Arbëri

Mogherini, e kënaqur me punimet në urën e Ibrit

Rivitalizimi i plotë i urës kryesore mbi lumin Ibër mund të marrë edhe disa muaj.

Këtë e ka thënë në Mitrovicë, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

Aty, ajo është takuar me nënkryetarin e Mitrovicës Jugore, Faruk Mujka dhe kryetarin e Mitrovicës Veriore, Goran Rakiç, afro 50 metra larg medieve, të cilat nuk u lejuan të xhirojnë takimin nga afër.

Pas këtij takimi, Mogherini tha se është e lumtur me punën që është bërë.

Sipas saj, kjo është arritur për shkak se mirëkuptimit të të dyja palëve, të cilat më në fund e kanë kuptuar se urat mund të bashkojnë dhe përmirësojnë jetën e njerëzve.

Përfaqësuesja e lartë e BE-së ka përmendur edhe rëndësinë e dialogut, duke thënë se është në dijeni se ai nuk ka qenë i lehtë, por se ai është zgjidhja e vetme.

Pajtimi sipas saj, është fjala kyçe për arritjen e paqes dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve në të dyja anët e urës.

Për urën e cila po rivitalizohet me mbështetje të BE-së, janë dhënë disa afate të inaugurimit, por pavarësisht kësaj, nuk u lëshua ende në qarkullim.


Mogherini, e kënaqur me punimet në urën e Ibrit by kohanet