Shtojca për Kulturë

DioGuardi: Bota duhet ta njohë besën shqiptare që shpëtoi hebrenjtë

Shirley Cloyes DioGuardi, këshilltare për çështje të Ballkanit në Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane në një intervistë për KOHËN, ka thënë se bota duhet ta njohë edhe më tutje kontributin e shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit. Peshë të madhe i jep besës. Ajo kujton hapjen e një kapitulli në këtë temë në Shqipërinë e viteve ’90 kur bashkëshorti i saj, kongresisti amerikan, Joseph DioGuardi, së bashku me kolegun e tij, Tom Lantosh, takuan Ramiz Alinë. Kujton se si u njoh kontributi i Kosovës, e flet për ftesën që iu bë presidentit Ibrahim Rugova

Për këshilltaren për çështje të Ballkanit në Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Shirley Cloyes DioGuardi, shqiptarët janë të vetmit që mund të pohojnë se çdo hebre i cili gjatë Holokaustit ka arritur të hyjë dhe të strehohet në Shqipëri, ka shpëtuar. Por krejt kjo histori nuk doli në pah deri në vitin 1990, kur ish-kongresisti amerikan, Joseph DioGuardi, së bashku me ish-kongresistin Tom Lantosh takuan Ramiz Alinë gjatë vizitës së tyre të dy zyrtarëve amerikanë në Shqipërinë komuniste. Sipas saj, është shumë e rëndësishme që bota ta dijë dhe ta njohë kontributin e shqiptarëve edhe në rastin e Holokaustit.

Shirley Cloyes DioGuardi në një intervistë ekskluzive për KOHËN, ka rrëfyer gjithë këtë histori deri te konfirmimi në autoritetin më të lartë të përkujtimit të viktimave të Holokaustit, Yad Vashem në Izrael.

Dy amerikanë në Shqipëri

Ish-kongresistët, Tom Lantosh dhe Joseph DioGuardi, në vitin 1990 u bënë zyrtarët e parë amerikanë që u futën në Shqipëri, pas pesëdhjetë vjetësh izolim nën komunizmin e Enver Hoxhës. Atje u pritën nga diktatori i fundit, Ramiz Alia. Kjo vizitë do të nxirrte nga arkiva shumë dokumente që dëshmonin për historinë e shpëtimit të hebrenjve. U desh një gjysmëshekull që atyre t’u hiqej pluhuri. DioGuardi nuk hezitoi t’i merrte me vete. Madje luftoi që këtë histori ta dërgojë më tej, si njohje e kontributit të shqiptarëve dhe përballjes së saj me botën.

“Kur e mori vesh që Tom Lantosh ishte hebre dhe si adoleshent i kishte shpëtuar Holokaustit në Hungari, Ramiz Alia deshi t’i impresiononte të dy. Dhe papritmas e solli një kuti të madhe prej nga ka nxjerrë qindra fotografi, artikuj, video, letra dhe shumë materiale që dëshmonin për hebrenjtë që ishin shpëtuar nga shqiptarët. Pas rënies së komunizmit, pjesa më e madhe e hebrenjve janë kthyer në Izrael dhe në pjesë të tjera të botës. Joe DioGuardi menjëherë dërgoi ato tek ‘Yad Vashem’ dhe ata u vërtetuan. Po të mos ndodhte kjo, bota nuk do të dinte për shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët”, ka thënë Cloyes DioGuardi për KOHËN.

Ajo tregon edhe për përpjekjet që bënë së bashku me bashkëshortin e saj për ta sjellë presidentin Ibrahim Rugova në Washington. Për më tepër, ajo tregon edhe për momentet vendimtare që çuan një hap tutje ndriçimin e shpëtimit të hebrenjve nga shqiptarët e Kosovës. Vizita private në Muzeun Memorial të Holokaustit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku nuk hasën në ndonjë gjurmë të shqiptarëve, ua ngjalli nevojën për një lobim edhe më të madh.

Image
Tom Lantos dhe Joseph DioGuardi në takim me Ramiz Alinë, Tiranë 1990

Presidenti Rugova në Washington dhe vizita në muze

“Në vitin 1994, Kosova ishte ende pjesë e ish-Jugosllavisë dhe çfarë ndodhi, Joe DioGuardi punoi me shumë njerëz për ta sjellë Ibrahim Rugovën në Washington për të punuar me pjesëmarrësit e Kongresit dhe presidentin që po organizonte takime private për krerët nga e gjithë bota. Po atë kohë, Muzeu Memorial i Holokaustit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte gati të hapej dhe ne vendosëm ta bëjmë një shëtitje private në të. U befasuam, nuk kishte asnjë gjurmë që tregonte për shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët”, ka treguar DioGuardi. Ajo tutje shpjegon se vendosën t’i shfrytëzonin lidhjet e ngushta që kishin me dy kongresmenët hebrenj. U kërkuan të apelojnë që t’i marrin materialet nga “Yad Vashem” dhe t’i dërgojnë ato te Muzeu Memorial i Holokaustit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ata e bënë këtë.

“Në atë kohë të gjitha materialet vinin nga Shqipëria dhe ende jo nga Kosova. Duhej ndjekur shumë rrugë për të ardhur në pozitën që jemi tani, dhe pozita në të cilën jemi tani ka të bëjë me familjen e Lekë Rezniqit dhe posaçërisht, me dy njerëz të tjerë që janë stërgjyshi i tij Asllan Rezniqi, i cili punoi së bashku me disa njerëz të tjerë, por që ishte përgjegjës më së shumti për shpëtimin e hebrenjve, të cilët i dërgoi në Shqipëri nga Kosova. Gjatë vitit 2004, ne krijuam një miqësi me Petrit Zobrën që e drejtonte Shoqatën e Miqësisë mes Shqipërisë dhe Izraelit në Tiranë. Gjatë kësaj kohe që eksploronim për shqiptarët që shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit, ne mësuam për rolin që Mustafë dhe Asllan Rezniqi kishin”, ka rrëfyer tutje Cloyes DioGuardi. Ajo ka treguar se e gjithë kjo mori vëmendjen në “Radio France” që përfshinte një udhëtim në Izrael, ku do të njoftoheshin me shpëtimtarët që do të identifikoheshin. Aty u iniciua krijimi i Shoqatës së Miqësisë së Kosovës me Izraelin.

“Po ashtu dua ta përmend takimin me Mustafa Rezniqin dhe kur e takuam Lekë Rezniqin për herë të parë dhe mësuam se do të fillojnë Shoqatën e Miqësisë së Kosovës me Izraelin. Kjo ishte shumë e rëndësishme, sepse shumica e njerëzve, ekspertët dhe të tjerët nuk e dinin se çfarë kosovarët bënë për t’i larguar hebrenjtë nga Kosova, sepse në atë kohë ishin në një pozitë kritike”, ka theksuar ajo.

“T’i komunikojmë botës që ta kuptojë se kush janë shqiptarët”

Shirley Cloyes DioGuardi ka realizuar një artikull të veçantë për shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët në vitin 2006. “Të mbijetuarit hebrenj në Shqipëri dhe Etika e Besës” titullohet artikulli që ka nënvizuar dy arsye që kanë luajtur rol në këtë çështje dhe që e bëjnë atë akoma dhe më të veçantë. Sipas saj, ato janë feja dhe “Besa shqiptare”.

“Një gjë tjetër që bota duhet ta dijë pse shqiptarët i shpëtuan hebrenjtë lidhet me dy çështje kryesore. Bota duhet të dijë se ata kanë qenë fillimisht shqiptarë, e pastaj vjen çështja e fesë. Ata kanë qenë katolikë, ortodoksë të krishterë, myslimanë dhe kanë jetuar në harmoni me njëri-tjetrin për shekuj. Kjo është jashtëzakonisht unike. E dyta, ata kanë jetuar nën një koncept që quhet Besa, që është një koncept etik dhe mendoj që është e rëndësishme t’i jap vëmendje të veçantë”, ka thënë ajo. Në artikullin e saj shkruhet se “Besa e lidh nderin personal me respektin dhe barazinë me të tjerët. Baza e saj është kanuni, besa ka disa kuptime duke filluar nga besimi i paprekshëm, ndalja e dhunës, dhe fjala e nderit te premtimi i shenjtë dhe obligimi për ta mbajtur fjalën që i ke dhënë tjetrit për t’ia siguruar mikpritjen dhe mbrojtjen. Ajo përfshin mbrojtje të pakompromis të mysafirit, edhe nëse kjo e rrezikon jetën e atij personi”, ka shkruar ajo në artikull. Veç të tjerash, ka veçuar se Kanuni nuk e njeh konceptin e “të huajit”, e njeh mirë vetëm konceptin e mysafirit. Për më tutje, ai duhet strehuar dhe duhet mbrojtur edhe kur jeta e shqiptarëve ndodhet në rrezik. Sipas saj, këtë e demonstruan më së miri në rastin e shpëtimit të hebrenjve.

“Duhet të vazhdojmë t’i komunikojmë botës që ta kuptojë se kush janë shqiptarët”, ka këmbëngulur Cloyes DioGuardi për KOHËN.

Sipas saj, është e rëndësishme që bota të dijë për themelimin e Shoqatës së Miqësisë Kosovë - Izrael, dhe për këtë kanë punuar ngushtë me Mustafë Rezniqin, me të cilin kishin zhvilluar disa takime. Sipas saj, akoma ka shumë punë për t’u bërë në këtë drejtim. Ky asociacion është duke vazhduar punën hulumtuese për të gjetur ata që kanë shpëtuar hebrenjtë brenda dhe jashtë Kosovës. Kur çifti DioGuardi udhëtoi në vitin 2006 për në Kosovë nuk është se kishin shumë informacion për Shoqatën e Miqësisë Kosovë-Izrael.

“Të gjitha informatat i kuptova kur e takova Lekë Rezniqin, e që ishte prezent dhe gjyshi i tij Mustafë Rezniqi. Për trembëdhjetë vjet, Lekë Rezniqi dhe unë kemi punuar së bashku, dhe gjithashtu Joe DiGuardi ishte pjesë e tij duke e vendosur në fokus ndërkombëtar shpëtimin e hebrenjve në Kosovë dhe Shqipëri”, ka shpjeguar tutje ajo.

Image
Lekë Rezniqi gjatë vitit 2021 ka botuar librin me dokumente për hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore në arkivin e familjes Rezniqi. Sipas tij, historia për shpëtimin e hebrenjve në Kosovë ka filluar të zbulohet shumë më herët se në Shqipëri

Lekë Rezniqi gjatë vitit 2021 ka botuar librin me dokumente për hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore në arkivin e familjes Rezniqi. Sipas tij, historia për shpëtimin e hebrenjve në Kosovë ka filluar të zbulohet shumë më herët se në Shqipëri.

“Rrjedha është më e ndryshme në Kosovë, pasi që Xhangyle Iljazi në vitet ’70 ka filluar hulumtimet e familjeve. Pastaj në kontakt me gjyshin tim të ndjerë Mustafë Rezniqi, kanë vazhduar hulumtimin më tutje për zbulimin e familjeve të tjera që i kanë bashkuar hebrenjtë”, ka treguar Rezniqi. Ai tutje ka thënë se pasluftës në kontakt edhe me Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane, kjo miqësi veçse është thelluar edhe më trojet e tjera shqiptare.

Lekë Rezniqi nga Kosova e vazhdon miqësinë me Rachel - Shelly Levy Drummer nga Izraeli, me të cilën i bashkon një histori familjare. Gjyshi i Shellyt, Haim Abravanel, kishte gjetur strehim te familja Rezniqi në Deçan gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për ta shpëtuar doktorin hebre, shtëpia e Arsllan Rezniqit ishte bërë strehë e tij dhe e kishte shpëtuar atë duke ia ndërruar edhe veshjen. Sa i përket dokumentimit të historive të tilla, Rezniqi tregon se si pikë reference e ka librin “Shpëtimi në Shqipëri” të Harvey Sarner. Libri i tij shkon përtej së kaluarës, flet edhe për vazhdimësinë e miqësisë së trashëguar nga të parët.

“Libri me të cilin e kam mbrojtur edhe temën e masterit është ‘Dokumente për hebrenjtë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore në arkivin e familjes Rezniqi’. Aty përfshihen dokumente të familjes ku përshkruhet pak më tepër ky raport dhe jo vetëm për Luftën e Dytë Botërore dhe pjesën e shpëtimit, por edhe për vazhdimin e komunikimit me hebrenjtë e shpëtuar”, ka treguar Rezniqi nga Shoqata e Miqësisë Kosovë-Izrael.

Cloyes DioGuardi me punën e saj të palodhshme do të vazhdojë të hedhë dritë në perëndim për rolin që shqiptarët kishin në shpëtimin e hebrenjve. Për të, besa mbetet arsyeja kryesore që shqiptarët hapën zemrat dhe dyert për popullin hebre.