Shtojca për Kulturë

Një libër shteghapës për studimet e krimit serb në Kosovë

Strategjia serbe e kryerjes së krimeve mbi shqiptarët e Kosovës ka qenë mjaft e planifikuar. Për t’i humbur gjurmët e krimit, kanë nxjerrë kufomat e të masakruarve nga Kosova dhe transportuar ato në vende specifike në Serbi. Vetëm në Batajnicë, afër Beogradit, janë fshehur më shumë se 700 civilë të masakruar shqiptarë të Kosovës, ku nuk është lejuar as pllakë komemorative për ta, por, përkundrazi, qe iniciuar ndërtimi i një kishe ortodokse dhe, për më tepër, njësia policore e cila në vitin 1999 kishte marrë pjesë në fshehjen e kufomave ka marrë dekoratë për “heroizmin” e saj
 

Ka shumë pak studime mbi krimet serbe në Kosovë gjatë luftës së fundit. Ka një mori studimesh mbi intervenimin e shtetndërtimin në Kosovë, si nga ana juridike e politologjike, ashtu edhe në fushën e shkencave të tjera shoqërore. Por, ka pak studime që rrokin tema specifike si tema e krimeve serbe në Kosovës. Një prej librave të fundit që hap shtegun tutje në fushën e studimit mbi krimet serbe në Kosovë është “Fshehja e krimit: politikave serbe e mashtrimeve të mëdha në Kosovë”

“Pse fëmit, pse macen? Çka u kanë bâ ata?” kështu pyesin banorët e Krushës së Madhe të Rahovecit, kur intervistohen për të rrëfyer se çfarë kanë parë, si e kanë përjetuar dhe si e kanë mbijetuar masakrën e Krushës së Madhe, më 25-27 mars 1999. Forcat serbe vranë 241 civilë të paarmatosur, shumë prej të cilëve qenë fëmijë. Dogjën mbi 900 shtëpi, mes të tjerash edhe shumë institucione të trashëgimisë kulturore (xhamia e fshatit, shtëpia e kulturës, biblioteka, kinemaja) dhe shkatërruan pasuritë e fshatit, private e kolektive, duke vjedhur mjete pune, pajisje bujqësore e vrarë e vjedhur më shumë se 200 bagëti. Në varrezat e masakrës së Krushës së Madhe ende ekzistojnë vendet e shënjuara për 64 të pagjetur, që rëndojnë zemrat e familjarëve.

Në një projekt të historisë gojore të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës dhe Departamentit të Antropologjisë/UP, që po realizohet tani, po incizohen intervista me të mbijetuarit e masakrës së Krushës së Madhe, për ta dokumentuar në plotni kujtesën për masakrën, intervistë pas interviste, të mbijetuarit e masakrës, ata që kanë humbur më të dashurit e tyre, rrëfejnë për tmerrin që kanë parë e përjetuar. Rrëfejnë që të mos harrojmë kurrë se çfarë ka ndodhur në Krushë të Madhe e Kosovë, rrëfejnë edhe kundër fshehjes së krimeve nga ana e Serbisë, shpresojnë edhe për drejtësi për familjarët e tyre të masakruar. Tani më është e ditur se janë mbi 500 varre masive e qindra masakra mbi shqiptarët e Kosovës nga forcat serbe që kanë ndodhur gjatë luftës 1998-1999, dhe statistikat tregojnë se janë vrarë mbi 10 mijë, nga ta mbi 1.000 fëmijë. Janë përdhunuar rreth 20 mijë gra, janë dëbuar mbi 800 mijë, janë shkatërruar mbi 200 mijë shtëpi, me mijëra objekte të trashëgimisë kulturore. Ende janë mbi 1.600 të pagjetur.