Shtojca për Kulturë

“Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës” si shenjë e mirë

Kur Jeton Neziraj, dramaturg kosovar, më pyeti nëse mund t’ia përkthej dramën e tij të re, “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës”, unë në atë kohë jetoja në Prishtina, kryeqytetin e Kosovës, qe nja shtatë vjet. Kisha mbërritur në gusht të vitit 2005 për t’i kryer disa intervista dhe të bëja kërkime për doktoratën time, një hulumtim i strategjive të lëvizjeve të kaluara dhe të tashme kombëtare shqiptare në Kosovë.

Jeta dhe politika intervenuan dhe, në vend që të kthehesha në universitetin tim pas një viti, e gjeta veten të paaftë për ta lënë mbrapa lëvizjen për vetëvendosje, të cilën kisha vendosur qëllimisht vetëm ta vëzhgoja. Kur pati filluar, ajo ishte një lëvizje goxha anti-establishment. Aktivistët e rinj që takoja ishin të neveritur nga korrupsioni i ish-heronjve të luftës, të cilët deri atëherë ishin udhëheqës të politikës kosovare. Ata kërkonin një referendum për popullin e Kosovës, për të përcaktuar të ardhmen e tyre, dhe e kundërshtuan negocimin e kushteve të pavarësisë së Kosovës me Serbinë. Dhe ata ishin të zemëruar me poshtërimin e qeverisë së Kosovës që ia bënte misioni i KB, të cilin ata e shihnin si vonesë që e shtynte edhe më tutje pritjen e tyre të gjatë për demokraci dhe liri. Pra, në kohën kur zura të përktheja fjalët hyrëse të Rosiet, veç kisha një kuptim mjaft të veçantë të politikës kombëtare në Kosovë dhe sa të ftohtë mund të jenë dimrat.

Dy dramat e para që Jetoni kërkoi t’ia përktheja ishin tregime të errëta dhe shqetësuese. Në dramën e parë, një vajzë e vogël, Madeleine, bie poshtë në një gropë në Prishtinën e lënë pas dore; në të dytën, një njeri vret priftin që ia donte gruan e tij të vdekur. Isha e re në përkthimin e letërsisë shqipe dhe përpjekjet e zahmetshme me këto vepra ishin hera e parë që kuptoja plotësisht intensitetin e konfrontimit të përkthyesit me një tekst.

Jo vetëm që e kam kuptuar tmerrin e frikshëm të skenës, por duke shpalosur atë fjalë për fjalë, ngandonjëherë isha edhe pjesë e sikletshme e saj, sepse unë e sillja atë në jetë për herë të dytë. E pra, kur Jetoni më pyeti nëse mund t’ia përktheja dramën e tij të re, “Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës”, në nëntorin e vitit 2012, unë isha e ngazëllyer dhe paksa e frikësuar, duke shpresuar se ajo mund të ishte pak më shumë e hareshme. Dhe e tillë ishte. Ajo më bëri të qeshja dhe ende më bën të buzëqesh sa herë që mendoj për të. Më së shumti drama më ka kënaqur për shkak se ishte aq e papritur: ajo ishte shembulli i parë i vërtetë i satirës politike që kam hasur në Kosovë.

Jeton Neziraj qesh shumë, sidomos me qesharaken në jetë. Dhe ai me zgjuarsi përdor qesharaken për të bërë kritika bindëse në llogari të shtëpisë së tij.

Drama butësisht tallet me servilizmin e marrëdhënieve midis politikanëve kosovarë dhe mjeshtërve ndërkombëtarë. Ne dëgjojmë një listë udhëzimesh për censurë në lidhje me fjalët ose imazhet që mund ose nuk mund të përdoren gjatë kremtimit të pavarësisë. (Realiteti ishte edhe më i keq: ngjyrat e flamurit të Kosovës ishin të kushtëzuar nga diplomatët ndërkombëtarë dhe shakaja mbi himnin pa fjalë është krejt e vërtetë.) Por, ne gjithashtu zbulojmë se kosovarët, edhe pse vartës, kanë mësuar ta manipulojnë padronin e tyre të ri, duke i fshehur armët që i kanë fshehur gjithmonë; ose, siç është rasti i Rozit, duke i përdorur njerëzit e të dy elitave për ta çuar më tej karrierën e saj. Akronimi i këngës ndërkombëtare duhet të jetë një nga skenat e mia të preferuara: një tallje e shkëlqyeshme në përplasjen e çuditshme të kulturave që ndodhi kur OKB filloi administrimin e Kosovës në vitin 1999.

Jetoni ruan zemërimin e tij më të madh për “heronjtë” e Kosovës. Nëpërmjet Sekretarit, ai pamëshirshëm tallet me pompozitetin dhe arrogancën e tmerrshme që mbështet budallallëqet e elitës së korruptuar shtetformuese të Kosovës. Ai gjithashtu na ofron shikime të zymta të boshllëkut në zemër të shtetit në prag të shpalljes së pavarësisë – ne mësojmë se buxheti për kremtimet e pavarësisë po derdhej në xhepat e Sekretarit; dhe bile edhe Drejtori do të merrte hisen e vet. Ndërkohë, ankesat e vazhdueshme të Rosiet na bëjnë me dije se rrogat e aktorëve nuk janë paguar me muaj të tërë. Është Dilo ai që përmbledh cinizmin e tyre: Kur Jamesi shpjegon planin e tij heroik për të fluturuar rreth botës për t’i bindur vendet që ta njohin Kosovën (bazuar në një histori të vërtetë, meqë ra fjala) Dilo impresionohet vetëm atëherë kur Jamesi thotë se do të hapë një xhirollogari bankare për të marrë donacione.

Megjithatë, nëpërmjet Jamesit dhe fluturimit të tij të çmendur, Jetoni po ashtu na përkujton qetë se të besuarit në shtet dhe mbrojtja e tij mund të përfaqësojnë sinqeritetin e pafajshëm e qytetarit të zakonshëm. Jamesi është ai që ia përkujton Regjisorit se “secili ka të drejtë ta thotë atë që mendon.” Ai është i vetmi personazh që vuan pasojat për idealizmin e tij të marrë. Pasi aeroplani i tij përplaset në teatër, Jamesi hospitalizohet dhe burgoset. Në Kosovën e pavarur, ai mbetet i varfër dhe i papunë, duke u shitur balona fëmijëve në sheshin kryesor.

Derisa e përktheja dramën, kuptova se ajo ishte dramë e guximshme – dramë e guximshme në Kosovë, ku një censor i padukshëm vepron kur bëhet fjalë për shenjtërinë e çështjeve kombëtare. Gjaku dhe pikëllimi janë ende të freskët, ndërsa projekti kombëtar ende i papërfunduar, për ta bërë satirën politike profesion për të qeshur. Jetoni humbi punën e tij si drejtor i Teatrit Kombëtar, për shkak se kapërceu një linjë të padukshme duke pranuar një ftesë për të dhënë një shfaqje në Serbi. Kur Regjisori i shfaqjes thotë: “Ne jemi tash, si ta them këtë, pjesë e qeverisë, apo jo”, pasi Sekretari e ka ngarkuar atë me dramën e pavarësisë, Jetoni na përkujton se sa lehtë arti mund të bëhet instrument i politikës në kohën e pasigurisë së thellë.

“Fluturimi mbi Teatrin e Kosovës” po ashtu ndodh të jetë e vetmja dramë që kam përkthyer, deri më tani, e që unë kam qenë mjaft me fat për ta parë në skenë. Derisa ecja me hapa të rëndë nëpër borë për të blerë bileta për vete dhe për një grup aktivistësh të Vetëvendosjes, më thanë se shfaqja ishte anuluar. E hutuar, e thirra Jetonin, i cili u shfaq jo shumë kohë më pas, që kishte folur me kujdestarin e teatrit, dhe më tha se po, shfaqja do të jepet. Problemi ishte se njerëzit në qeveri ishin duke u përpjekur për të ndaluar atë, shpjegoi ai. Çfarë sinjali më të mirë se kur satira politike godet cakun e saj? Në ironinë përfundimtare dhe të përsosur, po të njëjtët zyrtarë jozyrtarisht inkurajuan një grup poterexhinjsh tifozë të klubit futbollistik Prishtina që ta ndjekin shfaqjen me qëllim që ta prishin atë. Pasi u ulën në teatër, megjithatë, tifozëve iu duk shfaqja aq zbavitëse saqë harruan të protestonin. Kjo është shenjë e mirë për Kosovën dhe kjo tregon se sa magjepsëse është drama e Jetonit.

Përktheu: Fadil Bajraj. Ky shkrim është botuar për herë të parë në njërin prej uebsajteve më të rëndësishme për teatër, NITE news. Alexandra Channer është analiste politike, e specializuar në të Drejtat e Njeriut. Ndërmjet viteve 2005 dhe 2013 ka jetuar në Kosovë, ku ka punuar në doktoratën e saj, si dhe është marrë me përkthime e mësimdhënie. Ajo, gjatë kësaj kohe, ka qenë edhe aktiviste e lëvizjes Vetëvendosje. Titulli i këtij shkrimi është i Redaksisë