Shtojca për Kulturë

“One”, himni i gjithçkaje

Bono dhe Edge e sosën që të rrëfenin secilin problem që ishte grumbulluar që prej viteve ‘80 dhe t’ia nisnin nga e para. Me padurim për të eksperimentuar me bateritë e reja dhe tastet sintetike, ata ua dorëzuan Mullenit dhe basistit Adam Clayton demot që ishin pak më shumë se vijë melodike. “Ishim në territor të pashkelur”, thotë Edge

Në tetorin e vitit 2020, mësuesi parisien me emrin Samuel Paty u vra nga një ekstremist, pasi shfaqi karikaturat e profetit Muhammad në orën për lirinë e shprehjes. Në ceremoninë përkujtimore pesë ditë më vonë, arkivoli i tij bartej në oborrin e Sorbonnes me tingujt e një prej këngëve të preferuara të Patyt, “One” të grupit “U2”. Të nesërmen, kënga kryesonte në top-listat e Francës. “Ajo gjë ishte e fuqishme”, thotë Edge, kitarist i grupit “U2”. “Është një prej këngëve që zë vend për çfarëdo rasti”.

Këtë javë bëhen fiks 30 vjet qëkur doli në dritë albumi “Achtung Baby” pjesë e të cilit është kënga “One” e vitit 1992. Axel Rose i “Guns N’ Roses”, dikur kishte thënë se “One” ishte “njëra prej këngëve më së bukuri e shkruar. E lëshoj atë këngë dhe filloj të qaj”. Në një edicion të veçantë të revistës “Q” gjatë vitit 2003, kjo këngë ishte votuar si më e mira e të gjitha kohëve. Është gravurë për krejt anëtarët e bendit.

“Nëse do të më duhej të zgjidhja një këngë që përthekon gjithçka jemi, do të ishte ‘One’”, më tha dikur bateristi Larry Mullen Jr. “Sa herë e dëgjoj apo e luaj, më bën për vete”.

“One” është e fuqishme jo vetëm se është paqartësi në nyjë. Bukuria rrjedhëse e muzikës do të thotë se ka pakënaqësinë, ndjenjën e plagosjes dhe ngrohtësisë, por edhe shërimit. Është një bisedë e dhimbshme, mirëpo mes kujt apo çfarë, kurrë nuk dihet. Shpesh është përshkruar si këngë për një bend në krizë, një martesë të shembur, një babë e bir të hidhëruar, një ribashkim të shtetit, apo një tjetër vend të ndarë, grindje me Zotin, apo ndoshta krejt nga pak.

“One” shtron pyetjen e vështirë nëse kuptimi i një kënge ndreqet kur shkruhet dhe incizohet, ose nëse është fleksibile mjaftueshëm, mund të vazhdojë të ketë lidhshmëri të reja. Kush guxon të pyesë se çfarë kuptimi ka një këngë?

“One” është këngë e shkruar për përçarjen në sfondin e ribashkimit. Të ngujuar dhe të lodhur nga suksesi i tyre në fund të viteve ‘80, “U2”, shkoqi një faqe nga libri i David Bowiet dhe të ardhmen e kërkoi në Berlin, në “Hansa Studios”. Në ditën e Bowiet, studioja thirrej “Hansa by the Wall”, mirëpo më nuk kishte mur. “U2”, producentët dhe inxhinierët e grupit (Brian Eno, Daniel Lanois, Flood) arritën në Berlin më 3 tetor të vitit 1990. “Ditën e Bashkimit të Gjermanisë. Teksa ishin rrugës për t’u rehatuar në hotel, ata u përfshinë në festat rrugore kur Gjermania u bë një pas 41 vjetësh. “Ironia e titullit ‘One’ është se bendi nuk kishte afërsinë atë kohë”, thotë Bono për “BBC Culture”. “Ne po ndërtonim murin tonë mu në mes të studios ‘Hansa’”.

Bono dhe Edge e sosën që të rrëfenin secilin problem që ishte grumbulluar që prej viteve ‘80 dhe t’ia nisnin nga e para. Me padurim për të eksperimentuar me bateritë e reja dhe tastet e sintisajzerit, ata ua dorëzuan Mullenit dhe basistit Adam Clayton demot që ishin pak më shumë se vijë melodike. “Ishim në territor të pashkelur”, thotë Edge. “Ne ishim kaluar shumë kohë në dhomat e provave, bënim bashkë idetë, por në këtë rast shfrytëzonim studion si mjet shkrimi. Adami dhe Larry ndiheshin të lënë anash dhe të inatosur. Provat ishin goxha të tensionuara dhe niveli i besimit kishte nisur të zhdukej”. Në një studio që gumëzhinte në qytetin e ftohtë dhe me shi, provat kolliteshin fort.

“Një, por jo e njëjta”

Një këngë në të cilën ata kishin ngelur ishte Sick Puppy që u shndërrua në “Mysterious Ways”. Një ditë, Edge shkoi në dhomën e kontrollit dhe tentoi t’ia lidhte kryet një kënge të bllokuar me disa sekuenca të reja akorde, të cilat Lanoisi i tha t’i kombinonte me bas për këngën e re. Kitaristi u kthye në dhomën e madhe dhe luajti para të tjerëve me kitarë akustike. Menjëherë u bashkuan Clayton, Mullen dhe Bono. Ishte e qartë se diçka e veçantë po ndodhte – një këngë që aty për aty arsyetoi rrugëtimin në Berlin dhe mbajti bashkë “U2”.

“Shpesh shkruani këngët që njëmend doni t’i dëgjoni”, thotë Bono. Gjatë improvizimeve, tenton të këndojë rrokje dhe fjalë të rastësishme një veprim që grupi e quan “Bongolese”, duke nisur kështu themelet e teksteve të vërteta.

“Emocionet veçse tregohen në këndim, prandaj është sikur kuptimi të jetë aty, por si ta artikulojmë?”, thotë Edge. “Edhe nëse nuk janë fjalët e sakta, ato paralajmërohen. Është rast sikur do t’ia lëshosh rrugën këngës”.

“Më pëlqen të nisi këngën në gjysmë të muhabetit”, thotë Bono. “Me aq shumë dialog, shpesh e gjej veten duke folur përreth temës sesa direkt për të”. Vargjet e para ishin të shpejta: “It is getting better or do you feel the same?/ Is it any easier on you now that you’ve got someone to blame?” [A është duke u përmirësuar apo ndihesh njëjtë? A është më e lehtë tani kur ke dikë për ta fajësuar]. Vargjet u krijuan nga një bisedë mes Bonos dhe Dalai Lamas, i cili e ftoi grupin “U2” që kontribuojë në koncertin bamirës të titulluar “Oneness”. Bono me përulësi e refuzoi, duke nënshkruar letrën: “E bukur të korrespondojë. Një, por jo e njëjta. Bono”. “Koncepti i njëshmërisë natyrisht se është detyrë e pamundur”, thotë Bono. “Ndoshta kënga funksionon sepse nuk bën thirrje për unitet. Na përfaqëson neve sikur jemi të lidhur me të tjerët na pëlqeu ose jo. ‘We get to carry each other’ – jo ‘We got to carry each other’. ‘We’re one but we’re not the same’ lë hapësirë për të gjitha dallimet që hyjnë nga dera”.

Mbajtja, atëherë, është një observim sesa një instruksion. Bono këndon nga një gjendje e lodhjeje që shënon kapitullin e fundit të një argumenti epik, kur bëhen dhjetëra akuzime dhe me zë pikëllues, sa është e pamundur të merret vesh nëse pjesëmarrësit e kanë qartësuar situatën për të tentuar përsëri ose kanë vendosur rrugën pa kthim. Është këngë plot zhgënjim, hidhërim, dhimbje dhe fajësim që nuk mund të zgjidhet me të qarat e “një dashurie”.

Në periudhën e realizimit të këngës, Edge ishte në proces të shkurorëzimit nga bashkëshortja Aisliin teksa miku i ngushtë i Bonos, Guggi, ndodhej në grimcat e fundit të një lidhjeje të gjatë. Ia përmendi Edget tri tema të zakonshme që lidhen me “One” – shkurorëzimi, shthurjet brenda grupit dhe riunifikimin gjerman – e pyes nëse krejt janë të qëlluarat.

“Po, ka elemente nga të gjitha prej tyre, sepse ndajnë gjëra fondamentale”, thotë ai. “Njëra prej temave është që të shohësh dhe të të shohin: ta njohësh një person me të cilin nuk lidhesh dhe nuk e kupton plotësisht”.

Muhabeti në Berlin i dha Bonos diçka për të punuar sapo bendi të kthehej në Irlandë për albumin “Achtung Baby”. “Po bisedonim për skenarët e mundshëm se si thurnim këngën brenda atij intensiteti”, thotë Edge. “Ideja e babait me të birin që argumentojnë ishte përmendur në dhomë kur teksti nisi të dilte nga mjegulla. Bono e zhvilloi në një varg që përmbante më shumë se konflikt dhe pikëllim me të cilat hapet kënga, e cila besoj se ka fuqinë për ta bërë. Ka një evolucion. Nuk rri pezull. Mund të ndieni shkrirjen e akullit mes dy personazheve teksa kënga vazhdon”.

Image
“U2” nisi incizimin e albumit Achtung Baby në Hansa Studios në Berlin në tetor të vitit 1990, fill pas ribashkimit të Gjermanisë

Edhe aranzhimi evoluoi gjatë vitit 1991. “One” ishte jetike për “U2” sepse nuk ishte shumë e varur në ritëm dhe strukturë sesa këngët tjera të “Achtung Baby”, por Enos nuk i pëlqente, sepse tingëllonte e bukur dhe jo e kohës. Edge kaloi nga kitara akustike në atë elektrike me qëllim që muzika të dukej e vrazhdë dhe e turbullt siç ishte teksti. “Mund ta vëreni se kishte njëfarë fuqie dhe serioziteti në këtë vepër muzikore”, thotë ai. “E vazhduam edhe kur Briani nuk ishte entuziast për të”. “One” nuk u përfundua deri në natën e fundit të provave të albumit, 11 muaj pas improvizimit të parë të Berlinit. “Djemtë po bënin përzierjen e fundit dhe u thash: ‘Djema, e kam këtë ide të mrekullueshme për kitarë’”, kujton Edge. “Kishte një mospajtim të menjëhershëm në dhomë. U thashë: ‘Shikoni, ja si është puna. Veç një test, ju premtoj’ Dhe e bëra. Luajta njëherë dhe e përzien menjëherë. Ishte pjesa e fundit që e çoi këngën në shtëpi”.

Baballarët dhe të bijtë

Kur “Achtung Baby” u publikua më 18 nëntor 1991, kritikët njëzëri e krahasuan “One” me “The Rolling Stones”, Roy Orbison dhe Al Green, por jeta e saj sapo kishte nisur. “U2” kërkoi nga artisti, autori dhe aktivisti David Wojnarowicz që ta shfrytëzonin fotografinë “Untitled” (Bualli) për këngën “One” pak para publikimit të saj në shkurt të vitit 1992. Fitimet do të shkonin për studimin e AIDS-it. Wojnarowicz kishte krijuar veprën, në të cilën shfaqen buajt duke rënë në greminë, më 1988, të njëjtin vit kur ishte diagnostikuar pozitiv për HIV-in. Prindërit e tij e kontaktuan vetëm pasi panë lajmin për fotografinë e veprës së tij. Ky tregim familjar e çoi në sipërfaqe idenë e “babait me të birin” për këngën dhe kështu edhe në botën reale.

Jo aq e zakonshme ishte puna kur “U2” përfundoi duke bërë tri video të ndryshme për “One”. Grupi ishte në kërkim të diçkaje që do të përçonte mesazhin siç duhej. I pari, i filmuar në Berlin, nën ngjyra kafeje të çelët, nga Anton Corbijn. Videoja e portretizonte mirë bendin, por Bono ishte i mendimit se kishte “jondjeshmëri dhe stereotipizonte të infektuarit me AIDS si gay”. Filmi në xhirim të ngadalësuar buallit dhe lulediejve ishte cilësuar si me shumë artë dhe minimale për MTV-në. Versioni i fundit i Phil Joanout, me Bonon duke thithur cigare në një klub nate të New Yorkut, ishte si fletë e bardhë që nuk përkonte me asnjë kuptim.

Kënga vazhdoi të ndryshonte gjatë turneut “Zoo TV”, kur Bono prezantoi një varg shtesë që i erdhi nëpër mendje gjatë një mbrëmjeje marsi të vitit 1992 në Karolinën Veriore. E njohur për fansat si “Na dëgjon duke ardhur” ia bën Zotit një rrebesh pyetjesh dhe përfundon me “Do you hear us scratching/ Will you make us crawl?” “Ofron një mundësi për zemërim dhe përqendrimi mbi atë tërbim më së miri duhet mbajtur për vetë religjionin”, thotë Bono. “Në Biblën hebraike, ky nivel i shprehjes lejohet në psalmin mallkues: Mbreti David i bërtet Zotit”. Dikur kishte thënë se e ktheu “One” “në një lloj kënge proteste kundër Zotit, nga një besimtar”: por ishte edhe një përplasje mes babait dhe të birit.

Në janar të vitit 1993, Michael Stipe dhe Mike Mills i grupit REM u bënë bashkë me Mullen dhe Claytonin nën emrin “Automatic Baby” për të kënduar “One” në koncertin MTV Rock the Vote” për të festuar inaugurimin e Bill Clintonit si president. Bill Flanagan e përshkruan skenën në librin e tij “U2 at the End of the World”. “Kur këndon Stipe ‘We’re one but we’re not the same, we get to carry each other’, ai është duke përdorur këngën me shpresë për të krijuar një rast dhe të bëjë premtim për krejt shtetin. Kjo ishte një peshë shumë e rëndë që kënga po e bartte! ‘One’ është një këngë goxha e fuqishme”.

Rrjedhshmëria e këngës është një fije që kalon nëpër librin e Flanaganit. “One duket se ka një kapacitet të pafundmë për të rrëfyer dhe U2 ka treguar se nuk e ka ndërmend që ta ndalë”.

Në Gjermani gjatë majit 1993, në pikun e stuhisë politike për imigracionin, Bono ua dedikoi “One” krejt imigrantëve të Deutschlandit”. Në korrikun e atij viti, pasi një bisedime mikun e bendit që ndodhej në Sarajevën e rrethuar. Bono i tha gazetarit Niall Stokes se si në njëfarë konteksti, “One” “papritmas bëhet ajo që është për atë mbrëmje”. Është një anije e fortë, ftuese për çfarëdo emocioni që qarkullon nëpër dhomë ose shtet, sepse gjithmonë ka konflikt dhe shpresë për zgjidhje. “Unë jam kthyer në një pellg nga vetvetja në mjediset më të diferencuara”, thotë Bono.

Kujtimi më i pëlqyer i Edge në lidhje me “One” është performanca në “Madison Square Garden” në tetorin e vitit 2001. Koncerti i parë i “U2” në New York pas sulmeve të 11 Shtatorit. “Pas koncertit, zjarrfikësit dhe ekipet e shpëtimit që ishin prezentë, pushtuan skenën dhe u bë një lloj ore të terapisë në grup”, kujton ai. “Ishte një gjë shumë përulëse vetëm që të jesh dëshmitar, lëre më të jesh katalizator i saj. Qe e paharrueshme”.

“Këngë e papërfunduar”

Pas kësaj “kënge të hidhur”, Bono fillimisht kishte rezistuar që ta quante “One Campaign”, organizatën jofitimprurëse që e bashkëthemeloi në vitin 2004 për të luftuar varfërinë ekstreme dhe për të parandaluar sëmundjet. Megjithatë, u bë zgjidhje e lehtë për koncertet e bamirësisë së “U2” për Bosnjën në vitin 1995, Tibetin 1997, për Nelson Mandelan në vitin 2003, dhe “Live 8” në vjet më vonë. Po atë vit, “U2” e këndoi në koncertin bamirës për viktimat e uraganit Katrina, duke sjellë në skenë Mary J Blige për vargun e dytë.

Për të, vargu “Love is the temple, love the higher law/ You ask me to enter and then you make me crawl” përfaqësonte premtimin e thyer të Amerikës. “Shtetet e Bashkuara thonë se kujdesen për ne dhe gjëra të tilla, por ne kaluam në aq shumë gjëra”, i kishte thënë ajo gazetarit Gavin Martin.

Image
Mary J Blige iu bashkua “U2” në skenë për të performuar këngën “One” në koncertin bamirës pas uraganit Katrina – ajo më vonë e incizoi një version të vetin të këngës

“Mary J Blige e solli këngën në vende që unë nuk kam qenë ose nuk i kam kuptuar”, thotë Bono. “Nuk e di se ku shkoi, ose emrat që i vendosi, ose problemet që po tentonte t’i zgjidhte me interpretimin e vet, por i ndjeva aq fuqishëm”.

“Ajo e krijoi stilin e vet në një mënyrë që është e mrekullueshme”, pajtohet Edge. “I njëjti tekst, e njëjta melodi, por ishte këngë krejt tjetër kur e këndonte ajo”.

“Dinjiteti i saj nuk mund të ndahet nga njerëzit e tjerë që po luftonin për mbijetesë në Louisiana”, thotë Danny Alexander, autor i librit “Real Love, No Drama: The Music of Mary J Blige.

Ai e vendos “One” në traditën e muzikës shpirtërore të “këngëve për shpëtimin e marrëdhënies në telashe, qoftë “Respect” i Aretha Franklin ose “We Need a Resolution” e Aaliyah.

Teska Blige e çoi “One” në kishë, Jonny Cash e rimendoi atë si muzikë dimërore të zhanrit country të vitit 2000. Tre vjet para vdekjes së tij dhe dy vjet më i vjetër se Bono kur e regjistroi këngën, Cash e bëri dilemën e “One” të pandreqshme. Pyetja “A të zhgënjeve” përgjigjet vet; “është shumë vonë”, qe më realja. Për bendin e zhanrit country-rock, Cowboy Junkies, “One” ishte përmbledhje natyrale e albumit të tyre “Early 21st Century Blues. “Ishte përgjigja jonë për qëndrimin “me ne ose kundër nesh” që zuri vend pas 9/11 dhe pushtimit të Irakut”, thotë Michael Timmins, anëtar i bendit.

“Donim të incizonim një koleksion këngësh që kundërshtonin këtë qëndrim, këngë që përqendroheshin në formën tonë si njerëz. One e U2 ishte e përkryera”. Por, a ka ndonjë mënyrë të gabuar për ta dëgjuar këtë këngë?

“Jam shumë kurioz kur njerëzit e luajnë në dasmat e tyre”, thotë Edge duke qeshur. “Nuk është për festa. Ka një lloj faljeje dhe hijeshi, por thellë brenda e din se nganjëherë gjërat janë të pariparueshme dhe ne mund të themi se nuk do të funksionojë. Kurrë nuk kalojmë kufirin dhe kuptojmë njëri-tjetrin. Nuk është se jemi bashkë dhe çdo gjë do të kalojë. Nuk do të jetë mirë. Nuk do të jemi të njëjtët dhe nuk do t’i shohim gjërat në të njëjtën mënyrë. Mirëpo, mund ta bartim njëri-tjetrin. Ky është tensioni i krejt këngës”.

Vërejta se Bono me lehtësi e shmangu pyetjen time për qëllimet e tij të sakta gjatë periudhës 1990-91, sikur do të mund ta kishin zvogëluar atë në të cilën është shndërruar “One”. Ai mund ta ketë shkruar, por nuk është arbitër se për çfarë ka të bëjë kënga.

“Më pëlqen të mendoj se korniza e kësaj kënge është mjaftueshëm e fortë, sa për të duruar më shumë tregime sesa një që unë nuk e përfundova”, thotë ai. “‘One’ duket si një këngë e papërfunduar. Dëgjuesi ia vë pikën”.

Marrë nga BBC. Përktheu: Gent Mehmeti