Botë

Ulje dënimi për ish - agjenten e CIA-s

Descriptive Text

Italia fali në minutën e fundit një ish agjente të CIA-s të dënuar 6 vite më parë për përfshirje në rrëmbimin e një kleriku mysliman në Milano në vitin 2003.

Sipas avokatëve, Sabrina de Sousa ndodhej në aeroport në Portugali gati për t’u ekstraduar, kur e njoftuan se Italia i kishte dhënë një falje të pjesshme.

“Nuk e di. Është e pabesueshme. Jam e lumtur që përfundoi kështu. Ende nuk ka përfunduar pasi duhet të shkoj për procedurat në Itali dhe të shohim ç’do të ndodhë në ditët e ardhshme”, u shpreh ajo në aeroport kur mësoi lajmin.

De Sousa, me shtetësi të dyfishtë amerikane dhe portugeze, mbahej në një burg pranë Lisbonës prej 9 ditësh në pritje të ekstradimit.

De Sousa është një nga 26 personat e gjykuar në mungesë në Itali, për të cilët autoritet italiane pretenduan se ishin përfshirë në rrëmbimin e klerikut mysliman egjiptian, në një nga rrugët e Milanos gjatë viteve të para të administratës së presidentit Bush.

Kleriku Hassan Mustafa Osama Nasr tha se më pas ai u dërgua në Egjipt, ku iu nënshtrua torturave për shtatë muaj.

Marrja në pyetje në qendra paraburgimi në vende të treta, ishte një nga praktikat më të debatueshme të administratës së presidentit Bushit që nisi të zbatohej pas sulmeve al Kaedës më 11 shtator të vitit 2001 në Qendrën Botërore të Tregtisë dhe Pentagonit. Kjo praktikë mori fund me ardhjen e administratës së presidentit Obama.

Italia tha se anulimi i kësaj praktike si dhe falja e dy të tjerëve në vitin 2015, ndikoi në vendimin e sotëm për ta ulur dënimin për De Sousa-n nga 7 vjet në 3 vjet, të cilin ajo mund ta kryejë duke bërë punë për komunitetin në Portugali.

De Sousa e ka pranuar se ka punuar për CIA-n, por thekson se është e pafajshme pasi në kohën e incidentit thotë se ka qenë me pushime në Alpe. Për vite të tëra ajo është përpjekur të fitojë pafajësinë.