Shtojca për Kulturë

Lufta në Kosovë u bë misioni im jetësor

Ajo ishte në gjendje të vërente atë që mua do të më duheshin vite ta kuptoja. Lufta në Kosovë u bë misioni im jetësor. Ata njerëz u bënë të mitë dhe askush nuk do t'i lëndonte ata më kurrë. Ju kujtohet, doja ta shpëtoja botën

Më në fund arritëm në vend-kampimin tonë. Disa tenda për policinë ushtarake dhe dy ndërtesa, apo çfarë kishte mbetur prej tyre. S’kishin dritare dhe pati më shumë brenda për të parë... Fëmijët vinin përmes rrethojës me gjemba (në atë kohë kishte vetëm një rend) që të na shihnin. Lypnin ushqim, dhe djemtë (ushtarët) që kishin çokollata ose ëmbëlsira ua jepnin. Dhe ja ku isha, duke qëndruar në mes të gjithë asaj, shtang.

Njëri nga djemtë erdhi të më shihte dhe më tha: “Buzëqesh Sophie!”. I thashë, vetëm që duhet ta përpija para se të mund të buzëqeshja prapë. E çfarë kishte aty për të qeshur? Shkatërrim nga të gjitha anët. Për herë të parë isha në një zonë lufte dhe nuk do t’i harroj kurrë erën, pamjen dhe të gjitha detajet e vogla të asaj dite. Ajo gruaja që kishte qenë dikur, kishte ndryshuar përgjithmonë. Ishte dita e parë e pjesës tjetër të jetës sime. Sophi kurrë më nuk do ishte ajo që kishte qenë dikur. Operacioni Kinetik kishte filluar vërtet për mua dhe realiteti më ra kokës.

Mund të përgatitesh sa të duash, të lexosh, të ndjekësh kurse, por asgjë në këtë botë nuk mund të përgatisë për zbarkim në zonë lufte. Ti i pret gjërat, mund të gjesh njerëz që të tregojnë për përvojat e tyre në vende të tjera, por ajo që sheh në vendngjarje është e veçantë. Pjesa argëtuese e pritjeve tuaja prej “Rambo” ka mbaruar. Duhet të përballesh me realitetin e më së keqes që njerëzit mund të ofrojnë. Shkatërrimi ishte i qartë, ndikimi që ai kishte te njerëzit ishte mu para fytyrave tona.

Atë natë të parë, përveç femrave të policisë ushtarake, unë isha e vetmja femër në kamp dhe ishte e pritshme të flija në çadrën time. Në ushtri, shumë djem mendojnë se ne nuk e kemi vendin aty dhe se ne jemi vetëm ngarkesë shtesë. Dy nga shokët e mi më ofruan të qëndroja me ta. Thjesht, u thashë që do të isha mirë dhe të mos shqetësoheshin për mua. Tenda ime ishte e para pranë telave me gjemba. Gjëja e parë që mund të shihja sapo dilja nga ajo tendë ishte Fabrika e Ferronikelit. Tani e di se është fabrikë e nikelit, por atëherë e vetmja gjë që dija ishte se ishte e shkatërruar e tëra dhe se e kishin përdorur për të torturuar e vrarë njerëz në të. Kur fillon t’i lidhësh gjërat në kokë mendimi se “unë mund t’ia dal dhe do të jem mirë” zëvendësohet me “nëse fëmijët mund të kalojnë përmes asaj që ishte dashur t’i mbante jashtë, çka do ta ndalonte një të rritur”. Sapo kishim mbërritur atje. As që mund ta mendonim se si do të na pritnin, dhe unë e lashë krenarinë time mënjanë dhe u thashë djemve se e pranoja ftesën e tyre.

Frikë, po. Tani mund të them që isha e frikësuar, por ndryshimi midis mendimit tim tani dhe atëherë është se tani nuk kam nevojë t’i tregoj dikujt se jam më e fortë sesa ata mendojnë. Prapëseprapë nuk kam nevojë të bëj lojëra. Po, kisha frikë se mos ndokush do t’i kalonte ato rrethoja dhe do të më vriste. Kështu që unë e kalova natën time të parë duke u ndier më e sigurt me Al-in tim të gjatë dhe atë të cilin e quanim “Kolonel”. Dy njerëz të mirë, të cilëve mund t’u besoja.

Të nesërmen, pjesa tjetër e njësisë mbërriti me automjete. Mbaj mend që Julie tha që ajo tashmë mund të vërente një ndryshim tek unë. Ajo ishte në gjendje të vërente atë që mua do të më duheshin vite ta kuptoja. Lufta në Kosovë u bë misioni im jetësor. Ata njerëz u bënë të mitë dhe askush nuk do t'i lëndonte ata më kurrë. Ju kujtohet, doja ta shpëtoja botën.

Ditët pasuese u bënë rutinë. Ne e ngritëm kampin. Ngritëm kuzhinën, mensën (vendin ku ushqeheshim), pjesën ku flinim (tenda në fillim), seksionin për furnizim dhe të gjithë “hangarët” ku teknikët do të inspektonin aeroplanët. Ishim shumë të zënë.

Zyra e parë që ata na dhanë ishte një nga ndërtesat e parrënuara. Nuk kishte dritare dhe arsyeja ishte e kuptueshme. Nëse shikonit jashtë dritareve të zyrës sonë, mund të shihnit gropën e bërë nga një bombë. Ndërtesa pranë ishte në gjendje më të mirë, përveçse brenda serbët i kishin futur të gjitha bagëtitë që njerëzit përreth i kishin dhe ua kishin vënë zjarrin. Ne i angazhuam disa njerëz të atyshëm për të ndihmuar me pastrim. Jo një punë e këndshme, por gjithsesi një punë për njerëzit që kishin humbur gjithçka. Ishte pothuajse qesharake t’i shikoje me kostumin e bardhë për materiale të rrezikshme që ua kishin dhënë. Po mendoja vetë më vete se ndoshta edhe atyre u ishte dashur të pastronin të njëjtën gjë, nëse jo edhe më keq, në shtëpitë e tyre, pa tërë ato pajisje mbrojtëse.

Disa ditë pasi mbërritëm pati një stuhi të madhe shiu. Në Kanada kjo stuhi nuk do të përbënte problem, por kur punoni me kompjuter në një ndërtesë pa dritare... Po, kaluam tërë ditën duke nxjerrë ujë nga zyrat me fshesa të mëdha industriale. Ishte më e lehtë të qeshja me këtë sesa të qaja, por në fund të ditës isha shumë e lumtur të kthehesha në tendën time e të pushoja pak. Kur mbërrita në tendën time isha aq e lagur sa më s’bëhet, kur pashë se pjesa ndarëse në mes shtratit tim dhe shtratit të Julies ishte mbushur me ujë dhe të gjitha gjërat e saj po lundronin përbrenda. Kështu që u përshëndeta me kohën për pushim dhe shkova të gjeja një lopatë. Gërmova një kanal për të nxjerrë ujin jashtë dhe larg tendës. Një djalë ushtar kaloi pranë tendës sime, pa atë që po bëja dhe në vend që të ofronte pak ndihmë ai vetëm u largua. Kjo më bëri të kuptoj edhe një herë se djemtë, nëse nuk urdhërohen, nuk ndihmojnë. Ju kujtohet, gratë në ushtri janë vetëm një ngarkesë shtesë.

Tingëllon e ulët tani, por atëherë; nuk më befasoi kjo gjë dhe unë thjesht vazhdova të bëj atë që duhej të bëja. E vetmja që më ndihmoi ishte Julie, kur u kthye. Ajo duhej të mblidhte të gjitha gjërat e saj dhe t’i varte për t’u tharë. Mund të qeshim tani, por atë ditë nuk ishte qesharake. Fjeta si bebe atë natë.

Autorja është ushtare veterane. Në qershor të vitit 1999, Sophie Boisvert Levesque së bashku me trupat e para kanadeze arritën në fshatin Korroticë të Drenasit. Historinë e qëndrimit disamujor në Kosovë dhe kujtimet që s’i janë fanitur shumë vjet pas i ka përmbledhur në librin “The Country That Stole My Heart”. Libri së fundmi është botuar edhe në shqip me titull “Vendi që ma rrëmbeu zemrën”, përkthyer nga Fadil Hoxha, pjesë e të cilit është edhe ky shkrim. Botohet me lejen e përkthyesit e të botuesit