Shtojca për Kulturë

“Polip” midis kuptimeve dhe dyshimeve letrare

Dita e dytë e Festivalit Ndërkombëtar të letërsisë, “Polip”, ka vazhduar me panelet e diskutimit të cilat ngrenë pikëpyetjet dhe përgjigjet për kuptimet letrare, situatat e vështira dhe triumfin e autorëve.

Arti si krijim i dijes apo i frymëzimit momental, relacioni midis gjuhës dhe krijimit artistik, rëndësia e letërsisë dhe autorët si modele të tejkalimit të situatave të vështira në periudhën e “Cancel Culture”, kanë qenë disa nga kryetemat në ditën e dytë të edicionit të 11-të të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë, “Polip”.

“Diskutim për dijen, artin dhe gjuhën” ka qenë paneli i dytë i cili simbolizoi ombrellën bashkuese të artit mes shkrimtarëve, krijuesve e kuratorëve përballë një numri të kufizuar të pjesëmarrësve në teatrin “Oda” mesditën e së shtunës.

Arlette-Louise Ndakoze, Adela Demetja, Genc Kadriu e Etrit Hasler në diskutimin e moderuar nga Sarah Hehir, janë koncentruar te mënyra e përfaqësimit artistik përmes gjuhës, dijes dhe intuitës personale.

Gazetarja, kuratorja dhe shkrimtarja e zhanrit ‘fiction’, Arlette Louise Ndakoze, ka thënë se kuptimi ekziston çdokund, vetëm se ekzistojnë disa gjëra të cilat ne i ndjejmë, por nuk mund t’i shohim.

“Limitet janë për të na dhënë një orientim për t’i arritur gjërat”, ka thënë ajo duke shtuar se vijat përkufizuese të disa krijimeve nuk kanë anë negative.

Përgjatë gjithë eksperiencës së saj mbi disiplinat filozofike, skenat letrare dhe lidhjen që i mban kulturat së bashku, ajo ka thënë se ka qenë e interesuar ta mësojë atë që nuk e ka ditur.

“Nëse ekziston diçka të cilën nuk e di, do ta mësosh”, ka thënë ajo, duke treguar kureshtjen njerëzore si pikënisje për krijime artistike.

As audienca për të nuk përbën një limit krijimi, sepse frymëzimet e saj nuk përcaktohen drejtuar atyre që do ta shohin apo lexojnë.

“Të kapësh një audiencë nuk do të thotë një kufizim, por shkon përtej saj, është një vendosje e asaj çfarë dëshiron të arrish”, ka përfunduar ajo.

Për të arti nuk paraqet një matje shifrore të njerëzve të cilët do ta njohin krijimin e artistit, por “sa thellë mund të shkojë frymëzimi”.

Në anën tjetër, gazetarja e radios që transmetohet në Berlin, SAVVYZΛΛR, ka konkluduar se meditimi është çelësi kyç për frymëzim.

Thellimi në vete, përballja me audiencën

“Meditimi është lidhja në mes të ndjesisë së energjisë dhe magnetikes”, ka thënë Arlette-Louise Ndakoze.

E kuratorja dhe drejtoresha e “Tirana Art Lab”, Adela Demetja, duke qenë se jeton mes Gjermanisë dhe Shqipërisë, ka folur edhe për dallimet e krijimit në vendin e saj.

“Në Shqipëri dhe gjithashtu në Kosovë, producentët dhe artistët jemi njerëz që krijojmë struktura sepse nuk ekzistojnë”, ka thënë Demetja. Kjo, sipas saj, nënkupton, në njëfarë forme, të bërët politikë.

“Ne përballemi me mungesën e strukturës, programit, një forme. Dhe kjo është prej çka arti mbijeton”, ka thënë kuratorja e cila njëkohësisht shkruan.

Sipas saj, suksesi i vërtetë përgjatë punës me komunitetin artistik matet nëse mund t’i ndihmosh një artisti dhe ta bësh “ta ndiejë veten”.

“Ne duhet të merremi me dekonstruktimin e asaj që duhet të ndërtohet, këtu është më ndryshe se te ju të tjerët. Gjithçka është shumë politike, burokrate, përtej rregullave”, ka thënë ajo para panelistëve të huaj.

Përderisa tematika e panelit ishte edhe gjuha dhe të kuptuarit e saj në relacion me artin, që në fillim Demetja e ka shpalosur këtë aspekt.

“E kam parë që të jesh kuratore nënkupton të merresh me kuptimet e gjërave dhe kjo dallon nga dija, metodologjia shkencore”, ka thënë ajo duke treguar vijat ndarëse.

Bohemia dhe kuptimi si vija paralele

Adela Dementja ka nënvizuar se të kuptuarit shkon më përtej dhe është më i thellë. Për të, arti duhet të jetë pa kufizimet kulturore, ekonomike dhe pritjet nga publike.

“Arti duhet të jetë nga zona reale e privatësisë dhe meditimit. Duhet të ketë më shumë eksperiencë personale dhe të jetë në terma të ekzistencës”, u shpreh Demetja.

Ndërkaq, ai i cili e sheh poetikën gati në çdo kënd të jetës është Genc Kadriu. E këtë nuk e bën vetëm përmes vargjeve të rimuara, por edhe në “tekste kuratoriale, kritika letrare, oratoria e politikanëve për ta prekur publikun”.

Për poetin e ri nga Prishtina dhe fituesin e çmimit të fotografisë, “Gjon Mili”, çka ai bën në cilësinë e shkrimtarit dhe shkrepësit të momenteve nuk është “dije”.

“Unë e përdor dijen bashkë me artistët e tjerë, si material për të krijuar art”, ka thënë Kadriu.

Sipas tij, kuptimi është më afër shkencës, teksa moskuptimi i gjërave është afër artit.

“Instinkti është më i shpejtë se kuptimi, me të realizohet arti abstrakt”, ka përkufizuar ai.

Tutje, ka theksuar rëndësinë e mbështetjes shoqërore për krijime artistike. Sipas tij, arti dhe njerëzorja janë të lidhura ngushtë dhe të pandashme nga njëra-tjetra.

“Një punë artistike nuk mund të ekzistojë pa audiencën. Është një lloj kombinimi mes njeriut dhe veprës që të dyja janë vetë arti”, ka vlerësuar Kadriu.

Limitet krijuese përballë pritjeve

Ndërkaq, metaforën poetike në një rrafsh më ndryshe e vlerësoi Etrit Hasler, poeti i poezisë ‘slam’. Ai kishte prezantuar këtë lloj të shkrimit poetik – i cili është një revoltë verbale dhe e drejtpërdrejtë para publikut për tema sociale – në vitin 2000, teksa kishte vazhduar me pjesëmarrje në organizimet ndërkombëtare të slam-poezisë në Gjermani nga viti 2001, për të debutuar edhe në skenat e SHBA-së, Egjiptit, Holandës.

“Në Zvicër kur ne kemi filluar me prezantimin e poezisë ‘slam’ njerëzit vinin dhe e shihnin një formacion të ri poetik”, ka thënë Hasler.

Ka theksuar se shkruan në gjuhën tradicionale gjermane, teksa ka përmendur se nuk mund të shkruajë për vete.

“Arti im është i varur nga audienca”, u shpreh anëtari i parlamentit nga radhët e Partisë Social-Demokratike në Zvicër. “Unë mund t’i dëgjoj mendimet e mia vetëm kur flas”, ka thënë autori.

E ka pranuar se fakti që poezia ‘slam’ shkruhet duke e menduar gjithmonë adresimin te publiku, ia limiton frymëzimet. Ndërkaq, ka përmendur edhe se çfarë do të bënte sikur do të kishte liri totale artistike.

“Kënaqësi artistike totalisht për vete, fantazi të mirë”, ka përfunduar ai, duke shtuar se kjo mund të tingëllojë pak egoiste.

Përballë fateve individuale

Ndërkaq, paneli i tretë në kuadër të ditës së dytë të “Polip” ishte “Cilët libra na ndihmojnë ta kuptojmë botën në 2021?” me panelistë Dimitris Lyacos, Nikola Maxhirov, pjesëmarrje virtuale të Slavenka Drakuliq dhe nën moderimin e Alida Bremerit.

E diskutimi për librat të cilët mund të kenë ndryshuar rrjedhën e jetës së këtyre autorëve në një kohë të vështirë për kulturën dhe mbarë botën, nuk kishte si të mos prekte edhe përvojat personale.

Gazetarja, novelistja dhe eseistja kroate, Slavenka Drakuliq, ka thënë se nuk ka kaluar kohë të lehta, për shkak të infektimit me COVID-19.

“Nuk pata mundësi të lexoj për kohë të gjatë për shkak se kam qenë e lidhur për respirator në spital”, ka thënë ajo, duke u lidhur drejtpërdrejt në teatrin “Oda”, teksa shtoi se për 2 muaj ka arritur të lexojë vetëm mesazhet e shkurtra.

“Ajo që më ndodhi më bëri të vendos që nuk jam e gatshme të bëj kompromis në jetën time”, ka përfunduar Drakuliq.

Sipas saj, jeta është vetë presionante dhe se letërsia është një lloj shpëtimi i kësaj gjendjeje.

“Për kuptimin e jetëve tona, poezia është më e afërta”, ka theksuar ajo.

Drakuliq ka thënë mosha e saj tanimë e ka bërë që të mërzitet nga literatura e gjatë dhe se e gjen veten në vargjet poetike.

“Unë dua t’i afrohem letërsisë dhe këtë e bëj me poezi”, ka thënë autorja e veprave "Holograms Of Fear", “Marble Skin”, “S – a novel about Balkans” dhe disa të tjerave.

E të njëjtin këndvështrim për poezinë e kishte kolegu nga Maqedonia, autori, redaktori dhe përkthyesi, Nikola Maxhirov. Si autor i veprave “Locked in the City”, “Somewhere Nowhere”, “Relocated Stone” dhe “Remnants of Another Age”, ai gjatë diskutimit edhe ka lexuar disa nga poezitë e autorëve të huaj.

“When in my white room” e Bertolt Brecht, e cila shpalos zymtësinë e shkrimeve të fundit të autorit në përballje me një sëmundje të rëndë, qe njëra.

“Në këso raste je më larg se momenti aktual dhe ua di vlerën gjërave”, ka thënë ai, duke treguar se në poezi autori jep shumë përshkrime të natyrës teksa ndodhet në një dhomë.

E këtë ia kishte besuar pikërisht në kohën kur vetë Maxhirov përballej me COVID-19.

“Kam qenë duke luftuar për një muaj dhe i kam parë njerëzit në spital të vdisnin si shifra statistike”, u shpreh autori maqedonas.

Ndërkaq, ajo e cila bashkoi mendimet e të tre panelistëve bashkë me moderatoren ishte te pesha që kanë autorët klasikë në letërsinë bashkëkohore.

“Ata përherë fitojnë përtej kalendarit. Janë përtej kohës historike dhe personale”, ka përfunduar Maxhirov.

Edhe autori grek i trilogjisë, “Z213: Exit”, “With the people from the bridge” dhe “The first death”, Dimitris Lyacos, ka thënë se kishte të njëjtin bindje.

“A e ndryshon audiencën poezia? Jo. E bën Dante, Homeri, Bodleri, te ta është stabiliteti”, ka thënë ai.

Sipas tij, në çdo lexim të tyre ekziston një zbulim. “Sa herë që t’i lexojmë ata, është diçka e re për të parë”, ka thënë Lyacos.

Dita e dytë e edicionit të 11-të të “Polip” vazhdoi edhe me lexime të poezive. Ishin Milica Denkoviq, Nikola Maxhirov, Jehona Kicaj, Marko Diniq, Danilo Stojiq, Stanka Radjenoviq-Stanojeviq, Alida Bremer dhe Adelina Tërshani poetët të cilët e mbushën teatrin “Oda” me frymëzimet e tyre të vargjeve.