Shtojca për Kulturë

“Vera andrron detin” – film i pasur dhe i arrirë

Me filmin e saj debutues në metrazh të gjatë, Kaltrina Krasniqi vazhdon valën e regjisoreve kosovare, filmat e të cilave trajtojnë pozitën e grave në shoqërine e tyre

Viteve të fundit, regjisoret kosovare kanë marrë vëmendje nëpër festivale të ndryshme të filmit me filmat e tyre që trajtojnë pozitën e femrave në shoqërinë kosovare (të mos harrojmë edhe filmin e vitit 2017 “Martesa” të Blerta Zeqirit që trajton jetën e dyfishtë të komunitetit LGBT). Mirëpo, viti 2021 shënon një “shpërthim” të kreativitetit të regjisoreve kosovare: Filmi “Zgjoi” i Blerta Bashollit fitoi tri çmime në Festivalin e Filmit Sundance, filmi “Në kërkim të Venerës” i Norika Sefës u shpërblye me Çmimin special të jurisë në Rotterdam, si dhe filmi “Luaneshat e kodrës” i Luana Bajramit që pati premierën në Festivalin e Filmit në Cannes dhe në Fetivalin e Filmit në Sarajevë mori Çmimin për aktoren më të mirë për kastën e shkëlqyer të tri aktoreve.

Mirëpo, prurja më e re në atë që mund të cilësohet si valë (“Vala e grave kosovare”?) është filmi më i pasur dhe i arrirë nga të gjithë: Filmi “Vera andrron detin”, një debutim i Kaltrina Krasniqit. Ky film ka pasur premierën botërore së fundmi në kategorinë “Orizzonti” në Festivalin e Filmit në Venecie .

Filmi fillon me Verën (të portetizuar nga aktorja Teuta Ajdini-Jegeni) duke ëndërruar detin. Imazhi i valëve të kaltra zëvendësohet nga Vera, një grua në mezomoshë që punon si interpretuese e gjuhës së shenjave, duke u bërë gati për punë në lajmet e një televizioni vendor. Aftësia e saj mjaft e rrallë ia mundëson një jetë relativisht të rehatshme, duke shtuar këtu edhe pensionin e burrit të saj, Fatmirit, një gjykatës i respektuar (portretizuar nga Xhevat Qorraj). Sidoqoftë, është e pamundur për Verën dhe Fatmirin të kursejnë para në një shoqëri ku mbretëron krimi. Kështu që kur ajo dëgjon se dikush po interesohet të blejë shtëpinë e tyre në fshat, Vera gjen shpresë për të bijën e saj, Sarën, një aktore dhe nënë vetushqyese (jetëzuar me një performancë emocionuese nga Alketa Sylaj, e njohur për rolin e saj në filmin “Nëntori i ftohtë”).

Mirëpo, kur Fatmiri papritmas bën vetëvrasje dhe Vera gjen trupin e tij në një skenë të përgatitur me shumë zotësi, interesimi për shtëpinë e tyre rritet jashtëzakonisht. Vendi që dikur konsiderohej i pavlerë, ndodhet në trajektoren e planifikuar për autostradë, një projekt plot me skandale korrupsioni. Një i afërm i Fatmirit, Ahmeti (luajtur nga Astrit Kabashi, i njohur për performancën e tij në fimat “Exil”, “Zgjoi”, dhe “Zana”) pretendon se Fatmiri ia kishte premtuar atij shtëpinë si dhuratë. Shumë shpejt, Vera vihet nën presion të heqë dorë nga shtëpia, si pasojë e një valë kërcënimesh të shumta nga disa burra.

Teuta Ajdini-Jegeni shfaqet në thuajse secilën skenë. Prezenca dhe performanca e saj sjellin në mendje aktrimin e Nadezhda Markinas në filmin “Elena” të Andrei Zvyagintsev. Për dallim nga personazhi i Elenës, Vera është një grua e ndjeshme, e traumatizuar, me shume dhembshmëri, por me vullnet të fortë dhe një sens të palëkundur të drejtësisë. Teuta Ajdini-Jegeni e jetëson këtë karakter përmes një kombinimi mbreslënës të metodave të qeta e të guximshme të aktrimit.

Dramaturgia dhe skenaristja e njohur Doruntina Basha, arrin të shpërfaqë elemente të shumëllojshme në një tregim dramatik që të bën për vete. Kur këto elemente bëhen bashkë e ndërveprojnë në film, efekti i tyre është shumë më i madh sesa do të ishte paraqitja e tyre pa ndonjë lidhje me njëri-tjetrin. Shoqëria patriartale dhe mënyra se si ajo kontrollon gratë paraqitet si strukturë e rrënjosur ndër shekuj, ndaj së cilës ligjet e shtetit të ri të Kosovës nuk i bëjnë ballë.

Motivi i gruas, e cila u jep zë shumë grave që mbahen dhunshëm në qetësi, funksionon si një metaforë e thjeshtë, por e fuqishme. Njashtu funksionojnë edhe ëndrrat e Verës për detin, e sidomos kur ato ëndrra janë në të vërtetë ankthe. Si rezultat i punës së regjisores Krasniqi dhe Vladimir Pavlovskit, imazhet e detit me ngjyrë të kaltër të errët krijojnë një efekt psikik për të zbutur impaktin e ngjarjeve traumatizuese të jetës reale.

Teatri eksperimental në të cilin luan Sara, pasqyron vendngjarjen e filmit. Kinematografja Sevdije Kastrati (puna e së cilës është shfaqur edhe në filmat “Martesa”, “Derë e hapur”, e “Zana”) filmon rrugët e ngjeshura të Prishtinës, duke paraqitur një vend me shi, gjithnjë në zgjerim e ndërtim, me elemente rurale e industriale, me vendpunishte në secilin qosh të rrugëve me pluhur të këtij qyteti që i ngjan një labirinti ku nuk është lehtë ta gjesh rrugën. Kur personazhi i Verës paraqitet duke komunikuar me personazhe të tjera, kinematografja Kastrati luan me fokusin e kamerës, duke përçuar kështu me lehtësi prezencën fizike dhe emocionale të Verës.

Një bashkëprodhim mes “Punëtorisë Kreative Isstra” në Kosovë, “Dream Factory” në Maqedoninë e Veriut dhe “Papadhimitri Film Production” në Shqipëri, “Vera andrron detin” shpërndahet ndërkombëtarisht nga kompania “Heretic”.

Marrë nga www.cineuropa.org. Titulli është i Redaksisë.

Përktheu: Lundrim Sadiku