Shtojca për Kulturë

Pakica turke në Kosovë

Beogradi u dha shumë të drejta kulturore turqve gjatë viteve ‘60 dhe ‘70. Pas kryengritjes së vitit 1968, Beogradi mbështeti publikimin e disa gazetave në gjuhën turke dhe turqishtja u rendit si gjuhë zyrtare në Kushtetutën e vitit 1974. Kjo politikë vazhdoi edhe pas heqjes së autonomisë së Kosovës më 1989: gjuha shqipe, por jo turqishtja, u ndalua në transmetimet zyrtare në Radio-Televizion; shqiptarët humbën vendet e tyre të punës, por jo edhe turqit

Një nga vijat konstante të politikës turke kundrejt Kosovës është ngulmimi që pakica turke të marrë pjesë në bisedimet e paqes. Serbët e tumirën plotësisht këtë kërkesë, e cila ua mundësoi atyre të shkërmoqnin unitetin shqiptar në Kosovë. Për këtë arsye, Beogradi u dha shumë të drejta kulturore turqve gjatë viteve ‘60 dhe ‘70. Pas kryengritjes së vitit 1968, Beogradi mbështeti publikimin e disa gazetave në gjuhën turke dhe turqishtja u rendit si gjuhë zyrtare në Kushtetutën e vitit 1974. Tevona, në vitin 1985, një departament për studimet turke u hap në Universitetin e Prishtinës. Diku rreth 50 studentë u regjistruan në këtë departament. Kjo politikë vazhdoi edhe pas heqjes së autonomisë së Kosovës më 1989: gjuha shqipe, por jo turqishtja, u ndalua në transmetimet zyrtare në Radio-Televizion; shqiptarët humbën vendet e tyre të punës, por jo edhe turqit.

Manipulimi me numra

Pakica turke numëron rreth 12 mijë veta sipas regjistrimit të vitit 1991 (0.6% të popullsisë së gjithmbarshme të Kosovës), por turqit e Kosovës mëtojnë se numri i tyre duhet të jetë të paktën 60 mijë. Kjo e dhënë citohet shpesh në burimet zyrtare dhe jozyrtare turke. Ata thonë se regjistrimi i vitit 1991 nuk është i besueshëm për shkak të manipulimeve politike dhe se numri i turqisht-folësve është edhe më i madh. Në të vërtetë, identitetet etnike janë tejet të ndërliqshme dhe të paqarta në rajon, praktika e ndërrimit të identiteteve është e njohur. Së këndejmi, asnjë vlerësim përfundimtar nuk mund të bëhet, duke hapur një terren të gjerë për pretendime të ndryshme politike.

Sipas regjistrimit të vitit 1991, në trevën e Prizrenit janë 7227 turq (fshati i Mamushës i banuar nga turq), 887 turq në Gjilan në lindje të Kosovës, 445 turq në Mitrovicë (në veri të Kosovës) dhe 1986 turq në Prishtinë. Në burimet turke, Komuna e Dragashit ndonjëherë thuhet se është e banuar nga turq. Në të vërtetë, ata janë myslimanë, goranë (Goranci), që flasin një gjuhë sllave, por burimet turke priren ta asimilojnë këtë popullsi në turq.

Ky është një rast tipik i një pakice të zhubrosur mes një shumice (serbët në RFJ) dhe “pakicës në shumicë” në provincë (shqiptarët), që luftojnë për të marrë të drejta. Këta turq do të ndiheshin më rehat në një shoqëri shumë-kulturore – dhe në një strukturë administrative federale – sesa në një vend të mbizotëruar nga nacionalistët shqiptarë. Në fund, ata janë të shqetësuar me qëndrueshmërinë e tyre afatgjate si grup etnik. Marrëdhëniet e tyre me shqiptarët janë të mbushulluara me dyshime. Në anën tjetër, shqiptarët e shikojnë “politikën pro-turke” të autoriteteve serbe si një “aleancë të ligë”. Shqiptarët akuzojnë veçmas turqit për “bashkëpunim” me serbët gjatë vrasjeve dhe dëbimeve të vitit 1999.

“Kërcënim nga shqiptarizimi”

Në tërësi, kërkesat e ligjshme të shqiptarëve shihen nga disa prej turqve si një kërcënim nga shqiptarizimi. Turq të tjerë ndihen të afërt me ata që kanë të njëjtën fe. Në fakt, turq të shumtë janë shqiptarizuar gjatë 20 vjetëve të fundit. Përpos martesave të rregullta mes shqiptarëve dhe turqve, shqiptarët që – sikundër turqit – fituan ca të drejta nga Kushtetuta e vitit 1974, bëjnë trysni ndaj turqve ose kanë politikë anti-turke. Turqit e Kosovës janë të përfaqësuar nga dy parti politike:

Bashkimi Demokratik Turk (Turk Demokratik Birligi, TDB) [75], që kundërshton mbizotërimin shqiptar dhe shpesh shihet si pro-serb ose i afërt me serbët. Për shembull, kjo parti ka kundërshtuar bojkotimin e zgjedhjeve zyrtare (të RFJ-së) dhe shkollave pas vitit 1990. Ajo lobon gjallërisht për rikthimin e të drejtave që u ishin dhënë turqve me Kushtetutën e vitit ‘74 dhe veçmas rikthimin e turqishtes si gjuhë zyrtare meqë UNMIK-u nuk e njeh atë.

- Partia Popullore Turke (Turk Halk Partisi), është, në të kundërtën, e afërt me shqiptarët. I ka shpalosur kandidatët në zgjedhjet lokale “ilegale” të mbajtura më 22 mars të vitit 1998 dhe ka kundërshtuar rikthimin e të drejtave për turqit. Është quajtur shpesh në shtypin turk si parti e “turqve të shqiptarizuar”. Kjo parti thuhet se është e afërt me drejtuesin e LDK-së, Ibrahim Rugova. Mbështetja e saj në Kosovë është shumë më e vogël sesa e shemrës së saj – TDB. Për shembull, ajo ka dështuar në mbledhjen e 1 mijë nënshkrimeve të nevojshme me qëllim të kualifikimit për zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit të vitit 2001.

Lobimi i TDB-së është i drejtuar kah administrata e UNMIK-ut, si dhe në Turqi. Një delegacion i saj shkoi në Ankara në korrik të vitit 2000 dhe fitoi mbështetjen që kërkonte. Ministri i Jashtëm turk, Ismail Cem, i dërgoi një letër përfaqësuesit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Bernard Kouchner, duke e përgjëruar atë për njohjen e turqishtes si gjuhë zyrtare dhe madje kërcënoi se do të tërhiqte mbështetjen turke për Kosovën “nëse të drejtat politike dhe kulturore të pakicës turke nuk do të mbroheshin”. Turqia e ushtroi mbështetjen e saj për të drejtat e kësaj pakice brenda NATO-s përmes përfaqësuesit të saj të përhershëm në këtë organizatë.

Sidoqoftë, marrëdhëniet skajshmërisht të tendosura mes turqve dhe shqiptarëve e vendosin Turqinë në një pozicion të parehatshëm dhe e pengojnë atë për t’i ndihmuar aktivisht turqit. Krerët turq e kanë përsëritur shumë herë se nuk do të ketë asnjë diskriminim mes shqiptarëve dhe turqve gjatë shpërndarjes së ndihmave humanitare turke. Turqit e Kosovës kanë shprehur disa herë dëshirën që Turqia ta financojë edukimin në turqisht, të hapë një qendër kulturore në Prizren, ose t’u japë atyre statusin e shtetësisë së dyfishtë. Përveç Kryqit të Kuq Turk (Kizilay), duket që vetëm drejtoria zyrtare turke për çështje fetare (Diyanet) ka qenë aktive këtu. Diyanet ka dhënë bursa të ndryshme dhe që nga 1991 shumë pak turq nga Kosova janë kyçur në studimet islamike në Turqi. Nisma të tjera janë ndërmarrë nga institucione dhe organizata private. Për shembull, Asociacioni i bizneseve turke ka bërë disa donacione (materiale për studentët në Mamushë, sheqer, miell, etj.). Nacionalistët e përfaqësuar në Turqi nga Millet Hareket Partisi (MHP) dhe organizata e vet rinore, Ulkii Ocaklari, janë deri diku aktive dhe madje kanë përfaqësues në Kosovë. Turk Diinyasi Arastirmalari Vakfi ka organizuar arsimin e shumë mësuesve turq nga Kosova qysh prej vitit 1991. Drejtuesit e Bashkimit Demokratik Turk kanë lidhje të ngushta me këtë fondacion nacionalist. Së fundmi, Aydmlar Ocaklari, që përfaqëson njëfarë sinteze të ideologjisë turko-islame, ka hapur një qendër në Prishtinë. Këto institucione dhe organizata, edhe pse jozyrtarisht, kanë lidhje të ngushta me drejtuesit e Turqisë. Për arsyet e përmendura më sipër, drejtuesit e Turqisë mbeten ngurrues për të ndërmarrë zyrtarisht nisma diplomatike. Administrata ndërkombëtare në Kosovë ka dhënë shkallë-shkallë të drejtat e kërkuara nga TDB. Kur Bernard Kouchner shkoi në Ankara në fund të korrikut të vitit 2000, një përfaqësues i TDB ishte ftuar për marrë pjesë në bisedime. Dy muaj më vonë, më 15 shtator, në një letër të Kouchnerit drejtuar kryetarit të TDB-së, turqishtja ishte njohur si gjuhë zyrtare në provincë. Në këtë letër, Kouchner theksonte se UNMIK-u siguron të drejtat e pakicës turke duke iu referuar Kushtetutës Jugosllave të vitit 1974, se rregulloret e UNMIK-ut do të lëshoheshin edhe në turqisht në vendbanimet e bashkësisë turke, se letërnjoftimet me të dhëna të rëndësishme në turqisht do të lëshoheshin në komunat ku jeton bashkësia turke, e udhëzimi në turqisht do të ofrohej. Dy muaj pas kësaj njohjeje, drejtuesi i Bashkimit Demokratik Turk, Mahir Yagcilar, u caktua në Këshillin e Përkohshëm. Forca paqeruajtëse ndërkombëtare tashmë kishte filluar të emetojë program në turqisht qysh në dhjetor të vitit 1999 dhe po ashtu një javore turke, “Yeni Dbnem”, është publikuar që nga ajo kohë. Qëllimi i Administratës së Përkohshme Ndërkombëtare në Kosovë është që të sigurojë pjesëmarrjen e të gjitha komuniteteve në administratën e provincës. Dhe përfundimisht është arritur përparim në drejtim të kërkesave të turqve. Probleme vazhdojnë të ndodhin ende. Ta zëmë, gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2000, bashkësia turke vendosi ta bojkotonte procesin e regjistrimit të organizuar nga OSBE-ja për shkak se formularët nuk ishin në gjuhën e tyre. Por, marrëveshja u arrit me drejtuesit turq në Kosovë dhe ata u regjistruan në nëntor të vitit 2001 në zgjedhjet e përgjithshme.

Përfundim

Turqia nuk ka bërë ndonjë kontribut domethënës në zgjidhjen e konfliktit në Kosovë. Frika nga një krahasim me situatën në Anadollin Juglindor e ka penguar atë që të ushtrojë trysni diplomatike, siç ishte bërë në fazën e parë të konfliktit në Bosnjë-Hercegovinë. Por, Turqia ka qenë – sikurse edhe në rastin e Bosnjës, –e kujdesshme që të mos armiqësohet me popullatat e Ballkanit tepër të ndjeshme ndaj çfarëdo ndërhyrjeje turke në rajon. Së fundmi, Turqia nuk është edhe aq akter i rëndësishëm në Ballkan dhe në çdo rast ndikimi i saj mbetet në hijen e atij të Shteteve të Bashkuara si dhe të Evropës.

Pozita e saj ka qenë mjaft konstante: ka mbështetur ruajtjen e integritetit territorial jugosllav dhe ka kërkuar autonomi të zgjeruar për Kosovën me të drejta të plota për të gjitha grupet etnike, përfshirë edhe bashkësinë turke. Drejtuesit turq kanë kundërshtuar ashpër planin e Kombeve të Bashkuara të skicuar në qershor të vitit 1999. Kundërshtimi kryesor ka pasur të bëjë me ndarjen e Kosovës në sektorë të ndryshëm, të cilët, sipas Ecevitit, mund të çonin drejt një paralize. Gjithashtu, konsultimet politike kanë filluar qysh në shkurt të vitit 2001, me qëllim të ripërtëritjes së lidhjeve me Republikën Federale të Jugosllavisë. Ministri i Jashtëm jugosllav shkoi në Ankara në shkurt dhe ministri i atëhershëm turk i Punëve të Jashtme ishte në Beograd në fillim të marsit. Ai nënshkroi një marrëveshje të bashkëpunimit me Ministrinë e Jashtme jugosllave dhe një marrëveshje për investime. Kjo vizitë, e para zyrtare e një ministri të jashtëm turk në Beograd që nga viti 1992, është parë si një pikë kthese në marrëdhëniet e dyanshme.

Pesha e çështjeve të brendshme, nëse jo në nismat turke atëherë të paktën në ligjërimin zyrtar, është më se e dukshme. Ky ka qenë edhe rasti me Bosnjë-Hercegovinën. Tansu Ciller, kryeministër i atëhershëm, kishte udhëtuar dy herë në Sarajevë: në shkurt të vitit 1994, disa javë para zgjedhjeve lokale, dhe në nëntor të vitit 1995, përsëri katër javë para zgjedhjeve. Sidoqoftë, nëse islamistët e përdorën konfliktin e Kosovës për ta publikuar mesazhin e tyre, ata ishin të kursyer në këtë instrumentalizim; edhe këtu për shkak të “paraleles kurdë”, por edhe për shkak se në rastin e Kosovës, bashkësia ndërkombëtare – dhe mbi të gjitha Shtetet e Bashkuara –ndërhynë fuqishëm për t’i ndihmuar shqiptarët/myslimanët e persekutuar. Retorika e zakonshme e Perëndimit, e përdorimit të “standardit të dyfishtë” dhe lënies së myslimanëve për t’u vrarë vetëm pse ishin të tillë, nuk mund të qëndrojë. Për të njëjtën arsye, “bota myslimane” nuk u moblizua për Kosovën (ndryshe nga Bosnjë-Hercegovina). Si rrjedhim, përvoja boshnjake ishte zhgënjyese. Ky konflikt përfundoi me një pax Americana dhe drejtuesit myslimanë boshnjakë shpesh zgjodhën midis aleancës me Shtetet e Bashkuara dhe asaj me botën myslimane (kryesisht Iranin, me të cilin kishin lidhje më të mirë edhe para luftës dhe ushtria e të cilit u dha ndihmë atyre). Ky qëndrim pasiv i botës myslimane ishte i ndikuar natyrisht edhe nga editorialistë të ndryshëm në Turqi.

Konfliktet që mbajnë prapavija fetare, në çdo rast, janë problematike për Turqinë. Ligjërimi “islamik” mund të përdoret vetëm kur është i moderuar. Përtej dyshimit tradicional në Ballkan ndaj turqve, sekularizmi dhe aspirata për t’u njohur plotësisht si vend perëndimor e ndalon Turqinë që të ngrejë flamurin mysliman. Në këtë drejtim, manifestimi i konflikteve me prapavija fetare – të krishterët kundër myslimanëve – pasqyron një sprovë për Turqinë. Nëse qëndron ballazi me myslimanët, kjo vetëm sa do ta përforcojë imazhin si një shtet mysliman dhe rrjedhimisht i ndarë prej Evropës. Prandaj, nëse “përgjegjësitë dhe lidhjet historike” dhe “angazhimi moral karshi shqiptarëve myslimanë” do të përvijoheshin, drejtuesit turq kanë qenë të kujdesshëm për të hequr dorë nga ideja e një ballafaqimi mes të krishterëve dhe myslimanëve: “Nuk është luftë mes të krishterëve ortodoksë sllavë në njërën anë dhe shqiptarëve myslimanë në anën tjetër (...) Nuk ka diçka të tillë si përballja myslimane-ortodokse”.

Sylvie Ganfloff është hulumtuese e studimeve turke. Ky artikull është shkruar më 2004. Fusnotat janë hequr nga redaksia. Përgatiti: Salih Mehmeti