Shtojca për Kulturë

Qyteti i kafeve, i llafeve dhe i kronistëve

Ditari i Adriatikut: Trieste nuk është qytet ku ndihej mirë vetëm James Joyce. Këtu kanë lënë gjurmë edhe letrarë të tjerë

Enver Robelli, Trieste

Në libraritë e Triestes në sytë e çdo vizitori bien edhe librat e Giacomo Scottit. I lindur në Itali, ai në vitin 1947 erdhi në Jugosllavinë e atëhershme dhe u bë njëri prej shkrimtarëve më të njohur të pakicës italiane. Ka një vëllim me poezi në gjuhën shqipe, botuar nga Rilindja. Aty gjenden edhe dy poezi me motive kosovare, njëra për katundin Isniq, tjetra për lumin Bistrica.

Scotti ka qenë komunist, titist, polemist dhe ngatërrestar. Vepra e tij letrare gjithsesi ka vlera, por qëndrimet e tij politike janë shumë të diskutueshme. Nga urrejtja e madhe ndaj kroatëve ai mbajti qëndrime në favor të nacionalizmit serb. Jeta letrare e Scottit është zhvilluar mes qyteteve si Rijeka (Fiume, italisht), Pula (Pola) dhe Trieste.

Mes erës së stuhishme, burës së famshme, ujit dhe alpeve, mes të kaluarës austriake, ndikimit sllav dhe dominimit italian në 100 vitet e fundit, Trieste është një truall i pëlleshëm letrar, ku bashkohen shumë kufij, ku gjendet porti më verior i Italisë, ku preken Mesdheu dhe veriu, ku afër njëra-tjetrës qëndrojnë kisha ortodokse serbe dhe kisha katolike Sant’Antonio Nouvo, një ngrehinë e projektuar nga arkitekti zviceran Pietro Nobile.

Duke qenë pikëtakim i tregtarëve, kulturave, gjuhëve, bankierëve, ky qytet edhe sot është burim inspirimi për shkrimtarë. Në Trieste prej vitesh jeton autori gjerman Veit Heinichen, i njohur me romanet e tij kriminalistike. Në këtë qytet të quajtur Vjena perandorake në det Heinichen shëtit rrugicave me komisarin e tij fiktiv Proteo Laurenti, i cili e çmon kuzhinën vendore, verën dhe pllajat karstike.

Në këtë qytet jeton dhe shkruan Jozhe Pirjevec, historian slloven, i cili ka bërë karrierë akademike në universitetet italiane. Pirjevec qe gati 40 vjet ka një obsesion: jetën e liderit jugosllav Josip Broz Tito. Biografia e tij për Josip Brozin, e botuar më 2011 në sllovenisht, ka thyer të gjitha rekordet e shitjes. Ndërkohë libri është botuar në kroatisht, serbisht, italisht dhe gjermanisht.

Më së shumti Trieste krenohet me dy shkrimtarë: Italo Svevo (emri i vërtetë: Ettore Schmitz) dhe Umberto Saba. Svevo rridhte nga një familje gjermano-hebraike dhe falë martesës u bë edhe pronar i një ndërmarrjeje të llakut. Heronjtë e tij letrarë e kanë të vështirë të gjejnë veten në botën kapitaliste. Kur irlandezi James Joyce ua mësonte anglishten aristokratëve të Triestes, njëri nga nxënësit e tij ishte dhe Italo Svevo. Ishte Joyce që e ndihmoi Svevon të kalojë krizat e krijimit dhe e bëri të njohur përtej Italisë si shkrimtar.

Autori tjetër Umberto Saba ka shkruar njërin prej cikleve më të bukura poetike të letërsisë italiane, Canzonieren e famshme. Gjurmët e tij janë edhe sot të dukshme në Trieste, sidomos në “Libreria Saba”, aty ku kalonte gati tërë kohën. Saba, bir i një nëne hebraike – mbiemri Saba në hebraisht domethënë “gjysh” -, ishte përfaqësues i “cultura mitteleuropea”, i kulturës së Europës qendrore.

Në shtëpinë ku gjendet sot “Libreria Antiquaria Umberto Saba” në vitet 1905/1906 jetoi James Joyce. Kronistët e qytetit theksojnë se Joyceit i pëlqente të pinte dhe të hante në lokalet e Triestes. Në letrat që ka shkruar nga Dublini dhe i ka dërguar në Trieste, ai numëron artikujt ushqimorë, të cilët po i mungojnë. Një vend i preferuar i tij ishte “Pasticeria Pirona”, e hapur në vitin 1900, e cila vazhdon të punojë edhe sot...