Shtojca për Kulturë

2 korrik 1995: Trillimi dhe lufta

Mario Vargas Llosa (28 mars, 1936 –13 prill 2025

Mario Vargas Llosa (28 mars, 1936 –13 prill 2025

Strategjia e Millosheviqit, e thjeshtë dhe efikase, konsistoi në zhveshjen e dy të tretës të uniformës së tij komuniste dhe në veshjen e asaj të nacionalistit të vendosur, duke proklamuar, befas (nga zemra simbolike e Kosovës, ku serbët u mposhtën nga osmanët më 1389), se kombi serb ishte i kërcënuar nga një gjenocid i ri, nga një koalicion i llojllojshëm i ustashëve fashistë, fundamentalistëve islamikë dhe katolikë, separatistëve të pakicave shqiptare dhe hungareze, fantazi deliruese kjo që ditë pas dite u dokumentua nga një fushatë e gjerë mediatike, me gënjeshtra dhe fabrikime të planifikuara

Si shumë anglezë që punojnë për të drejtat e njeriut, Mark Tomsoni është i ri, i matur, i ndrojtur. Anglicizmi “i pavërejtshëm” i shkon për shtati. Në auditorin e ngjeshur dhe të tymosur të Beogradit ku prezantojmë librin e tij, ai u përgjigjet pyetjeve me fraza shumë të shkurtra, nganjëherë monosilabike. Përgjigjet në anglisht, edhe pse duhet ta kuptojë shumë mirë serbo-kroatishten, sepse ndryshe nuk do të kishte mundur ta çonte përpara hulumtimin “Farkëtimi i luftës (Media në Serbi, Kroaci dhe Bosnje-Hercegovinë)”.

Ai lëviz i shoqëruar me një vajzë zeshkane, me të cilën, siç më thonë, sapo është martuar. Ajo është kroate. Libri është përkthyer dhe publikuar në Jugosllavi (më mirë të them në Serbo-Jugosllavi) falë gazetarëve dhe intelektualëve që janë në opozitë me regjimin e Sllobodan Millosheviqit, gra dhe burra që meritojnë të admirohen për përpjekjen për demokratizimin e vendit të tyre dhe për fundin e luftës së Bosnjës, edhe pse e dinë se në të ardhmen e afërt, ashtu si edhe në të kaluarën, do të mposhten sërish.

Dhe më e keqja, Tomsoni nuk mund ta përjashtojë edhe faktin që përpjekjet e tij për të arritur te botimi i këtij libri në Beograd të përfundojnë duke u shërbyer më shumë planeve të diktatorit ekspert, sesa atyre që vuajnë. A nuk është shfaqja e librit “Farkëtimi i luftës” në serbo-kroatisht një provë e lirisë që mbretëron në vend? A nuk e vërteton këtë edhe fakti se shtypi dhe radioja e opozitës flasin për të? E vërteta është se këto mediume mbijetojnë me shumë vështirësi dhe arrijnë vetëm te një elitë, ndërkohë që mediumet që kanë vërtet rëndësi – ato që janë në shërbim të Qeverisë -, e fshehin të ndodhurën. Dhe, për shembull, televizioni shtetëror censuron prezantimin tim për librin “Farkëtimi i luftës” dhe, në intervistën që më bën, ruan vetëm pyetjet letrare, në mënyrë që kush e sheh programin të mbetet me idenë se kam ardhur në Beograd për turizëm dhe për të folur për boom-in e romanit latino-amerikan.

“Në këto manovra, askush nuk e mund Millosheviqin”, më thotë njëri nga këta miqtë jugosllavë, vonë në mbrëmje, në një restorant në brigjet e lumit. Darkuesit pinë një zjarr të lëngshëm, të quajtur shlivovicë dhe dy vajza këndojnë blues të viteve dyzet. Një mjegull e dendur ngjitet deri te ne me zhurmat e Danubit; qielli është plot me yje. Ky miku jugosllav e kishte njohur Millosheviqin si student në universitet dhe thotë se prej atëherë mund të hetohej se do të bënte një karrierë të rëndësishme politike, pasi ishte inteligjent, punëtor, cinik dhe i akullt: aparatçik perfekt. Kurse gruaja e ardhshme e Millosheviqit ishte një militante entuziaste komuniste. Millosheviqi dukej i vaksinuar ndaj të gjitha emocioneve. Si një fantazmë e zellshme, njeri pa cilësi, mekanizëm i mishëruar, ambicie pa shpirt, vazhdoi të ecë para në burokracinë shtetërore deri kur u ngjit në majë. Ora e tij erdhi me vdekjen e Titos, që solli edhe simptomat e para të destabilizimit në Federatë. Strategjia e Millosheviqit, e thjeshtë dhe efikase, e dokumentuar në detaje në librin e Mark Tomsonit, konsistoi në zhveshjen e dy të tretës të uniformës së tij komuniste dhe në veshjen e asaj të nacionalistit të vendosur, duke proklamuar, befas (nga zemra simbolike e Kosovës, ku serbët u mposhtën nga osmanët më 1389), se kombi serb ishte i kërcënuar nga një gjenocid i ri, nga një koalicion i llojllojshëm i ustashëve fashistë, fundamentalistëve islamikë dhe katolikë, separatistëve të pakicave shqiptare dhe hungareze, fantazi deliruese kjo që ditë pas dite u dokumentua nga një fushatë e gjerë mediatike, me gënjeshtra dhe fabrikime të planifikuara. Kur kjo shpikje ishte, si në një tregim të Borhesit [J. L. Borges], apo dishepullit të tij të madh jugosllav, Danillo Kishit, e rrënjosur fort në opinionin publik askush (që nuk ishte ndonjë renegat i ndyrë i vendit të tij, kuptohet) nuk mund t’i diskutonte fuqitë perandorake që kishte përvetësuar Millosheviqi për ta mbrojtur popullin e tij nga shfarosja.

Farkëtimi i luftës: kështu u farkëtua, u fabrikua lufta apokaliptike që vazhdon ta shkatërrojë qendrën e Europës. Pa atë operacion absolutist politik të Millosheviqit, ndoshta do të mund të ishte evituar pavarësia e Sllovenisë dhe e Kroacisë (në një koalicion shumë më fleksibël dhe të decentralizuar të republikave autonome) dhe, pa asnjë dyshim, ajo e Bosnjës, udhëheqësit e të cilës, duke filluar nga presidenti Alija Izetbegoviq, punuan gjatë gjithë vitit 1991 për të evituar falimentimin e Federatës. Por, sapo u lëshua procesi skëterror, ishte e pashmangshme që në hijen e udhëheqësit më të keq, atij të Beogradit, të shfaqeshin liderë të tjerë, të cilët, në një format më të vogël dhe si kundërvënie ndaj manovrave të tij, në Zagreb, në Lubjanë, në Sarajevë, i garuan me mjetet që kishin në dispozicion. Kanalet televizive, stacionet e radios, gazetat dhe revistat ishin aksi nervor i fushatës së paharruar të intoksikimit, që në mënyrë të sinkronizuar nxiti mosbesimin dhe urrejtjen mes komuniteteve dhe regjioneve ku mbetej hiri i tyre, ose e ringjallën mosbesimin nëse mund të ishte zhdukur, duke prodhuar klimën e duhur për ta filluar kasaphanën. Në këtë klimë, edhe farsat më të çuditshme rezultonin të besueshme (si denoncimi i bërë nga funksionari serbo-boshnjak Biljana Plavçiq se “egërsirat e kopshtit zoologjik të Sarajevës ushqehen me fëmijë të gjallë serbë”). Dhe, sigurisht, zërat e arsyeshëm të njerëzve të ndjeshëm, që përpiqen të informojnë me objektivitet dhe mendojnë me qetësi, janë në mënyrë të parevokueshme të shtypur dhe të skualifikuar me sharjet më të rënda: i pafe, i shitur, tradhtar.

Hulumtimi i Mark Tomsonit dëshmon se tragjedia e Bosnjës nuk ishte e paevitueshme dhe se ajo nuk ishte rezultat i mosmarrëveshjeve të vjetra historike, etnike dhe religjioze, që do të fermentoheshin në mënyrë diskrete në Ballkan, deri kur të arrihej pika e vlimit. Tragjedia, artificialisht, ishte  e  provokuar  falë  teknikës  së manipulimit të masave, në një shoqëri ku nuk ekzistonte një sistem informativ i lirë dhe plural që do të kishte lejuar veprimin e opinionit publik kundër delirit nacionalist dhe derivateve të tij të pashmangshme të ksenofobisë, racizmit dhe intolerancës religjioze. Si në “Rrënojat rrethore borhesiane”, ose në tregimet politiko-fantastike të Danillo Kishit (“Një varr për Boris Davidoviçin”), një trillim u ngjiz në mënyrë abstrakte dhe të ndërfutur në realitet dhe u vu në rend falë propagandës (dhe në efikasitetin marramendës të mediumeve audiovizuale të kontrolluara nga pushteti), deri kur u materializua në një makinë të përgjakshme të shkatërrimit dhe vdekjes që kërcënon me gëlltitjen e disa prej çirakëve të yshtësit.

Jo yshtësit të madh, për fat të keq. Ndërkohë që udhëtoj rrugës nga Beogradi në Zagreb, duke i rënë rrotull nga Hungaria, sepse serbët e Bosnjës e kanë prerë rrugën mes Kroacisë dhe Jugosllavisë, dëgjoj në BBC dhe në Radio Franca komente inkurajuese të zëdhënësve të qeverive perëndimore mbi perspektivat e paqes në Bosnje. Kush i zgjon këto shpresa? Presidenti Millosheviq, sigurisht! Ai sapo është intervistuar nga i dërguari special i presidentit Klinton [Bill Clinton] dhe i ka lënë të kuptojë se në këmbim të ngritjes së sanksioneve të vendosura nga OKB-ja, Jugosllavia ndoshta mund ta njohë qeverinë boshnjake, çka, padyshim, do të zvarriste dorëzimin e udhëheqësit serbo-boshnjak Radovan Karaxhiq në planin e paqes. Dhe në ditët në vazhdim, ndërsa përshkoj shpatet e bukura të Sllovenisë Perëndimore të mbushura me perime, që, kur shihen nga larg, duken toka më e civilizuar, më e pasur dhe më paqësore e botës (përshtypje që prishet kur dikush hyn në fshatrat e shkatërruar, të banuara vetëm nga pleqtë që ecin si hije mes rrënojave të gërmuara nga makineritë dhe putrat e lepujve apo këmbët e pulave), radiostacionet bien dakord që ta paraqesin presidentin Millosheviq si lojtar kyç për paqen në Bosnje. Në përgjithësi, atij i njihet ndikimi i butë ndaj palëve në konflikt dhe gatishmëria për kompromis. Dhe një funksionar i OKB-së, me të cilin bisedoj në Pakrac,  ma  konfirmon  këtë  përshtypje: “Edhe pse nuk është demokrat, është burrë shteti – më thotë – dhe nga ai varet paqja. Duhet ta pranojmë”.

Kafshoj gjuhën për të mos e pyetur nëse, sipas gjykimit të tij, kur të jetë arritur fundi i sulmeve ushtarake në Bosnje, falë virtyteve të sundimtarit të Beogradit (kush guxon ta quajë sot diktator), do të ishte e mundur që Sllobodan Millosheviqi ta marrë Çmimin Nobel për Paqe.

2 korrik 1995

Përktheu nga spanjishtja: Orjela Stafasani

Marrë nga libri “Çështja e Kosovës”, botoi “OM”, Tiranë 2019.  

Botohet me leje të botuesit