Shtojca për Kulturë

Skica të rralla të Basquiatit në ekspozitë online

“A Gift from Basquiat” është ende e hapur në formatin online në JGC Fine Art
 

Një pjesë unike dhe e rrallë e Jean-Michel Basquiat, që përmban vizatime të paekspozuara më parë, është shfaqur në një ekspozitë online. Një kopje e manualit të vitit 1986, “Harry’s ABC of Mixing Cocktails: More Than 300 Famous Cocktails” nga Harry MacElhone, u zbulua me ilustrime të vizatuara nga artisti i famshëm. Ky manual iu dhurua mikut të tij, Randy Gun, dhe tani është shfaqur për herë të parë. Duke paraqitur artefaktin e çmuar publikisht në një ekspozitë në formatin online me “JGC Fine Art”, Gun ka folur për mënyrën se si ai arriti ta zotërojë këtë thesar dhe kujtimet e tij për artistin enigmatik.

Gun, një muzikant, ishte duke punuar në kafenenë “Great Jones” në Manhattan në mesin e viteve 1980 kur lidhi një miqësi me Basquiat. Artisti merrte me qira një studio nga Andy Warhol në “57 Great Jones Street”, përballë kafenesë ku punonte Gun. Në një intervistë në faqen e internetit të galerisë, Gun kujtoi: “(Basquiat) hyri kur kafeneja ishte e mbyllur. Zakonisht unë bëja kafenë gati mes 3 dhe 4 (pasdite). Nëse dikush tjetër përpiqej të hynte, unë iu thosha të vinte pak më vonë. Por kur vinte Jean-Michel, e lija të hynte brenda ... Ai gjithmonë pinte margarita”.