Shtojca për Kulturë

Nuhi Vinca, studiuesi i lirikës shqiptare të dashurisë

Realizues projektesh shkencore e autor monografish, punimesh studimore e recensionesh shkencore, Nuhi Vinca bën pjesë në radhët e punonjësve që me zell iu rrekën studimit të folklorit shqiptar, duke i prezantuar arritjet e tij edhe në aktivitete shkencore të organizuara në Kosovë dhe jashtë saj. Përtej interesimeve që lidhen me lirikën popullore të dashurisë, Nuhi Vinca shpërfaq edhe interesime lidhur me lloje të tjera të lirikës shqiptare

Kur po e mbush dekadën e nëntë të jetës së tij dhe dekadën e shtatë të veprimtarisë shkrimore, prof. dr. Nuhi Vinca identifikohet me një bibliografi të begatë, në të cilën dallohen studimet e tij albanologjike, veçmas ato të folkloristikës, përmbledhjet e shumta poetike, sikundër edhe përkthimet nga gjuhë të tjera në shqipe. Natyrisht pa lënë anash as kontributin e tij prej pedagogu, profesion të cilin e ushtroi në kohë të vështira për arsimin shqip.

Përveçse punoi në gjimnazet e Strugës e të Kaçanikut, pjesën më të madhe të veprimtarisë së tij profesionale e intelektuale e realizoi në Institutin Albanologjik. Madje, me këtë institucion e vijoi bashkëpunimin edhe pas pensionimit më 1991. Realizues projektesh shkencore e autor monografish, punimesh studimore e recensionesh shkencore Nuhi Vinca bën pjesë në radhët e punonjësve që me zell iu rrekën studimit të folklorit shqiptar, duke i prezantuar arritjet e tij edhe në aktivitete shkencore të organizuara në Kosovë dhe jashtë saj. Megjithatë, veprat monografike si “Lirika popullore shqiptare e dashurisë”, “Lirika popullore shqiptare në trevën e Strugës”, “Poetika e lirikës popullore shqiptare”, përmbledhjet me punime studimore, artikuj dhe vështrime “Mbi poetikën e folklorit shqiptar” dhe “Vështrime për krijimtarinë gojore e të shkruar” , kontributet për vëllimet folklorike dhe antologjike “Këngë të ndryshme popullore” , “Antologji e lirikës popullore shqiptare të dashurisë” dhe “Antologji e lirikës popullore shqiptare” përbëjnë kontributet më të rëndësishme në fushën e folkloristikës, përkatësisht të njohjes, mbledhjes, redaktimit, botimit dhe të studimit të margaritarëve të letërsisë popullore shqipe. Përtej interesimeve që lidhen me lirikën popullore të dashurisë, Nuhi Vinca shpërfaq edhe interesime lidhur me lloje të tjera të lirikës shqiptare, si bie fjala për vajtimet, lirikën familjare, këngët e motmotit, këngët e kurbetit, këngët e dasmës, këngët e trimërisë e të tjera.

Një dimension tjetër me interes për punën kërkimore dhe studimore të Nuhi Vincës ndërlidhet me hulumtimet në terren që kishin për objektiv vjeljen e lëndës folklorike, pa u kufizuar vetëm në trevën e Strugës, duke përfshirë treva të ndryshme shqiptare. Në disa biseda që lidheshin me terrenin vëreja se si kolegu ynë i mban mend shkëlqyeshëm, edhe pas dekadash, subjektet e tij të terrenit. Kjo flet për një përkushtim të madh jo vetëm lidhur me lëndën folklorike, por njëkohshëm edhe lidhur me burimet e saj.

Këtu nuk e shohim të udhës të ndalemi te krijimtaria autoriale letrare dhe te përkthimet e veprave të ndryshme letrare në gjuhën shqipe, edhe pse Nuhi Vinca është ndër lirikët tanë më të veçantë dhe ndër shqipëruesit tanë të spikatur. Përmbledhjet e shumta poetike dhe përkthimet e disa autorëve të letërsive të tjera në shqip janë dëshmi e kapaciteteve të tij kreative.

Image

Nuhi Vinca, gjithashtu, ka jetuar dhe i ka përjetuar të gjitha ndeshtrashat nëpër të cilat ka kaluar institucioni i studimit të kulturës dhe të kaluarës së shqiptarëve, por si asnjë tjetër një pjesë të këtyre përjetimeve i ka përjetësuar në një cikël të veçantë poezish, në të cilat ka shprehur dimensionin emocional që pashkëputshëm e ndërlidh me shtëpinë e tij të dytë.

Në rrafshin e kontributit shkencor monografia “Lirika popullore e dashurisë”, e realizuar si temë doktorate dhe si projekt shkencor në kuadër të planit të punës të Institutit Albanologjik, përbën kryeveprën e prof. dr. Nuhi Vincës. Në dijeninë time kjo qasje është njëkohësisht studimi më shterues që i është bërë lirikës popullore shqiptare me temën e dashurisë. Mund të thuhet se edhe interesimet e pastajme studimore të Nuhi Vincës janë të lidhura po ashtu me lirikën tonë popullore, me poetikën e saj, me vlera të dalluara artistike të saj, sikundër edhe me aspekte krahasimtare të lirikës popullore shqiptare kundruall atyre të popujve ballkanas etj.

Ribotimi i kësaj vepre në një jubile të autorit shënon sa vlerësimin e punës së tij, po aq edhe risjelljen e saj në diskutimin tonë shkencor në një kohë kur kopjet e botimit të parë nuk mund të gjenden në tregun e librit, përveçse në biblioteka të caktuara. Kjo monografi shënon përpjekjen institucionale të studimit të lirikës popullore shqiptare të dashurisë, duke përfshirë hapësirat etnike që i popullojnë shqiptarët në ish-Jugosllavi, por edhe ngulimet shqiptare në Greqi dhe në Itali, përkatësisht vlerat më të dalluara të kësaj lirike shtrirë një distancë kohore qindravjeçare.

Struktura e këtij libri përmban aspekte të ndryshme të studimit të lirikës sonë, duke filluar nga qasja metakritike lidhur me trashëgiminë tonë studimore e që në këtë kontekst përfshihet në kapitullin “Vendi i lirikës popullore shqiptare të dashurisë në botimet dhe studimet e deritashme”. Krahas dimensionit terminologjik të nocioneve të kësaj materieje, definimit të saktë të tyre, aspekteve të klasifikimit të lirikës së dashurisë, subjekteve të tyre, janë trajtuar edhe çështje me peshë të studimit të lirikës erotike shqiptare. Një pasqyrë e këtillë teorike e kronologjike e trajtimit të lirikës sonë të dashurisë, përveçse një sintezë me interes, përbën njëkohshëm edhe një hyrje në shqyrtimet konkrete të materies studimore.

Kapitulli “Aspektet motivore të lirikës shqiptare të dashurisë” trajton dimensionet shtytëse-motivuese të këtij lloji të lirikës, që ndërlidhen me jetën, situatat e këndimit të dashurisë, por edhe dimensionin artistik e tematik të dashurisë së shpërfaqur në këngët tona lirike popullore. Kontekstet e shqyrtimit të këtillë janë të shumta dhe të argumentuara me shembuj nga lirika jonë e dashurisë, që ofrojnë rrethanat në të cilat realizohet dashuria e të rinjve, kodet shoqërore përballë dashurisë, ndarjen si moment prekës në pengimin e saj, sikundër edhe format e tjera të pengimit, dashurinë e fshehtë etj.

Kapitulli i tretë, i titulluar “Transponime artistike të lirikës popullore shqiptare të dashurisë”, sjell aspekte të ndryshme të personazheve të lirikave të dashurisë, hierarkinë e tyre, përbërës strukturorë të kësaj lirike (bilbili, ëndrrat, besa, betimet, mallkimet, urimet), improvizimin, metaforën, simbolikën, poetikën e paradoksit, idealin estetik në këto këngë të dashurisë etj. Pra, në këtë kapitull autori analizon në mënyrë përimtuese disa nga përbërësit më të rëndësishëm të lirikës popullore të dashurisë.

Kapitulli i katërt “Kontinuitete ndërballkanike dhe poeti në rolin e pedagogut” vë theksin tek aspekte ndërkulturore në rrafshin ballkanik, nisur edhe nga fakti se kombet dhe kulturat në kontakt me njëra-tjetrën krijojnë marrëdhënie edhe të kësaj natyre. Natyrisht, një vëmendje ia kushton qasjes joshkencore etnocentrike, e cila shpie në përfundime mbi kinse ekzistencën e kulturave superiore dhe inferiore. Për të kundërshtuar këtë qasje, autori ka sjellë shembuj të shumtë nga këngët popullore të popujve ballkanas, të cilët këndojnë të njëjtat motive dhe në raste jo të rralla edhe me mjete të ngjashme gjuhësore, si një dëshmi e bashkëmarrëdhënieve kulturore.

Kjo monografi është e pajisur me aparaturën përkatëse shkencore, që nënkupton edhe një sintezë në gjuhët shqipe, frënge dhe angleze, burimet, literaturën dhe treguesin e emrave. Për dallim nga botimi i parë, kemi të dhënë edhe një përzgjedhje mendimesh e pikëpamjesh të studiuesve dhe të shkrimtarëve për veprën e Nuhi Vincës. Shumica e prej tyre janë personalitete albanologjike, publicistike dhe kulturore të botës shqiptare sikundër janë: Akademik Rexhep Qosja, poeti Ali Podrimja, Odhise Grillo, Adem Zejnullahu, Shpend Topollaj, Ilaz Prokshi, Tomi Mato, Vahit Nasufi, Izaim Murtezani, Fejzi Bojku, Nehat Islami, Mehmet Kajtazi, Sabit Jaha etj.

Përgjithësisht, organizimi i kësaj tryeze shkencore dhe ribotimi i monografisë “Lirika popullore shqiptare e dashurisë”, duhet parë si respekt për punën shumëdekadëshe të prof. dr. Nuhi Vincës, të realizuar si aspekt profesional në fushën e folkloristikës dhe si aspekt kulturor-artistik të realizuar në fushën e shkrimeve letrare, por edhe si nevojë që disa nga studimet më të arrira të periudhës së viteve ‘80 të aktualizohen dhe të rimerren nga brezi i studiuesve të rinj. Urojmë që prof. dr. Nuhi Vinca, të gëzojë shëndet, të ketë jetë të gjatë dhe të na ofrojë edhe kontribute të veprave albanologjike dhe artistike.

Fjalë e mbajtur në tryezën shkencore për nder të 90-vjetorit të lindjes së Nuhi Vincës