Shtojca për Kulturë

Drama në 24 orë: Okupimi rus i zemrës së Kosovës dhe Dita e Çlirimit

Hyrja e forcave të NATO-s, Kaçanik, 12 qershor 1999 (Foto: Alban Bujari)

Këtu e 22 vjet më parë, 12 qershori në Kosovë do të fitonte statusin e një date të shënueshme për posteritetin. Për kryeqytetasit, më 11 qershor po afrohej çlirimi i njëmendët tekqë nisi largimi i çizmes së ushtarit të fundit serb. Me vocërrakë që turrevrapeshin shend e verë drejt ushtarëve britanikë e me luzma njerëzish që mirëseardhnin trupat aleate, ngjarjet e asaj kohe kanë edhe një tjetër rrëfim. I dëgjuar, i përjetuar, por jo edhe i kuptuar. Sepse ajo që nisi si “marsh-brosok na Prishtinu”, jo vetëm që rezultoi me okupimin rus të zemrës së Kosovës, por gati sa nuk e solli një luftë të tretë botërore disa muaj para se shekulli i njëzetë të mbyllte dramën e vet të gjatë. Por ankthi i lodrës së makthshme ruse të “Babushkës” i ruan edhe sot pasojat: ndarjen e pjesës veriore të vendit

Qindjvetëshi i njëzetë, si epoka e ekstremeve siç e quajti Eric J. Hobsbawm, do ta mbyllte siparin e vet edhe me një tjetër dramë. Ajo që në vitin 1914 kishte filluar me luftë transhesh, bajoneta e operacione, më 1939 me mëtim për siprani botërore, do të pasohej me të fundmin akt në trollin e kontinentit të vjetër. Nga ngarendja e ushtrive bullgare dhe greke se kush do të hynte e para në Selanik më 1912 e deri te “Dita-D” e logbetejës së Normandisë, historisë së një shekulli ekstremesh do t’i shtohej edhe ajo që ngjau në Prishtinë e rreth saj.

Derisa vargëzohet viti i 22-të prejse kryeqyteti i Kosovës u çlirua, një histori që ndërkallë një okupim efemer rus, acarim diplomatik e drejtim tytash nuk rezonon si diçka e dëgjuar sa duhet. Ose së paku jo në rrokakrejtin e saj.