(Lumi qiellor)
Para se të bëhej regjisor, Bekim Lumi ishte recitues. Deklamonte poezi në shkollë fillore, në gjimnaz, e kur erdhi në studime ishte deklamues i njohur. Por ai nuk mjaftohej vetëm me recitim, ndonëse zërin e tij të kadifenjtë dhe ndjenjën me të cilën përcillte vargjet të cilat nganjëherë shoqëroheshin me tinguj kitare, që admiroheshin nga të rinjtë, sidomos studentët. Shkruante poezi, por rrallë.
Në vitet kur po binte perdja e hekurt e komunizmit në trojet arbërore, Bekimi organizonte tribuna e debate, intervista skenike e mbrëmje letrare në të cilat promovonte letërsinë moderne. Në të gjithë këto ngjarje që i praronte dora e tij, ndihej fryma e regjisë e deri në milimetra shenjohej lëvizja e artistëve dhe e krijuesve në ambientet skenike, sidomos në Sallën e Kuqe të Fakultetit Filozofik në Universitet të Prishtinës.
Por këto ngjarje nuk zgjatën. Ambientet po mbylleshin për publikun, lexuesit e letërsinë shqipe. Kafenetë nuk ishin zgjidhje. Poezia e mirë po krijohej gjithnjë e më rrallë. Bekimi zgjodhi të studionte regjinë e teatrit në Tiranë. Ne që e njihnim, besonim shumë që do të zhvillohej si regjisor. Në një vizitë që ia bëra në Tiranë në pranverën e vitit 1993, e pashë një Bekim tjetër. Tërësisht të dhënë pas teatrit. Nuk e ngacmova për poezinë. E lashë ta merrte malli vetvetiu për të. Por ai ishte thelluar edhe në shkrim. Më vonë e kuptova.
Përveç në teatër, ku mbetet gjeneral i papensionuar, Lumi ka lënë gjurmë në jetën letrare e kulturore të shqiptarëve, duke e përfshirë këtu shkrimin, mësimdhënien në regji, pastaj publicistikën, diskursin shkrimor e studimor e deri te gazetaria e kulturës dhe intervistat me krijues në radio ndërkombëtare e revistën “Loja” të cilën e themeloi vetë. Nervi i pazakonshëm edhe për disiplina të tjera artistike, nuk e pajisin me aksesorë, por e thellojnë krijuesin e disiplinuar, të informuar e të talentuar.
Në këtë libër që po e lexojmë së bashku, Beka edhe kur krijon vargje, mjetet shprehëse poetike i sheh me gjuhën skenike. Ai përdor ngjyrat, dritat, kompozicionin, lojën, mizanskenën, e në fund të gjitha i vesh me kostumet, ose i zhvesh në detajet origjinale edhe skajet e kostumeve – atribueset që shfaqen në poezitë e librit “Engjëlli blu”.
Engjëlli blu përmbi shi
Poezia, ky art filigranist të cilën e kishte për zemër krahas teatrit, thyhet si mejtim e i drejtohet qiellit dhe thellohet me të. Engjëlli i tij është i kaltër (por Bekimi e shkruan blu), ndërkaq shiu i kësaj poezie merr epitete: (i mërzitshmi, i tejdukshmi, i pangjyrshmi, i lagështi, i ujti, i pikshmi, i qullti), ose edhe në një poezi tjetër: çon atëherë dashni shiu. Ndonëse për fenomenin shi, për atmosferën shi, për shoqëruesin shi, janë shkruar vargje nga poetët e të gjitha kombeve, e edhe nga poetët shqiptarë, ky variant mes figurash shiu nuk njihet të jetë thurur në asnjë fjali të vetme. Të shtatat janë diskurs origjinal i Lumit, kurse pas tyre ai thur gjendje të pikave të shiut si në akuarel të cilat i quan pikëza. Ato marrin trajtën e interpretimit, vijnë: të pasqyrta, të befshme dhe me ngjyrim bardh e zi si në filmat alla Çaplin.
Figura e engjëllit blu diskursohet me figura të zgjedhura me kujdes e me gjuhë të sofistikuar. Shprehjet antitetike: i pikon, i mvrejtun, i trembun, i drojtun, i ambël, i këputun, në shkallët e mermerta i mbledhun kruspull; pastaj gjetje të rralla figurash si: “i carrok i braktisun”; dhe tjetra “me sytë e ullinjtë turbullue nga andrrat e l’byrta”, mandej “i shkrepëse pa zjarm” dhe figura tjetër krahasuese “n’trishtim ma t’zi se korbi i Edgar Allan Poe-së”.
Libri “Engjëlli blu”, fluturon përtej pamjes, rrëfimit – edhe kur rrëfen. Ai është klasik edhe kur ndez tema urbane; ai është modern edhe kur e shenjtëron traditën.
Më shumë se sa parimësinë e të ndjekurit të teorive letrare, të shkollave letrare, të figuracionit, Lumi ka ndjekur vijueshmërinë e parimit estetik. I mbushur poezi, dikur si recitues i autorëve klasikë e modernë, Bekimi, poezinë e shihte si mbushje. Mandej, edhe dijet e pakufishme që i kishte gjatë punës si profesor i regjisë dhe regjisor në teatër, shigjetuan një poezi klasifikisht skenike, ndonëse datat e shenjuara në fund të poezive, na lënë të kuptojmë që pjesa më e madhe e këtyre vargjeve janë shkruar gjatë periudhës së studimeve në Tiranë.
Nana drithëruese
Figura e Nanës në poezinë e Lumit vjen jo vetëm si eçtim. Ai është gërshet i thurur me stil ku fjalët në pesë vargje përbirohen të ndërtuara papritur si fletë malli e petale diskursi për djalin student që nuk e kishte parë Nanën kohë të gjatë:
U eçtova
Krejt detin e piva
Më zuni malli
Nanë
Sa i kripun ky loti yt
Pas mallit të prajshëm që gërryen në vargjet e mësipërme, poezia “Of Nanë”, që nga titulli, ngjitet mbi klithma, ndërtohet ngjitas ekspresivitetit. Kjo poezi e tipit bisedor është lexim i mëtejshëm i mallit për qenien Nanë e cila te Lumi vjen edhe si mall sipëror, kuptim i thellë e herë-herë si përulësi me kast përballë mungesës. Mandej vjen falja e në klithmë Nana bëhet Nanloke:
Oj Nanë
Pashë Zotin m’fal Nanloke
Edhe k’saj here
Si bojaxhi i keq që jam
Flok’t me gëlqere të bardhë mërzie t’i ngjyrosa
Kjo metaforë vizuele rrit mbi vete fajësinë e asaj që Lumi nuk e shenjon si brishje të harresës, as lutje për të, por kulm të klithmës. Edhe poezia “Dorasit e luleve” është po ajo krijesë që i shëmbëllen thjeshtësisë, ndonëse në pikëzimin tematik është e ndryshme me apokrife. Në këtë krijim, sikurse disa nga poezitë e tjera të Lumit, vargu i jep atribute befasuese vargut pararendës:
Me thikë jo
As me revole
Me dorë
Vrasin
Dorasit e luleve
Pentagrami biblik
Segmenti origjinal i poezisë midis dy kopertinash të “Engjëllit blu” janë poezitë e ndërtuara mbi pentagram biblik. Lumi e ka njohur mirë Biblën, ka frekuentuar bashkësi ungjillore kudo ku ka jetuar, madje zëri i tij është regjistruar si kolanë leximore biblike të variantit gegnisht para dy dekadash në SHBA. Në poezitë frymëzim nga Bibla, ai lidhjen e bën me trungun e një toke që është përjetim i tij, si te poezia “Libri i Zanafillës”:
Në fillim shtatë shtrigat morën
Lotin
Gjakun
Thikën
Dhe me to krijuen një gadishull
Me emnin Ballkan
I futën frymën e urrejtjes
Dhe gadishulli nisi
Me vdekë
Krijimi që e përball urrejtjen brenda tekstit poetik, shkon përtej Frymës Biblike, duke ndërtuar kështu një koncept të pasur poetik ku përfshin edhe personazhin jashtë biblik të Gilgameshit, e bashkë me të ndërton ndërlidhjen e dy kodeve letrare, që të dyjat, të papërmbajtura në rrugëtim e në kërkim të urtisë. Por e pathëna ndeshet në vargun e vetëm lirik, në fund të vjershës ‘Përmbytja’:
Kur Hyji shpalli lajmin e
Përmbytjes në arkën e Noes u futën të
gjithë gilgameshi u fut në barkën e
utnapishtimit si mëkatar e notar i
keq që jam në detin e
Syve tu sall unë
U mbyta
Lutja Biblike e Lumit vazhdon në krijimin tjetër të këtij cikli, në triptikun “Shujta Atdhetare”. Ndryshe nga të tjerat, vijëzimi biblik në këtë triptik është lutje shqiptare drejtuar Zotit. Ndërkaq poezia apokrife i ndesh notat e tekstit biblik me ato të tekstit poetik përballë të cilave përbirohet thjeshtësia e krijimit:
Të shtatën ditë të Krijimit
Hyji nuk pushoi
Por në çehren e vet
Maroi lulet
Cikli i poezive biblike, sa është përshpirtje po aq është e dukshme si diskurs modern. Gjuha si qendër e si pikëpamje është kërkuese, e natyrshme, kurse detaji deri në milimetër, shfaq vështrim e jo zbukurim, pra, del më e gjerë, më e lehtësuar e më pak figurative. Vargjet si këto sjellin ritëm dhe muzikalitet, ndryshe nga puna e regjisorit plot thyerje e lojë që të ndalin frymën. Prandaj, ngjyrimi që shfaq në poezitë midis dy kopertinash, sjell komunikim drithërues.
Filigranisti i gjuhës
Bekim Lumi është mjeshtër. Fuqia shijehollë e skenës, fillimin e ka pasur në artin më të hollë – poezinë. Gjuha e Bekimit nuk është e zakonshmja. Askund në libër nuk ndeshim zbehtësi fjalësh, zbehtësi mendimesh, por shquajmë togfjalëshat e përsosur si: vorr pa penxhere, nektar shtrigash, vdekje ekzakte, “lteri i qiellës, lot vajtojcash, supe akrepash”. Ai u vë pikën vargjeve që ndriçojnë skuta si:
Heronjtë vetëm djathtas vdesin;
Flok’t me gëlqere të bardhë mërzie t’i ngjyrosa;
Kur çon dorë me e hjekë krejet plisin;
Tue rrjedhë ashtu përrallshëm;
Çadrat e urrejtjes i hapin njerëzit;
Bebëzat e synit ia peshkojnë me grep;
Siç var degët shelgu i vajtimit;
Emnin tand nder dhamë e kafshova;
Szjarrminë e ballit sipri ty ta hodha;
Gurë varresh pa emën mbetën cungjet;
Buzën ia shkrumojnë t’ligat e ujit.
Segment tjetër i gjuhës poetike, është gegnishtja e librit. Bekimi ka qenë përherë bir i gegnishtës, duke i perceptuar artet te bukuria e gjuhës. Besonte edhe atëherë kur gjuha e poezive Buzët e Evropës dhe Sytë e Evropës është më sarkastike dhe ekspresive se sa e poezive të tjera.
Poezia nuk është teatër, as si perceptim, as si madhësi. Prandaj, i vetëdijshëm që shpërthimi poetik është më sublim, më minimalist sesa i teatrit, Lumi i lidh fjalët e shpërthimit me penj të hollë, asi të padukshëm, por të fortë. Gjuha teatrale në këtë libër është e kthyer së prapthi, për të mos thënë është e përmbysur duke mos lejuar që puna e tij e përditshme, puna e tij e përnatshme – teatri, të mos i prekë fijet e mbështetjes karshi poezisë. Me gjuhë poetike, ai nuk i kundërvihet teatrit. Ai luan me gjuhën dhe e bën atë përtej së qenit poetike. Dhe e gjen të beftë, befasisht të beftë.
Në “Engëlli blu”, nuk ndeshim parakalim vargjesh, parakalim figurash, as gjendjesh. Vargjet e as gjendjet nuk janë të holluara me substancë tjetër. Ato nuk lexohen të përfshira si nëntekst. Testamentin poetik, Lumi e shëndosh Testament, me mbështjellje nënteksti:
Jo ditën e vdekjes
Mbi rrasë të vorrit
Ma shkrueni ditën
Që u mërgova.
Këto vargje midis dy kopertinash libri, janë vetëm disa nga pikëshikimet artistike të Bekimit. Shfaqjet e tij teatrore vazhdojnë të kujtohen, të paktën nga ky brez po se po. Shkolla e tij regjisoriale do të vazhdojë të mbetet ajo që e la; e fuqishme, minimaliste, kreative. Mungon vetëm Lumi.
I sfiduar konvencionalisht, Lumi në këtë krijim ndërton poezi pa pasur para saj asnjë model pasqyrimi. I ka mjaftuar frymëzimi, shija e hollë dhe gjuha.