo me siguri, siç e bën këtë fjala apo piktura. ( La passion des images, f. 842). Baudelaire mendon se ky pohim nuk është i saktë ngase “në muzikë sikurse edhe në pikturë e madje edhe te fjala e shkruar, e cila është madje arti nga më pozitivët, mbetet gjithëherë një boshllëk për t’u mbushur me imagjinatën e dëgjuesit”. Debatet rreth këtyre temave e kanë nxitur Wagnerin, sipas Baudelaire-it, ta shikojë artin dramatik i cili përmban në vete “bashkimin dhe koincidencën e disa arteve si art i mirëfilltë, më sintetik dhe më i përsosur”.
Baudelaire mendon se sa më shprehëse të jetë, muzika ka më shumë gjasë që dëgjuesit e ndjeshëm të sajojnë ide që janë të lidhura me ato që e frymëzonin artistin. Ai përmend këtu një tekst të kompozitorit francez Hector Berlioz për operën “Lohengin” të Wagnerit, një elozh me karakter teknik. Më tutje Baudelaire e merr në shqyrtim një analizë të “artistit dhe filozofit Franz List” për të njëjtën operë: “Kjo hyrje përmban dhe zbulon elementin mistik, gjithherë të pranishëm dhe gjithherë të fshehur në këtë pjesë.”(po aty)

Më pastaj Baudelaire e paraqet “përkthimin” e vet “me fjalë në saje të imagjinatës së tij mbi të njëjtën pjesë të cilën e kishte dëgjuar me sy të mbyllur dhe thuajse i shkëputur nga toka, i kapluar nga ëndërrimet”. Qëllimi i Baudelaire-it këtu është që të vërë në pah se “muzika e vërtetë sugjeron ide analoge te mendje të ndryshme.” (f. 843)
Ai e shpjegon madje bindjen e vet se gjërat gjithherë janë shprehur me një “analogji reciproke” brenda “botës si një totalitet kompleks dhe i pandashëm.”

Në vijim ai citon dy strofa nga poezia e tij e njohur “Korrespondencat”: aty ai e paraqet natyrën si “një tempull ku shtylla të gjalla, lënë ndonjëherë të dëgjohen fjalë konfuze”; natyrë në të cilën njeriu kalon nëpërmjet një “pylli të simboleve, të cilat e shikojnë me shikime miqësore”.

Është këtu një vizion i poetit dhe mendimtarit mbi korrespondenca midis parfumeve, ngjyrave dhe tingujve, si jehona që nga larg gërshetohen brenda “një uniteti të errët dhe të thellë, i gjerë si një natë dhe si kthjelltësi...”. Duke dëgjuar këtë operë, Baudelaire kishte përjetuar një shkëputje “nga lidhjet e gravitacionit” e njëherësh ai rizbulon “në saje të kujtimit endjen e jashtëzakonshme e cila qarkullon në sfera të larta”. (f.844).
Më tutje ai përfytyron pa dashur “gjendjen e mrekullueshme të një njeriu të kapluar nga një vetmi absolute, por një vetmi që ka një horizont të paskajshëm dhe një dritë difuze...” Më vonë ai e përjeton ndijimin e një “kthjelltësie më të gjallë, të një intensiteti të dritës e cila rritet me një shpejtësi të jashtëzakonshme.” Atëherë ai e pa qartazi “idenë e një shpirti i cili lëviz brenda një hapësire të ndritshme, e një ekstazë e përbërë nga endja dhe njohja, dhe duke lëvizur përmbi dhe larg botës natyrore”.

Që të tri “përkthimet”, përkatësisht interpretimet (e Wagner-it, List-it dhe Baudelaire-it) kanë pika të përbashkëta. Baudelaire e sheh këtë element të përbashkët edhe te ndijimi i një “lumturie të thellë shpirtërore dhe fizike” dhe te soditja e “diçkaje jashtëzakonisht të madhe dhe jashtëzakonisht të bukur”. (f.845)

Poezia dhe muzika

Baudelaire vë në pah këtu se Beethoven me muzikën e tij ka ndikuar te Wagneri që “të mendojë në mënyrë të dyfishtë, poetikisht dhe muzikalisht, që të shohë çdo ide në dy forma të njëkohshme, që njëri nga të dy artet ta fillojë funksionin e vet aty ku ndalen kufijtë e tjetrit.” Ai shton se “instinkti dramatik, i cili zinte një vend aq të madh te aftësitë e tij, e shtynte të revoltohej kundër të gjitha frivoliteteve, cektësive dhe absurditeteve të pjesëve të sajuara për muzikën.”(f.847)

Ndryshe nga teoricienët e muzikës që mendonin se muzika përgjithmonë mbizotëron në dramën lirike, Baudelaire thekson se Gluck, Diderot,Voltaire dhe Goethe zhvillonin pikëpamje në të cilat ndriçohej gërshetimi dhe drejtpeshimi midis poezisë dhe muzikës. Në “Letër mbi muzikën” të Wagnerit, Baudelaire gjen idenë të cilën e kishte afirmuar më herët edhe Diderot, e sipas së cilës “muzika e vërtetë s’mund të jetë gjë tjetër veçse klithma apo psherëtima e pasionit e shprehur në nota dhe me ritëm.”(f.848)

Në vijim Baudelaire cek se Wagneri në atë shkrim e bën një analizë të shkurtër e të qartë të veprave të tij “Arti dhe Revolucioni”, “Vepra e ardhme e artit” dhe “Opera e Drama”. Në një letër drejtuar Berliozit, Wagner i shkruan se kërkoi të kuptojë kushtet që arti duhet t’i përmbushë për të frymëzuar publikun që ta çmojë veprën. Është fjala për kushtet e reja të dramës lirike, të cilat kompozitori gjerman i gjeti në teatrin e Greqisë antike. Atje ai e gjeti veprën artistike par excellence – dramën: vepër në të cilën ideja sado e thellë që ajo të jetë “mund të manifestohet me kthjelltësinë më të madhe dhe mënyrën universalisht më të kuptueshme.”(f.848)

Image
Richard Wagner (1813 – 1883)

Ai shton se sot me të vërtetë habitemi se si u bë që tridhjetë mijë grekë të kenë pasur mundësinë të ndjekin me një interesim të përqendruar shfaqjen e tragjedive të Eskilit në skenat e teatrit të asokohshëm. Përgjigjen në këtë pyetje Wagneri e gjen te “bashkëlidhja e të gjitha arteve që synojnë së bashku të njëjtin qëllim, do të thotë prodhimin e veprës artistike më të përsosur dhe e vetmja që mund të jetë e vërtetë.”(ib) Ai shpjegon më tutje se kjo e shtyri që të hulumtojë raportet midis degëve të ndryshme të artit. Së pari kishte diktuar raportin midis plastikes dhe mimikes, e mandej kishte ekzaminuar relacionin midis muzikës dhe poezisë. Dhe pikërisht nga ky ekzaminim, saktëson Wagner, shpërthyen përnjëherë ndriçimet “të cilat mënjanuan plotësisht terrin, i cili deri atëherë më kishte brengosur”. Wagner e kishte kuptuar se mu aty ku njeri nga këto arte arrinte te kufijtë e pakapërcyeshëm “fillonte aty për aty sfera e aksionit të artit tjetër.” E kjo do të thotë se do të realizohej “bashkimi intim i këtyre dy arteve”, duke ia bërë të mundur artistit që të shprehë me kthjelltësinë më të kënaqshme atë që nuk do të mund ta bënte asnjeri nga artet në mënyrë të veçuar”.(f.849)

Baudelaire përmend këtu se Wagneri e kishte zhvilluar në parathënien e librit të tij të fundit bindjen se kishte gjetur “një bazë reale mbi të cilën mund ta mbështeste idealin e vet dramatik e muzikal.” Baudelaire mendon se pikërisht në saje të kësaj shijeje absolute për një ideal dramatik Wagner kishte arritur me një “arabeskë të vërtetë të tingujve të vijëzuar me pasion” e njëherësh edhe me kujdesin dhe përpikërinë e theksuar në organizimin e mizanskenës dhe dekorit, në saje të lidhshmërisë midis hollësive më të vogla, “një totalitet të efekteve” të synuara me veprën e vet. Së këndejmi, pikërisht në këtë drejtim Baudelaire kishte gjetur shtegun për të ndriçuar në veprat operistike “Tannhaüser”, “Lohengrin” dhe “Anija fantomatike”, një “metodë të ndërtimit të shkëlqyeshëm, një frymë të renditjeve dhe të ndarjeve që përkujtojnë arkitekturën e tragjedive greke”.(f.850)

Baudelaire në analizën e tij vë në shesh po kështu se ndonëse Wagneri ishte ndikuar nga bukuria klasike e dramës antike greke, ai njëherësh në veprat e veta shpërfaq edhe frymën e romantizmit modern.

Image
“Charles Baudelaire. La passion des images”, i cili u botua vitin e kaluar në Paris, përmban një përzgjedhje të teksteve të tij mbi artin, mbi pikturën, mbi muzikën, mbi poezinë dhe kritikën letrare e artistike

Legjenda, miti dhe drama lirike

Baudelaire në studimin e tij kishte diktuar edhe prirjen e Wagnerit që të përdorë legjendën dhe mitin në operat e tij më të mëdha (“Tannhauser”, “Lohengrin” dhe “Anija fantomatike”). Ai konstaton se zgjedhja e legjendave nuk ishte shprehje e thjeshtë e frymës poetike të autorit, por vendim të cilin e nxori nga studimi i “kushteve më të përshtatshme për dramën lirike.”

Në atë masë sa të gjitha subjektet nuk janë njësoj të përshtatshme për “të ofruar një dramë të gjerë e cilësuar kjo me karakter të universalitetit”, Wagneri, sipas interpretimit të Baudelairit, do të gjurmojë brenda “zemrës universale të njeriut” me qëllim që të gjejë “tablotë universalisht të kuptueshme.” Ai shkruan se tendenca e cila ka të bëjë me invencionin e subjektit poetik është “ligji sovran i cili udhëheq formën dhe përfytyrimin poetik”. Kompozitori mendon se “aranzhimi ritmik dhe zbukurimi (pothuajse muzikal) i rimës janë për poetin mjete për t’ia siguruar vargut, frazës, një fuqi e cila kaplon thuajse me një sharmë dhe e drejton si të doj ndjenjën.”
Së këndejmi, Wagneri do të gjejë te miti një materie ideale për poetin, si një “poemë primitive dhe anonime e popullit, të cilën e gjejmë në të gjitha epokat të ripërvetësuar, të ripërpunuar vazhdimisht nga poetët e mëdhenj të periudhave të kultivuara.” (f. 851)
Baudelaire-i problematizon këtu interpretimet të cilat, duke e marrë parasysh begatinë dhe gjerësinë e aftësive të Wagnerit dhe “inteligjencën e tij të lartë kritike”, janë të prira ta nënçmojnë talentin e tij poetik-muzikal. Disa prej tyre, sipas Baudelairit, pohojnë se ai që “rezonon aq shumë për artin e vet nuk mund të prodhojë natyrisht vepra të bukura.” Ndërkaq disa të tjerë kanë pohuar se Wagneri ka prodhuar opera vetëm “sa për të verifikuar a posteriori vlerën e teorive të veta.” Baudelaire e konteston në mënyrë të themeltë këtë interpretim në studimin e vet.

Ai përkujton së pari se Wagneri, që nga rinia e tij, ka krijuar vepra të çmuara poetike e muzikore dhe se më vonë gradualisht ka ndërtuar një “ideal të dramës lirike”. Në historinë e arteve, Baudelaire mendon se poeti i mirë dhe artisti i mirë më vonë pas zhvillimit të refleksioneve dhe analizave të anëve të ndryshme të krijimtarisë së tyre ndërtojnë koncepcione të kritikës (letrare e poetike).

“Do ishte një ngjarje krejtësisht e re në historinë e arteve që një kritik të bëhet poet; kjo do ishte një përmbysje e të gjitha ligjeve psikike, një monstruozitet; në anën tjetër, të gjithë poetët e mëdhenj bëhen në mënyrë të natyrshme, doemos, kritikë”. (f. 852)

Së këndejmi, Baudelaire thekson se ata që i bëjnë vërejtje Wagnerit si muzikant pse ka shkruar libra mbi filozofinë e artit të vet, dhe se nga ky konstatim ata nxjerrin dyshimin se “muzika e tij mund të jetë e natyrshme, spontane”. Mirëpo, atëherë ata do të duhej të mohojnë po kështu se “Vinci, Hogarth, Reynolds, kanë mundur të bëjnë piktura të mira thjesht pa si që këta kanë deduktuar dhe analizuar parimet e artit të tyre”. Ai shton më tej se Delacroix si piktor është dëshmuar edhe si krik i pashoq. Po kështu ai thekson se edhe Diderot, Goethe, Shakespeare janë sa krijues aq edhe kritikë të mrekullueshëm.

Argumentimin e vet Baudelaire e përmbyll këtu edhe kësisoj: “Poezia ka ekzistuar, është afirmuar e para dhe ajo ka prodhuar studimin e rregullave. E këtillë është historia e pakontestueshme e punës së njeriut.”

Duke ndjekur kahen dhe leqet e kërkimeve të Baudelaire-it mbi dramën lirike të Wagnerit na shpërfaqen edhe raportet midis krijimtarisë poetike dhe trajtave të ndryshme që marrin refleksionet mbi këtë krijimtari.