Të shkruash për temat e barazisë gjinore, për të drejtat e pakicave etnike, racore, gjinore, seksuale, brenda koordinatave të ideologjisë së multikulturalizmit, është kushti për të qenë shkrimtar i “suksesshëm”. Me qëllim që të bëhesh shkrimtar-hisedar në buxhetin e ndarë për botimin dhe përkthimin e veprave brenda strategjisë politike për “luftimin e urrejtjes dhe të stereotipave paragjykues të popujve të konfliktuar” përmes veprimtarive kulturore, e preferueshme do të ishte që, bie fjala, trajtimin e temës së luftërave në ish-Jugosllavi.......
Hyrje
Në fillim të viteve ‘90, në shkencën tonë letrare është ngritur për diskutim dhe është problematizuar çështja e fatit të shkrimtarëve dhe të letërsisë së eks-komunikuar gjatë periudhës së diktaturës komuniste. Por, gjatë kësaj periudhe kohore nuk është problematizuar letërsia e “vet-ekskomunikuar” apo, thënë ndryshe, nuk është ngritur për diskutim e nuk është problematizuar fenomeni i jetëshkurtësisë së veprave letrare të shkruara gjatë periudhës së komunizmit në veçanti, si dhe të jetëshkurtësisë së një korpusi jo të vogël veprash letrare në letërsinë shqipe, në përgjithësi.
Si u bë që të rrënohet etikisht një prirje letrare, siç ishte realizmi socialist, e cila gjatë diktaturës komuniste konsiderohej si arritja më e lartë për kulturën letrare shqiptare? Pse baladat, legjendat apo eposi i kreshnikëve, si forma letrare në krijimtarinë gojore, tashmë e kanë lënë në harresë çdo pretendim për epërsi hegjemone të realizmit socialist në letërsinë shqipe në rastin e parë dhe, në rastin e dytë, çdo pretendim për epërsi hegjemone të një pjesë jo të vogël të letërsisë të krijuar mbi bazën e doktrinës estetizante në Kosovë gjatë viteve ‘70 të shekullit të kaluar? Si është e mundur që të vërtetat thelbësore për gjendjen tonë njerëzore dhe për mënyrën e të qenët tonë në botë të na i kenë shqiptuar larg më thellë baladat apo eposi ynë i kreshnikëve sesa një pjesë e madhe e letërsisë sonë bashkëkohore? Si është e mundur që të vërtetat thelbësore për gjendjen tonë të sotme njerëzore më parë sesa shkrimtari shqiptar bashkëkohor, të na ketë zbuluar – më në thellësi dhe më në gjerësi – para, bie fjala, më se 200 vjetësh Balzaku apo Dostojevski?
Një vështrim fenomenologjik i autenticitetit – si ideal moral i subjektit krijues – në krijimtarinë letrare shqiptare, do të na ndihmonte për të hedhur dritë mbi fenomenin e “vet-ekskomunikimit” të një pjese të letërsisë shqipe apo edhe të gjithë atij korpusi letrar të parealizuar artistikisht mu për shkak të mungesës së Unit autentik në procesin e refleksionit artistik.
Autenticiteti si ideal moral
me dimensionin e vet ontologjik, etik e estetik, është kategoria bartëse e idesë së mënyrës së përkujdesjes së vetes sonë në marrëdhënie me botën. Autenticiteti është forca lëvizëse e vetëdijes për kapërcimin e vetes sonë nga gjendja e “sendit të hedhur në botë” (Heidegger) në gjendjen e një subjekti të ndërgjegjshëm për pozitën në angazhimet për ndërtimet kuptimore në marrëdhënie me botën. Nëpërmes autenticitetit, një subjekt mund ta dëshmojë subjektivitetin e vet: të qenët vetërregullues dhe kreativ i parimit të vet veprues në botë.
Autenticiteti, si ideal moral dhe si gjendje intencionale e vetëdijes, është një nga udhëzuesit e mendjes letrare që e përcakton karakterin e marrëdhënies së ndërgjegjes artistike me Unin (individual, kolektiv) në procesin e “zbulimeve” të kuptimeve për mënyrat unike të të qenët tonë në botë.
Njohja e qenies së autenticitetit në krijimtarinë letrare në këndvështrimin fenomenologjik nuk ka të bëjë me çështjen e njohjes së ndikimit të një letërsie prej një tjetre: për identifikimin e zonave të ndikimit (gjinive, zhanreve, llojeve, ideve, temave, subjekteve, strukturave kompozicionale etj.) të letërsive të ndryshme në njëra-tjetrën. Të njohësh qenien e autenticitetit në letërsinë shqipe do të thotë të njohësh qëndrimin e vetëdijes së Unit, si një nga fakultetet më të larta të organizmit shpirtëror të realitetit letrar artistik; të njohësh se si dhe sa mendja letrare – si instrument i “zbulimi” të të vërtetave të mënyrës sonë unike të të qenët në botë – ka arritur të (mos)jetë në bashkësi me vetveten dhe tjetrin pikërisht duke (mos)qenë e hapur ndaj të vërtetave për mënyrat e ndryshme të të qenët tonë në botë.
Për shkak se natyra e problemit, të cilin e kemi identifikuar këtu, nuk bie në domenin e konceptit të estetikës kantiane, por në domenin e konceptit antiestetik hajdegerian për artin, në këtë artikull vëmendja jonë nuk do të përqendrohet tek objekti estetik, por te subjekti si bartës i veprimit në marrëdhënie me objektin estetik.
Liria dhe e vërteta si përbërës të autenticitetit
Liria, si një nga prirjet themelore morale, është qenësia e përmbajtjes së konceptit të autenticitetit. Krijimtaria letrare është një nga format e angazhimit shpirtëror të njeriut për zgjerimin e kufijve të lirisë. Njohja që sjell veprimtaria artistike letrare është e pandarë nga liria dhe identiteti. Ne njohim për aq sa veprojmë për të qenë të lirë dhe jemi të lirë për aq sa veprojmë në njohje. Në këtë kuptim mund të themi se krijimtaria letrare është e njësuar me kërkesat e autenticitetit.
Arti (letrar) është shënjuesi i së vërtetës, është rruga përmes së cilës ndodh e vërteta (Heidegger). E vërteta në art – sipas Heideggerit – ndodh si rezultat i konfliktit midis fshehjes dhe zbulimit. Zbulimi i së vërtetës së Qenies si një e tërë në vetvete është i pamundur kur ajo kalon përmes rrugës së zbulimit të qenies së pjesshme të fshehur. Qenia e fshehur e pjesshme e fsheh të vërtetën e Qenies si një e tërë në vetvete. Letërsia e madhe synim të vetin e ka zbulimin e së vërtetës së Qenies së fshehur si një e tërë në vetvete dhe, përmes saj, qenies t’ia mundësojë të jetë vetvetja. Prandaj, ajo mbetet “zbuluese” për të gjitha kohët. Mund të thuhet se kjo është arsyeja ontologjike e epistemologjike se pse më shumë sesa përmes veprave të letërsisë bashkëkohore shqipe, hermeneutikën e realitetit të qenies politike, morale, ideologjike, sociale e ekzistenciale të epokës sonë në hapësirën tonë, ne sot mund ta kuptojmë shumë më qartë nën dritën e zbulimeve të të vërtetave të shkrimtarëve të mëdhenj të epokave të kaluara, si: Eskili, Shekspiri, Servantesi, Goethe, Balzaku, Dostojevski etj.
Uni joautentik si simptomë e mungesës së idealit të autenticitetit
Si në fazën “paraartistike”, ashtu edhe në fazën artistike të krijimit, Uni del të jetë “njëkohësisht veprues dhe produkt i veprimit” të vet (Fichte). Uni është burim i njohjes dhe vetënjohjes. Ai është parimi organizues i të gjitha përvojave parafytyrimore, vrojtimore, morale e volotive të subjektit krijues. Strukturat e paqëndrueshme organizuese të elementeve parafytyrimore, vrojtimore, perceptimore etj., brenda artit letrar, janë pasojë e vetë paqëndrueshmërisë së Unit, dukuri kjo e cila shkaktohet nga dobësimi dhe rrënimi i idealit të autenticitetit. Uni i paqëndrueshëm (joautentik), mendjen letrare e shndërron në një zonë sizmikisht aktive përballë tërmeteve të kohës, qofshin ato edhe të një magnitude tejet të ulët.
Cilat janë metodat me anën e të cilave Uni, si bartës i identitetit, heq dorë nga vetëdija për përvojat vetjake?
Janë dy metoda të cilat e bëjnë të mundshme ruajtjen e iluzionit për ekzistencën në vazhdimësi të vetëdijes së Unit për përvojat vetjake: a) metoda e mashtrimit dhe b) metoda e vetëmashtrimit.
Në rrafshin politik, marrëdhënia e sotme mohuese ndryshe nga marrëdhënia e djeshme glorifikuese ndaj ideologjisë komuniste dhe në rrafshin estetik letrar, marrëdhënia e sotme mohuese ndryshe nga marrëdhënia e djeshme glorifikuese ndaj doktrinës së realizmit socialist, diktohet pikërisht nga nevoja e korrigjimit të integritetit moral të Unit të cenuar nga mashtrimi apo vetëmashtrimi. Vetëmashtrimi është fuqia shkatërruese e kufijve midis hapësirës së brendshme dhe asaj të jashtme, e cila, për rrjedhojë, e pamundëson Unin të dallojë se çfarë është e rëndësishme nga ajo se çfarë është e parëndësishme në raport me synimet, dëshirat, ndjesitë, perceptimet, vëzhgimet, ëndrrat, pasionet etj.; në procesin e rritjes së vetëdijes për veten. Përmes vetëmashtrimit, Uni e shuan tensionin e thellë të brendshëm që ekziston midis gjendjes së vërtetë natyrore (fakticitetit) dhe dëshirës për tejkalimin e saj (Sartri). Kjo është gjendja radikale e humbjes së dallimit midis hapësirës së brendshme të autentikes nga joautentikja.
Simptoma e ekzistencës së qenies joautentike të Unit, e materializuar në krijimtarinë letrare të realizmit socialist, është dukuria e “korrigjimit” pas rënies së komunizmit të veprave të shkruara gjatë kohës së komunizmit, “korrigjime” këto të cilat nuk janë të natyrës stilistike-formale, por të natyrës botëkuptimore, sepse ndërhyjnë thellë në hermeneutikën e idesë artistike të veprës letrare. Duke përdorur metodën e vetëmashtrimit, letërsia jonë stereotipet e djeshme të realizmit socialist, pas rënies së komunizmit do t’i kthejë me kokë poshtë: i djeshmi satrap Ahmet Zogu, pas rënies së komunizmit, do të shndërrohet në aristokrat; dezertorët e djeshëm të fronteve të punës, në heronj të lirisë ekzistenciale; heronjtë denoncues të djeshëm të kulakëve e bashkëpunëtorëve të armiqve të popullit, në kriminelë të sotëm; seksualiteti i ndrydhur, në perversitet seksual etj. Besimi i gabuar apo mashtrimi, i cili dje Unin do ta shpinte në gjendje joautentike, sot pretendohet të korrigjohet përmes vetëmashtrimit, i cili Unin e zhyt më thellë në gjendjen e joautenticitetit.
Në qoftë se në kushtet e Unit joautentik, i cili është rrjedhojë e zbatimit të metodës së mashtrimit, shkrimtari do të shkruajë në bazë të urdhëresave të jashtme, krejtësisht të dukshme të “autoritetit publik” (siç është rasti me metodën e realizmit socialist në kohën e komunizmit, por edhe në raste të tjera në shoqëritë totalitare, ku janë evidentë urdhri dhe urdhërdhënësi); ndërkaq, në kushtet e Unit joautentik, i cili realizohet përmes metodës së vetëmashtrimit, shkrimtari shkruan i diktuar nga “autoriteti anonim” (Erich Fromm), tek i cili janë të padukshëm urdhri dhe urdhërdhënësi. Vetëmashtrimi është një lloj i mazohizmit moral në kushtet e shoqërisë së konsumit e të propagandës konsumiste (siç është rasti me mendjen politike sunduese të kohës sonë, e cila diktohet nga multikulturalizmi, si trajtë e ideologjisë liberale e neoliberale), ku Uni, me qëllim të natyralizimit dhe normalizimit me faktin e rënies në gjendje joautentike, e deterritorializon hapësirën e idealit moral të autenticitetit duke e braktisur identitetin e vetëdijes së vet për t’iu nënshtruar pa kushte urdhrit dhe urdhërdhënësit të padukshëm të “opinionit anonim”. Të shkruash për temat e barazisë gjinore, për të drejtat e pakicave etnike, racore, gjinore, seksuale, brenda koordinatave të ideologjisë së multikulturalizmit, është kushti për të qenë shkrimtar i “suksesshëm”. Me qëllim që të bëhesh shkrimtar-hisedar në buxhetin e ndarë për botimin dhe përkthimin e veprave brenda strategjisë politike për “luftimin e urrejtjes dhe të stereotipave paragjykues të popujve të konfliktuar” përmes veprimtarive kulturore, e preferueshme do të ishte që, bie fjala, trajtimin e temës së luftërave në ish-Jugosllavi – në emër të një humanizmi abstrakt prej të cilit, përmes ironisë nihiliste, përjashtohet e vërteta dhe e drejta – ta bazosh në premisat e logjikës instrumentale të mendjes mbisunduese politike: “Nuk ka luftëra të drejta dhe të padrejta: në luftëra të gjithë janë fajtorë dhe të gjithë janë bashkëvuajtës; të gjithë janë viktima dhe të gjithë janë kriminelë”.
Dilema etike e autenticitetit ka të bëjë me faktin se arti ynë letrar përmes Unit joautentik ka pretenduar se ka “zbuluar” mënyrat autentike të të qenët tonë në botë. Për shkak të cektësisë së kuptueshmërive për mënyrat e të qenët tonë në botë që ka prodhuar ndërgjegjja artistike duke hyrë në marrëdhënie më Unin joautentik, një pjesë e madhe e krijimtarisë letrare shqipe tashmë është “vetëpërjashtuar” prej procesit të komunikimit letrar.
Atëherë shtrohet pyetja: Pse dhe si letërsia gojore shqipe, me format e saj shprehëse, ka arritur ta mbrojë integritetin e vetëdijes së Unit autentik? Si është e mundur që një kulturë (letrare) “e pakultivuar” t’i bëjë ballë kohës, ndërsa një kulturë (letrare) e kultivuar me një shpejtësi të papërballueshme ta humbë betejën me kohën?
Epërsia e formave letrare gojore
Kultura letrare shqiptare është atipike për faktin se kalimin e vet nga faza gojore në atë të shkruar – për arsyet historike që tashmë dihen – e ka përjetuar shumë vonë. Sigurinë e të qenët i vendosur dhe në ndërveprim me hapësirën sinkretike të përvojës dëgjimore dhe pamore, të cilën ia ofronte letërsia gojore, Uni autentik, si subjekt organizues i materialit perceptimor letrar, do ta humbë në momentin kur do të ndodhet në kushtet e bashkërendimit ndërveprues me arsyen, si fakultet më i lartë njohës në letërsinë e kultivuar. Pas shkëputjes së tij nga vendbanimi i letërsisë gojore, aftësitë e Unit autentik për ndërveprim me arsyen do të çorientohen për shkak të natyrës së dyzuar identitare të arsyes: si arsye praktike instrumentale dhe si arsye emancipuese. Një arsye me aftësi gati inekzistente emancipuese lehtësisht do të anojë kah identiteti i vet instrumental. I ndodhur para fuqisë së arsyes instrumentale, Uni, në pamundësi të ndërtimit të një marrëdhënieje baraslargese krijuese me të gjitha fakultetet njohëse (Kanti), do të përpiqet të gjejë mekanizma përshtatjeje (si fazë paraprake të heqjes dorë nga vetja) me kushtet e vendosura nga arsyeja instrumentale, deri në mohim të vetes.
qoftë se kultura popullore, për shkak të sinkretizmit të aftësive dëgjimore dhe pamore do të ketë kushte më të mëdha – shprehur me terma të ontologjisë fenomenologjike të Heideggerit – për shfaqjen e Qenies si një e tërë në vetvete, në Dasein, pra te njeriu si fushë e mundësive; në pjesë më të madhe të letërsisë së kultivuar, e drejtuar prej arsyes instrumentale, Dasein-i, me kërkesën e vet për njohjen e së vërtetës së qenies së pjesshme, do t’ia pamundësojë Qenies mundësinë e shfaqjes së vet. Mund të thuhet se kjo është edhe arsyeja se më shumë sesa një pjesë e madhe e letërsisë sonë të kultivuar (epigone) është letërsia popullore, ajo që – si aktivitet shpirtëror – është treguar me fuqi më të mëdha zbuluese për të vërtetat autentike të të qenët tonë qenie njerëzore në botë.
Përfundim
Mungesa e idealit moral të autenticitetit në veprimtarinë letrare shqiptare jo vetëm që e ka bërë të cenueshme integritetin e vetëdijes së Unit, por, për shkak të paaftësisë për të hyrë në marrëdhënie ndërveprimi krijues me arsyen emancipuese, Uni – si kompensim dhe arsyetim për paaftësinë e vet – do të hyjë në marrëdhënie ndërvarësie me arsyen instrumentale, për të rënë vetë në gjendjen e Unit joautentik.
Uni joautentik është miku më besnik i botëkuptimeve dhe botëperceptimeve skematike, të cilat janë armiqtë më të mëdhenj të vetëdijes emancipuese të lexuesit!