Shtojca për Kulturë

Një “lexim” i nobelistit në gjashtë tituj

Gurnah, autor i dhjetë romaneve, mori çmimin “Nobel” për letërsi. Gazeta “The New York Times” sjell një përmbledhje të disa prej veprave të Gurnah-ut

Abdulrazak Gurnah fitoi çmimin “Nobel” të enjten. Ai është shkrimtari i parë afrikan që shpërblehet me këtë çmim në më shumë se një dekadë. Në njoftim Komiteti i çmimit “Nobel” lavdëroi “depërtimin e tij të pakompromis dhe të dhembshur në efektet e kolonializmit dhe fatin e refugjatit në hendekun midis kulturave dhe kontinenteve”. Gurnah u lindu në Zanzibar, prej ku u largua në moshën 18-vjeçare për në Angli. Të dy vendet janë prezente në veprat e tij.

Shumë prej temave që veprat e tij trajtojnë kanë të bëjnë me ekzilin, zhvendosjen me dhunë dhe identitetet e përgjysmuara.

“Memory of Departure” (1988)

Vendosur në bregun lindor të kontinentit afrikan, romani i parë i Gurnahut rrëfen jetën e një djali të ri i cili përballet me jetën nën një regjim totalitar, para se të dërgohej të jetonte me një të afërm të pasur ne Kenia.

NYT e cilëson si “një studim bindës i sfidave të një të riu për të gjetur qëllimin e tij në jetë dhe një portret i frikshëm i një shoqërie tradicionale pranë kolapsit nga skamja dhe ndryshimet e shpejta”.

“Paradise” (1994)

I vendosur në listën e ngushtë për çmimin “Booker” më 1994, ky roman fillon në Afrikën Lindore para Luftës së Parë Botërore, dhe tregon për Ysufin, një 12-vjeçar i cili jepet si shërbëtor për një tregtar të pasur. Gjatë librit, Yusuf kujton udhëtimet e tij nëpër Afrikë, bashkë me natyrën, fiset e tjera dhe rreziqet me të cilat ata përballen. Sipas NYT-it, ky roman është një “meditim prekës mbi konceptin e lirisë dhe humbjes së pafajësisë, si për një djalë të vetëm të ndjeshëm ashtu edhe për tërë kontinentin”.

“Admiring Silence” (1996)

Një narrator i paemëruar ikën nga Zanzibari në vitet ’60 për t’u strehuar në Angli, ku bie në dashuri me një grua angleze dhe krijon familje me të. Teksa lufton me racizmin në Angli, ai gjithashtu përballet me urrejtje për vetveten për faktin që e detyron veten të përshtatet me të tjerët. Romani “ka humor ‘gërryes’ dhe është i pamëshirshëm”, sipas NYT-it. “Gurnah me shumë mjeshtëri paraqet agoninë e një njeriu të ngecur mes dy kulturave, asnjëra prej të cilave nuk toleron tjetrën”.

“By the Sea” (2001)

Për t’i ikur krimit dhe korrupsionit, Saleh Omar, një 65-vjeçar nga Zanzibar, aplikon për azil në Angli. Libri detajon poshtërsitë e zakonshme të zyrtarëve të emigracionit në Britani dhe një burokraci distopike që karakterizon mundin e emigrantëve për të rifilluar jetën në një vend të ri. Rastësisht ai takon djalin e një njeriu i cili i kishte shkaktuar vuajtje të mëdha Salehut dhe familjes së tij, dhe miqësia mes tyre sjell pajtimin mes dy familjeve. Siç shkruan NYT, “është jashtëzakonisht prekëse kur Saleh Omar gjen strehim në miqësi, një lloj azili i krijuar nga përvojat e përbashkëta”.

“Desertion” (2005)

Dy tregime fatkeqe dashurie gërshetohen në këtë roman: më 1899, një aventurier britanik dhe kundërshtar i Perandorisë Britanike merret nga një këpucëtar nga Afrika Lindore. Ai më vonë dashurohet në motrën e këpucëtarit, Rehana, duke shkaktuar skandal. Dekada më vonë një akademik nga Zanzibari rikujton mjerimet e familjes së tij; si vëllai i tij kishte rënë në dashuri më mbesën e Rehanës.

“Gravel Heart” (2017)

Duke u rritur në Zanzibar, Salim nuk është asnjëherë i sigurt se pse familja e tij ndahet apo pse, siç thotë ai në fillim të romanit, “babai im nuk më do”. Më vonë, pasi një performance të shkëlqyer akademike i jep Salimit mundësinë të studiojë në Angli, ai kolapson nën peshën e pritshmërive nga familja. Sipas NYT-it, “edhe karakteret dytësore në roman kanë histori të pasura që shoqërojnë edhe ndërveprimet më të vogla – një nga kënaqësitë e këtij romani dhe një zgjedhje që e bën botën e romanit të plotë”.

Marrë nga “The New York Times”. Përktheu: Lundrim Sadiku