Shtojca për Kulturë

Shqiptarët e hebrenjtë – armiq të pushtetit serb

Descriptive Text

Pushteti serb, duke synuar të krijojë një Serbi të Madhe, në të cilën nuk do të kishte vend për shqiptarët dhe komunitetet tjera, si te shqiptarët ashtu edhe te hebrenjtë dhe komunitetet e tjera, apriori shihte një armik. Si shqiptarët, ashtu edhe hebrenjtë i konsideronte si pengesë për planet serbomëdha dhe si rrjedhojë i trajtonte ata si ndihmës të pushtetit të dikurshëm osman. Që nga atëherë e deri më 1999 raportet e popullatës vendore me qeveritë e Beogradit në përgjithësi ishin armiqësore

Shqiptaret e Kosovës dhe komuniteti hebraik kanë një relacion historik dhe një bashkë-ekzistencë paqësore, që thuhet se daton që nga periudha e Dardanisë antike, kur në këtë territor jetonin paraardhësit e shqiptarëve, iliro-dardanët. Madje kjo e komunitetit hebraik në Kosovë daton para dyndjes së sllavëve në shekullin 7 e këndej. Por, prania më e madhe e hebrenjve i përket periudhës së sundimit osman, kur shumë hebrenj të dëbuar nga Spanja dhe Portugalia, në shekullin 15 dhe 16, kërkuan strehim të sigurt në Perandorinë Osmane.

Vendbanimet hebraike në Ballkan dhe Kosovë

Vendbanimet hebraike në Ballkan dhe në Kosovë ishin të përqendruara pothuajse ekskluzivisht në qytete, rreth sinagogave, me udhëheqësit e tyre fetarë, që gjithashtu ishin përgjegjës për çështjet administrative në komunitetin e tyre. Bashkësitë hebraike krijuan, si kudo, institucionet e tyre fetare, administrative, si dhe ato gjyqësore, të cilat rregullonin punët civile e fetare e marrëdhëniet me shtetin. Po ashtu, mendohet se hebrenjtë, ashtu si shqiptarët, mbanin edhe pozicione të rëndësishme edhe në aparatin shtetëror osman. Statusi dhe prosperiteti i komunitetit hebraik në Perandorinë Osmane në shekujt 15 dhe 16 u detyrohet kontakteve të tyre me Evropën dhe përfitimeve që u dhanë këtyre lidhjeve, si ndikimeve dhe pasurive të mëdha që sollën ata.

Kjo rrethanë pozitive ndikoi edhe për praninë më të shtuar të komunitetit hebraik edhe në territorin e Kosovës, i njohur së voni edhe si Vilajeti i Kosovës, dhe sidomos në kryeqendrën e saj, Shkupi, një qytet me lidhje të fuqishme tregtare rajonale dhe ndërkombëtare. Veçanërisht, vendosja e komunitetit hebraik në Kosovë u intensifikua edhe gjatë gjysmës së dytë të shekullit 19 dhe thuhet se edhe ndërtimi i hekurudhës Shkup-Mitrovicë u atribuohet specialistëve me origjinë hebraike. Në këtë periudhë, sipas historianit britanik Noel Malcolm, qytetet kryesore të pranisë së tyre në Kosovë ishin Shkupi, Prishtina, Prizreni dhe Gjakova.

Vendbanimet hebraike në Ballkan dhe në Kosovë ishin të përqendruara pothuajse ekskluzivisht në qytete, rreth sinagogave, me udhëheqësit e tyre fetarë, që gjithashtu ishin përgjegjës për çështjet administrative në komunitetin e tyre

Sipas disa të dhënave austriake në sanxhakun e Prishtinës, pas Salnamesë së vitit 1877 kishte 50 hebrenj, kurse në vitin 1903 rreth 350 hebrenj. Hebrenjtë kryesisht i ndeshim si tregtarë, farmacistë, mekanikë, inxhinierë, mjekë, nëpunës, profesorë. Në këtë kuptim, ndikimi i tyre në jetën shqiptarëve dhe të popujve të tjerë të Perandorisë ishte thelbësor. Në fakt, hebrenjtë zotëronin shumë nga ndërmarrjet, bizneset, shoqëritë kulturore dhe sportive. Ishin hebrenjtë ata që e sollën edhe tipografinë nëpërmjet së cilës u botuan libra në gjuhë të ndryshme. Pa dyshim, prania e tyre pati ndikim pozitiv në zhvillimin e shumë profesioneve në hapësirat shqiptare. Edhe sot në mesin e shqiptarëve ekziston një narracion vlerësues për këtë komunitet dhe sa herë që dikush portretizohet pozitivisht për shkathtësitë e tij, i thuhet: “Je i zgjuar si një hebre”.

Edhe sot në mesin e shqiptarëve ekziston një narracion vlerësues për këtë komunitet dhe sa herë që dikush portretizohet pozitivisht për shkathtësitë e tij, i thuhet: “Je i zgjuar si një hebre”

Shqiptarët si hebrenjtë

Në dekadën e dytë të shekullit 20, ndodhën ndryshime të mëdha politike në Evropën Juglindore. Si rezultat i luftërave ballkanike midis 1912 dhe 1913 dhe Luftës së Parë Botërore, dy perandori të mëdha – Osmane dhe Austro-Hungareze – u shpërbënë, dhe disa shtete të reja, të pavarura u shfaqën ose përfituan territorialisht. Pushtimi serb i Kosovës në tetor/nëntor 1912 u shoqërua me dhunë, dëbime, plaçkitje dhe vrasje të popullatës shqiptare. Modeli i brutalitetit ishte i njëjtë si ndaj shqiptarëve të dëbuar nga territori i pushtuar me 600 vendbanime të Sanxhakut të Nishit: Pirotit, Vranjës, Leskocit, Prokuplës dhe Kurshumlisë me 1877-1878, të cilët edhe sot njihen në Kosovë si “muhaxhirë”, një emërtim osman për ata që largohen nga vendbanimet e tyre dhe mbeten pa pronë dhe pa shtëpi dhe vendosen në një vend tjetër.

Pushteti serb, duke synuar të krijojë një Serbi të Madhe, në të cilën nuk do të kishte vend për shqiptarët dhe komunitetet e tjera, si te shqiptarët ashtu edhe te hebrenjtë dhe komunitetet e tjera apriori shihte një armik. Si shqiptarët, ashtu edhe hebrenjtë i konsideronte si pengesë për planet serbomëdha dhe si rrjedhojë i trajtonte ata si ndihmës të pushtetit të dikurshëm osman. Që nga atëherë e deri më 1999 raportet e popullatës vendore me qeveritë e Beogradit në përgjithësi ishin armiqësore.

Duke folur për këtë histori, studiuesi gjerman Korand Clewing, pohon se konflikti mbi Kosovën ka qenë, që nga fillimi, një konflikt midis qeverive serbe/jugosllave dhe popullatës shqiptare në Kosovë për territor dhe pushtet politik. Por, ky projeksion ekspansionist serb është kamufluar me krijimin e mitit se “Kosova është zemra e Serbisë”, ngjashëm si dikur parulla porti i Durrësit dhe veriu i Shqipërisë janë “mushkëritë e Serbisë”.

Studiuesit hebrenj kontribuues në albanologji

Serbët historikisht, duke vuajtur nga kompleksi se ishin të ardhur shumë vonë dhe të fundit në Ballkan, atëherë kur hapësira etnolinguistike e shqiptarëve ishte nën sundimin bizantin, kanë shfaqur prirje të fuqishme ekspansioniste, e cila bazohej në mite dhe gënjeshtra, që serbët i portretizonin si sipërorë ndaj shqiptarëve, një ide e ngjashme që më vonë u përdor edhe nga regjimi nazist. Përballë këtij agresioni, i vetmi argument vetëmbrojtës i shqiptarëve kundër zgjedhës serbe, si asaj otomane, ishte argumenti i autoktonisë, i cili ishte fuqizuar nga studiues dhe albanologë evropianë me prejardhje hebraike. Norbert Jokl, Milan Shufflaj, Josech Roth, publicisti austro-hungarez Leo Freundlich, deputet në Parlamentin Perandorak në Vjenë, ishin studiuesit më të njohur hebrenj që dhanë kontribut të rëndësishëm studimet albanologjike përmes të cilave afirmuan prejardhjen e shqipes nga ilirishtja ose të autoktonisë së shqiptarëve si pasardhës të ilirëve, të cilët në Kosovën e sotme njiheshin si dardanë, ndërsa vendi i tyre Dardani, prej nga u përhap edhe krishterimi në periudhën e sundimit romak. Nga kjo periudhë ruhet festa e lashtë iliro-shqiptare Darka e Lamës, e cila është rikthyer në agjendën e festave tona të lashta pagane.

Serbët historikisht, duke vuajtur nga kompleksi se ishin të ardhur shumë vonë dhe të fundit në Ballkan, atëherë kur hapësira etnolinguistike e shqiptarëve ishte nën sundimin bizantin, kanë shfaqur prirje të fuqishme ekspansioniste

Shqiptarët i detyrohen shumë kontributit të Leo Freundlich, po ashtu edhe për mbrojtjen si dhe për dokumentimin e përndjekjes dhe vuajtjes së shqiptarëve të kryera nga soldateskat serbe gjatë luftërave ballkanike 1912/13. Krahas Leon Trocki, një intelektual rus me origjinë hebraike dhe korrespodent lufte në Ballkan, Freundlich përmes librave “Albanien Golgoth: Anklageakten gegen die Vernichter des Albanervolkes” dhe “Die Albanische Korrespondenz”, është dokumentuesi më i madh i mizorive serbe mbi popullsisë shqiptare. Një politikë e tillë shfarosëse, që sipas Trockit, bëhej në përpjekje “për të korrigjuar të dhënat statistikore etnologjike që nuk ishin në favor të tyre”, ishte konstante gjatë gjithë viteve midis dy luftërave botërore.

Ashtu si ne rastin e hebrenjve, të cilët kudo ishin të persekutuar, edhe shqiptarët kaluan nëpër situata të rënda gjatë pushtimit njëshekullor serb. Në të gjitha hapësirat ku ata jetonin, në Kosovë, në Maqedoninë Perëndimore dhe në Luginën e Preshevës, ishin të persekutuar. Ata ligjërisht nuk njiheshin edhe si shqiptarë në periudhën midis dy luftërave botërore. Atyre nuk u njihej e drejta e shkollimit dhe as e punësimit, qoftë në ushtri, qoftë në ndonjë pozitë publike. Derisa në Rusi u vihej zjarri fshatrave hebraike, në Austri dhe në Gjermani, antisemitët terrorizonin të gjithë jetën publike, në Jugosllavinë mbretërore shqiptarët ishin përjashtuar nga ligji, ata dëboheshin për në Turqi, ndërsa pronat e tyre u dhuroheshin kolonëve serbë. Si rrjedhojë e kësaj politike represive më 1938 ndodhi nënshkrimi i Marrëveshjes Jugosllave -Turke për dëbimin e 400 mijë shqiptarëve në Turqi. Kësaj marrëveshjeje i paraprinte doktrina antishqiptare e historianit serb Vasa Çubriloviq, e titulluar “Dëbimi i shqiptarëve”, përmes së cilës Beogradi synonte të shpartallonte kompaktësinë etnike shqiptare në Kosovë. Serbët, të cilët synonin të ndiqnin modelin gjerman të përndjekjes së hebrenjve, gjykonin se bota sishte e zënë me hallet e veta dhe se dëbimi i shqiptarëve të Kosovës nuk mund të përbënte ndonjë shqetësim.

Kërkesa për zhdukjen e shqiptarëve nga faqja e dheut

“Në kohën kur Gjermania mund të dëbojë dhjetëra mijëra hebrenj dhe Rusia mund të shpërngulë miliona njerëz nga një pjesë e kontinentit në tjetrën, shpërngulja e disa qindra mijëra shqiptarëve nuk do të shpjerë në shpërthimin e luftës botërore”, shkruante Çubriloviq në memorandumin “Iseljavanje arnauta”, të paraqitur në Beograd më 7 mars 1937. Ishte koha kur shqiptarët në Mbretërinë e Jugosllavisë, nuk kishin asnjë të drejtë elementare, as të drejtë shkollimi, as për libra, gazeta apo radio në gjuhën shqipe dhe, për më tepër, as të deklaroheshin shqiptarë. Me qëllim të minimizimit të numrit të tyre, detyroheshin të deklaroheshin mysliman ose turq, prandaj nuk ishte e rastit që në statistikat zyrtare e kësaj periudhë numri i turqve artificialisht u shumëfishua. Me një sasi të pakontrolluar helmi ndaj shqiptarëve, ishte treguar edhe një autor tjetër serb, Vladan Gjorgjeviq, i cili në librin e tij “Shqiptarët dhe fuqitë e mëdha” nuk arrin ta kontrollojë urrejtjen kundër shqiptarëve. Ai shkon aq larg sa më 1913 kërkon lejen e Fuqive të Mëdha që ushtria serbe t’i zhdukë shqiptarët nga faqja e dheut si “racë inferiore me bisht”.

 “Në kohën kur Gjermania mund të dëbojë dhjetëra mijëra hebrenj dhe Rusia mund të shpërngulë miliona njerëz nga një pjesë e kontinentit në tjetrën, shpërngulja e disa qindra mijëra shqiptarëve nuk do të shpjerë në shpërthimin e luftës botërore”, shkruante Çubriloviq

Shtypi dhe legjislacioni antisemit në Mbretërinë Jugosllave

Paralelisht me ndjekjen e shqiptarëve dhe dëbimin e tyre për në Turqi, në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, në Mbretërinë Jugosllave kishte filluar një diskurs politik, që ishte fuqizuar edhe përmes shtypit dhe legjislacionit antisemitist. Një pjesë e shtypit (gazeta “Vreme” e Beogradit) shkruante se komuniteti hebraik është një “bashkësi e mbyllur dhe e organizuar ”, e cila kujdeset vetëm për interesat e veta, ndërsa shfrytëzojnë dhe rrezikojnë popullsinë shumicë”.

Në këtë këndvështrim, shiheshin dhe trajtoheshin edhe shqiptarët e Kosovës dhe ata në Maqedoni. Nëse niveli më i lartë i klimës antisemite arriti me shkrimet e Dimitrije Ljotiqit, i cili drejtoi lëvizjen fashiste “Zbor” në vitet 1935-1945, në anën tjetër, klima antishqiptare u instalua me doktrinën fashiste të Çubrilloviqit. Prandaj, nazistët gjermanë ishin ngazëllyer me faktin se Qeveria e Beogradit qysh në tetor 1940, gjashtë muaj para invadimit nazist mbi Jugosllavinë, kishte lëshuar dy dekrete anti-hebraike, përmes të cilëve hebrenjve u ndalohej prodhimi dhe shpërndarja e ushqimit, si dhe kufizonte pranimin e hebrenjve nëpër universitete dhe shkolla të mesme.

Po aq të pambrojtur dhe pa asnjë të drejtë ishin edhe shqiptarët, të cilëve u mohohej e drejta e përdorimit publik dhe zyrtar e gjuhës amtare, si dhe arsimimi në gjuhën shqipe në të gjitha nivelet, madje ashtu si tek hebrenjtë, shqiptarëve u kufizohej e drejta nëpër shkolla, universitete dhe në administratën publike. Për ironi të fatit, një politikë identike u riinstalua në Kosovë në vitin 1989 nga regjimi i Milosheviqit, që asokohe e bëri të qartë idenë e spastrimit etnik.

Paralelisht me ndjekjen e shqiptarëve dhe dëbimin e tyre për në Turqi, në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, në Mbretërinë Jugosllave kishte filluar një diskurs politik, që ishte fuqizuar edhe përmes shtypit dhe legjislacionit antisemitist

“Shtëpia e Zotit dhe e mikut”

Historiografia shqiptare akoma nuk e ka ndriçuar në mënyrë gjithëpërfshirëse mbrojtjen dhe shpëtimin e hebrenjve nga shqiptarët e Kosovës, ndërsa historiografia e politizuar serbe shpeshherë ka konstruktuar gjëra të paqena. Por, edhe në historiografinë shqiptare, përjashto vitet e fundit, trajtimi i çështjes së shpëtimit të hebrenjve edhe më tej nuk zë një vend të duhur, derisa në kujtesën historike dhe narracionin e shqiptarëve të Kosovës transmetohen shumë ngjarje dhe raste që kanë të bëjnë me strehimin dhe mbrojtjen e hebrenjve të përndjekur gjatë Luftës së Dytë Botërore. Një punë admiruese në këtë drejtim kohët e fundit po bën Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, i cili në kuadër të vetin e ka të themeluar edhe departamentin për mësimin dhe edukimin Holokasutit dhe ka bërë një serë publikimesh, të cilat flasin edhe për kontributin e shqiptareve të Kosovës në shpëtimin e hebrenjve.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

Autori është historian dhe ekspert i marrëdhënieve ndërkombëtare