Shtojca për Kulturë

Artisti Oscar Murillo i kthehet shkollës fillore me projekt

Jetët private, interesimet dhe obsesionet e më shumë se 10 mijë filloristëve nga mbarë bota janë bërë bashkë nga artisti, Oscar Murillo, për t’u shfaqur në shkollën e tij të dikurshme. Ideja e projektit është fare e thjeshtë. Duke filluar nga viti 2013, ai u dërgonte shkollave pëlhura boshe, ku iu kërkonte atyre që t’i vendosnin në tavolina ashtu që nxënësit nga 10 deri në 16 vjeç të mundë të vizatonin në to për një periudhë të caktuar kohore – të shkarravisnin, të shkruanin apo të shënonin çkado që donin.

Gjatë pushimeve verore, ato do të shpalosen në sallën e sporteve në “Cardinal Pole Catholic School” në Hackney të Londrës. Shembuj të tyre do të shpalosen në ekrane dhe paraqitje të tjera të veçanta. Të tjera janë stivuar si një bibliotekë referencash. Murillo, fitues i çmimit “Turner”, ka krijuar edhe vepra të reja artistike duke përdorur edhe kanavaca të thurura bashkë.

Image
Projekti sjell 40 mijë kanavaca nga fëmijë prej 34 vendeve. Foto: David Levene/The Guardian

Kur ai filloi projektin, Murillo ka thënë se po mendonte për “pastërtinë në vizatim. Ndieja që, historikisht, artistë si Picasso apo Dubuffet diskutonin idenë e vizatimit në terma të pastërtisë. Në rastin tim, unë doja të qëmtoja këto ide drejtpërdrejt nga burimi: fëmija”.

Kanavacat e mbledhura – 40 mijë prej tyre – ngërthejnë një energji të vetëdijshme e të pavetëdijshme të mendjeve të reja në më të thellën dhe fluidën e tyre, ka thënë ai.

Projekti është quajtur “Frequencies”, që do të shpaloset në shkollën e tij të vjetër.

Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Salih Mehmeti

Image
Kanavacat e mbledhura ngërthejnë një energji të vetëdijshme e të pavetëdijshme të mendjeve të reja