Në shoqëritë si kjo e jona, të cilat, për shkak të shkallës së ulët të organizimit politiko-ekonomik, nuk kanë arritur të shkëputen prej orientimit fisnor të refleksionit etik, kaosi vleror i orientimeve dhe qëndrimeve rritet kur perversitetet e veprimeve që i prodhon etika individualiste e karakterit natyror-psikologjik në hapësirën publike mbulohen me koncepte liberalo-demokratike, si: tregu i lirë, ndërmarrësia, iniciativa individuale
Konflikti midis qëllimeve dhe vlerave të veprimeve
Në veprën “Lëkura e shagrenit”, Balzaku e identifikon dhe vë gishtin në plagën më të ndjeshme e më qenësore të qytetërimit perëndimor (dhe jo vetëm): në kundërthënien ontologjike dhe ekzistenciale të njeriut, i cili duhet të zgjedhë dhe të vendosë midis jetës që konsumohet nga dëshira për të jetuar pa dhembje e pa asnjë shqetësim dhe tmerrit të jetëgjatësisë që vjen si pasojë e heqjes dorë nga çdo formë e dëshirës; në konfliktin midis dëshirës dhe jetëgjatësisë; në konfliktin midis qëllimeve të veprimeve njerëzore dhe vlerave të gjërave që ai qëllim përmban; pra, me një fjalë, në konfliktin midis vlerave dhe realitetit.
Për shkak të karakterit ontologjik e ekzistencial dhe trajtave të ndryshme që merr në hapësira të ndryshme vendore e kohore, kundërthënia midis “dëshirës” dhe “jetëgjatësisë”, midis vlerave dhe qëllimeve të veprimeve njerëzore, do të jetë objekt i refleksionit etik si në qytetërimin lindor, ashtu edhe në qytetërimin perëndimor; si në shoqëritë paramoderne, ashtu edhe në ato industriale e postindustriale.
Varësisht fuqisë politiko-ekonomike të organizimit, shoqëri të ndryshme do të prodhojnë refleksione të ndryshme etike për raportin midis “dëshirës” dhe “jetëgjatësisë”. Në shoqëritë me fuqi të dobët organizimi e funksionimi politik, në kushtet e lëkundjes së besimit në sigurinë që ofron publikja, refleksioni etik individin e drejton drejt vlerave e synimeve egoiste, të karakterit natyror. Në kushtet e refleksionit etik të zëvendësimit të parimeve të etikës publike me parimet e etikës individualiste-egoiste, privatja nuk konceptohet si pjesë integrale e publikes, përkundrazi, është publikja që shfaqet si moment individualist i vetërealizimit të egos. Si pasojë e dobësimit të mekanizmit të shtetit, si dhe të zëvendësimit të lumturisë së përbashkët, si parim i etikës së publikes me parimin individualist-egoist të etikës së privates, individi me aksionin e vet të jashtëm i kundërvihet publikes me qëllim të sigurimit të burimeve të kënaqësisë së vet individuale. Në kushtet e tilla etike, shteti konsiderohet si instrumenti më adekuat për përmbushjen e nevojave private të individëve duke e vënë në pikëpyetje edhe kuptimin e idesë së ekzistencës së nevojave të publikes.
Virtyti i guximit përballë zgjuarsisë së dinakërisë
Ideja e egoizmit, si parim i konceptimit të raportit të vlerave me realitetin, në kohë e rrethana të ndryshme ka marrë përmbajtje e orientime të ndryshme. Ndërsa në kontekstin e shoqërive paramoderne përmbushja e individit në kontekstin e situatës ekzistencialiste të zgjedhjes midis “dëshirës” dhe “jetëgjatësisë” do të manifestohet në trajtën e lavdisë së njerëzve të mëdhenj dhe për nevojat e saj për famë e nder (Akili); në kontekstin e shoqërive postindustriale-konsumiste (siç është kjo e epokës sonë), përmbushja e egoizmit të individit brenda konfliktit midis “dëshirës” dhe “jetëgjatësisë” manifestohet në trajtën e hedonizmit individualo-egoist të njerëzve të vegjël që udhëhiqen nga etika e utilitarizmit. Në rastin e parë, njerëzit e mëdhenj, të talentuarit, në konfliktin midis “dëshirës” dhe “jetëgjatësisë” çajnë përmes virtytit të guximit, të cilët pas vete lënë shenjën e modelit të sjelljes së dinjitetshme të njeriut krenar; në rastin e dytë, njerëzit e vegjël, të patalentuarit, çajnë përmes dinakërisë së zgjuarsisë dhe zgjuarsisë së dinakërisë së tyre, e cila, për shkak se nuk aspiron t’i tejkalojë kufijtë e interesit hedonist të egos së tyre, pas vete i lënë shenjat e modelit të sjelljes servile të njeriut të padinjitetshëm.
Në kulturën perëndimore simbol i të talentuarit (gjeniut) është Mozarti, ndërkaq simbol i të patalentuarit është Salieri.
Si është e mundur që në realitetin empirik jetësor veprimi i Salierit të jetë në avantazh dhe të ngadhënjejë ndaj vlerës së veprimit mendimor (krijues) të Moxartit dhe çfarë e garanton fitoren transempirike të Mozartit kundrejt Salierit?
Në kulturën perëndimore simbol i të talentuarit (gjeniut) është Mozarti, ndërkaq simbol i të patalentuarit është Salieri
Konflikti i përhershëm midis të talentuarit dhe të patalentuarit nuk është konflikt midis individëve, por konflikt i pikëpamjeve të ndryshme etike, i orientimeve dhe qëndrimeve të ndryshme etike të individëve (të shoqërive) për raportin midis vlerave dhe qëllimeve të veprimeve për ndërtimin e kuptimit të ekzistencës në botë. Si i tillë, konflikti midis të talentuarit dhe të patalentuarit ai është konflikt i gjithkohshëm dhe i përbotshëm; është konflikt i karakterit arketipor. Mungesa e kuptimit të ekzistencës, si një nga format më të thella të krizës ekzistenciale të individit, është pika mbështetëse e forcës së dinakërisë së zgjuarsisë së Salierit; qartësia e kuptimit për ekzistencën është “dobësia” e forcës së besimit të Moxartit. Ndërsa Salieri është i tëri i zhytur në afshin e mashtrimit me synim, fillimisht, ngufatjen, e më pas – si pasojë e pamundësisë së ngufatjes – edhe zhvatjen prej potencialit krijues të të talentuarit; Mozarti është i tëri i zhytur në besimin naiv për qëllimin dashamirës të tjetrit. Për shkak se jeton i zhytur verbërisht në besimin për vlefshmërinë e talentit të vet krijues, Moxarti nuk mund të besojë se dikush mund të ketë qëllime të këqija ndaj tij dhe kundrejt synimeve fisnike të artit të tij muzikor për përsosmërinë e njerëzores te njeriu.
Konflikti i përhershëm midis të talentuarit dhe të patalentuarit nuk është konflikt midis individëve, por konflikt i pikëpamjeve të ndryshme etike, i orientimeve dhe qëndrimeve të ndryshme etike të individëve (të shoqërive) për raportin midis vlerave dhe qëllimeve të veprimeve për ndërtimin e kuptimit të ekzistencës në botë. Si i tillë, konflikti midis të talentuarit dhe të patalentuarit është konflikt i gjithkohshëm dhe i përbotshëm
Konfliktin midis të talentuarit dhe të patalentuarit, si dhe avantazhin në rrafshin empirik të të dytit kundrejt të parit, në veprën “Lëkura e shagrenit” Balzaku e shpjegon në këtë mënyrë: “Gabimi i njerëzve të talentuar është se ata i harxhojnë vitet e rinisë që të arrijnë ditën kur do t’i përkëdhelë fati. Ndërsa këta grumbullojnë forca e dituri, që pastaj në të ardhmen ta mbulojnë peshën e një pushteti që shpëton lehtë nga duart, intrigantët fjalëshumë e pa tru në kokë, venë e vijnë, pikasin budallenjtë, fitojnë besimin e leshkove: disa (të parët – A.H.) studiojnë, të tjerët (të dytët- A.H.) çajnë përpara; të parët janë të thjeshtë, të dytët të guximshëm; njeriu gjenial e fsheh krenarinë e vet, kurse intriganti ia arrin patjetër qëllimit të vet. Njerëzit e pushtetshëm (sidomos burokratët administrativë – A.H.) kanë aq nevojë të besojnë në meritat e gatshme, në talentin e paturpshëm, sa ç’shpreson më kot dijetari në mirënjohjen njerëzore” (H. D. Balzak “Lëkura e shagrenit”, fq.92.)
Për shkak se udhëhiqen nga parime të ndryshme etike për ndërtimin e kuptimit të ekzistencës, i patalentuari dhe i talentuari kanë logjika të ndryshme argumentimi në pretendimet e tyre për vlefshmërinë e së vërtetës dhe të drejtësisë, si kur bëhet fjalë për një jetë më të mirë në botën empirike-praktike, ashtu edhe kur bëhet fjalë për një jetë më të mirë të botës mendimore, transempirike. Bashkëpunimi ndërsubjektiv i pretendimeve të vlefshmërisë midis tyre është i pamundur, sepse është armiqësor. I patalentuari, për shkak se udhëhiqet nga modusi ekzistencial i zhvatjes dhe nga parimi etik i kënaqësisë individualiste-egoiste, asnjëherë nuk do të jetë i gatshëm t’i pranojë pretendimet e vlefshmërisë së të talentuarit për të vërtetën dhe drejtësinë e fuqisë krijuese të njeriut në raport me vlefshmërinë që ajo ka për mirëqenien e gjithmbarshme të ekzistencës së njerëzimit.
Për shkak se udhëhiqen nga parime të ndryshme etike për ndërtimin e kuptimit të ekzistencës, i patalentuari dhe i talentuari kanë logjika të ndryshme argumentimi në pretendimet e tyre për vlefshmërinë e së vërtetës dhe të drejtësisë
Aleanca e vullnetit për fuqi e të patalentuarit me forcën e pushtetit politik
Orientimin, përmbajtjen, intensitetin dhe qëllimin e konfliktit midis të patalentuarit dhe të talentuarit, midis mediokrit dhe gjeniut, midis Salierit dhe Mozartit, e dikton paturpshmëria e talentit zhvatës të të patalentuarit, tipar i sjelljes etike kjo, e cila – në kontestin e raportit të zhdrejtë midis ambicieve të mëdha dhe mundësive të vogla – atij i shërben si mjet për kompensimin e mungesës së aftësisë për të ndërtuar kuptimin e vet të ekzistencës. Ndërsa i talentuari, për shkak të aftësisë së vullnetit për ta pajisur me përmbajtje kuptimin e ekzistencës së vet në botë, mbështetet në forcën e besimit të talentit të vet krijues; mungesën e përmbajtjeve lartësuese për ekzistencën, i patalentuari do ta kompensojë me vullnetin për fuqi duke hyrë në aleancë me fuqi pushtetore-administrative. Të parët, për shkak të vullnetit për t’i dhënë qartësi kuptimit të ekzistencës, edhe kur janë afër pushtetit politik e administrativ, gjithmonë arrijnë të mos kontaminohen dhe ta tejkalojnë atë; të dytët, për shkak të mungesës së vullnetit për t’i dhënë kuptim ekzistencës, lehtësisht i nënshtrohen vullnetit për fuqi të pushtetit politik e administrativ.
Të patalentuarit janë materiali më i përdorshëm për nevojat mirëmbajtëse të të gjitha pushteteve politike e administratave. Pushteti politik e administrativ është streha ngushëlluese për mungesën e kuptimit të ekzistencës së të patalentuarve. Pushteti politik është mjeti për kompensimin e mungesës së vullnetit ekzistencial të të patalentuarve për t’i dhënë “përmbajte lartësuese” kuptimit të munguar të ekzistencës së tyre. Të patalentuarit lehtësisht bëhen vegla të pushtetarëve, sepse përmes forcës pushtetore-administrative garantohet pacenueshmëria e lumturisë hedoniste, si dhe integriteti i egos së tyre, lehtësisht i lëndueshëm, sepse lehtësisht është edhe i dekompozueshëm.
Të patalentuarit janë materiali më i përdorshëm për nevojat mirëmbajtëse të të gjitha pushteteve politike e administratave. Pushteti politik e administrativ është streha ngushëlluese për mungesën e kuptimit të ekzistencës së të patalentuarve
Mbizotërimi i vesit të zgjuarsisë dinake në shoqëritë në transicion
Në shoqëritë liberal-autokratike, si kjo e jona, e cila ende nuk e ka përfunduar procesin e transicionit: kalimin nga faza paramoderne në fazën moderne të organizimit të shoqërisë; në aleancë me vullnetin politik e administrativ, vesi i zgjuarsisë dinake të të patalentuarit, si përbërës i mendësisë parake, lehtësisht e gjen veten të favorizuar kundrejt virtytit të dijes së të talentuarit, si përbërës i mendësisë emancipuese. Burokracia e shoqërive, të cilat janë në transicion logjikash qytetërimore (siç është rasti ynë), në përpjekje për tejkalimin e kufizimeve të kushteve njerëzore që prodhon mendësia fisnore, nuk e njeh virtytin e ndërveprimit të pretendimeve të vlefshmërisë me subjekte të tjera, rrjedhimisht as mirënjohjen njerëzore - parim ky i të vepruarit emancipues të të talentuarit; ajo e njeh parimin e dëshirave që përmbushen lehtësisht dhe pa dhembje përmes mashtrimit duke i përdhosur pretendimet e të tjerëve për vlefshmërinë e kuptimit të ekzistencës – parim ky i të vepruarit tinzar të mediokërve parazitarë.
Në shoqëritë si kjo e jona, të cilat, për shkak të shkallës së ulët të organizimit politiko-ekonomik, nuk kanë arritur të shkëputen prej orientimit fisnor të refleksionit etik, kaosi vleror i orientimeve dhe qëndrimeve rritet kur perversitetet e veprimeve që i prodhon etika individualiste e karakterit natyror-psikologjik në hapësirën publike mbulohen me koncepte liberalo-demokratike, si: tregu i lirë, ndërmarrësia, iniciativa individuale etj. Përdorimi i koncepteve liberalo-demokratike, si etiketë justifikimi, bënë që thelbi i brutalitetit të gjendjes natyrore njerëzore mashtrueshëm të shfaqet si fenomen i rritjes së njerëzores te njeriu.
Prej favorizimit të vesit të zgjuarsisë dinake të të patalentuarve humbësja e madhe është shoqëria, ndërsa përfituesit e mëdhenj janë mediokrit parazitarë.
Në kushte etike individualiste, të karakterit natyror-psikologjik, mbi të cilat funksionon dhe organizohet një shoqëri, sprova e fuqisë së talentit të dijetarit është, siç do të mund të thoshte Balzaku, aftësia e tij për t’u ndarë radikalisht nga çdo trysni joshjeje për përfitim mirënjohjesh nga njerëzit e kohës së vet.