Para 28 viteve minatorët e Trepçës kishin filluar grevën e urisë në mbrojtje të Kosovës nga synimet e errëta të regjimit i Sllobodan Millosheviqit, duke shënuar kështu në fakt fillimin e zhbërjes së Jugosllavisë.
Ishin rreth 1,300 minatorë që kishin zbritur në galeritë e minierës, ku do të qëndronin deri më 28 shkurt të vitit 1989, të vendosur të flijonin jetët e tyre për një të ardhme më dinjitoze të brezave që do të vinin.
Greva e minatorëve të Trepçës sensibiloi të gjithë shqiptarët në Kosovë, të cilët iu bashkuan atyre në revoltën e arsyeshme, që tërboi regjimin e Beogradit, i cili do të fillonte marrjen e hapave represivë ndaj tyre dhe shqiptarëve, që përfundoi me luftën e UÇK-së dhe mbështetjen e NATO-s, duke ndjekur përfundimisht më 1999 forcat serbe nga Kosova.
Mbi 1200 minatorë u dënuan me nga 30-60 ditë burgim, ndërsa ndaj 14 të tjerëve, bashkë me udhëheqjen e Kombinatit Trepça dhe Azem Vllasin, si figurë politike, u zhvillua një proces monstruoz politik.
Greva historike e minatorëve të “Trepçës” e vitit 1989 qe shndërruar në rezistencë gjithëpopullore demokratike e paqësore kundër presioneve të Serbisë për ta ripushtuar Kosovën. Ajo ngjalli interesimin e botës për Kosovën dhe e bëri të njohur se kishte një problem shqiptar të pazgjidhur.
Me rastin e këtij përvjetori Ndërmarrja Trepça organizon manifestimin tashmë tradicional “Java e Minatorëve”, që fillon sot.