Showbiz

Jennifer Aniston refuzon ta përdorë TikTokun

Jennifer Aniston

Jennifer Aniston

“Do të ma shkatërronte jetën”

Aktorja e mirënjohur e Hollywoodit, Jennifer Aniston, ka thënë se nuk do të jetë pjesë e rrjetit social TikTok sepse sipas saj ai do të ia shkatërronte jetën.

“Nuk kam TikTok, as nuk dua të kem asnjëherë. Nuk dua të bëhem pjesë e diçkaje që do të ma shkatërronte jetën mua apo dikujt tjetër”, ka thënë Aniston për Entertainment Tonight.

Ajo ka bërë të ditur se platformat e rrjeteve sociale humbasin orë të vlefshme nga jeta dhe ka pranuar se ndonjëherë e gjen veten duke parë përmbajte pa asnjë lloj kuptimi.

“Kjo gjë të përthithë dhe të harxhon orë nga jeta. Nuk mund ta besoj kur ndonjëherë e gjej veten duke shikuar përmbajtje absolutisht të parëndësishme. Videot që shfaqin shpëtimin e ndonjë kafshe më pëlqejnë, por ndërkohë fillojnë të shfaqen përmbajtje të tjera që thjesht nuk dua t’i shoh”, ka thënë tutje aktorja.

Ajo gjithashtu ka thënë se beson se rrjetet sociale nuk janë të “shëndetshme” për njerëzimin sepse njerëzit nuk janë të dizajnuar që t’i përdorur këto platforma.

“Ne nuk jemi të dizajnuar të marrim informata në shpejtësinë që bëhet sot. Thjesht nuk mendoj se është gjë e mirë për ne. Nuk mendoj se është e shëndetshme”, ka thënë ylli.

Ajo gjithashtu ka thënë se rrjetet sociale si Instagrami e Snapchati shkatërrojnë anën psikologjike të  adoleshentëve duke nxitur ata të bëjnë krahasime në mes njëri-tjetrit.

“Secili nga ne kemi ditë të mira e të këqija. Ndonjëherë i kemi flokët e rregulluar e ndonjëherë jo. Kemi ditë kur lëkura jonë duket bukur e edhe ditë kur nuk është bukur. Është një lloj ‘pakoje’ e përzier. Pra rrjetet sociale nuk shfaqin diçka që është reale. Sikur të mundohesh të shesësh diçka që nuk ekziston”, ka thënë aktorja duke përfunduar se mënyra më e mirë e përdorimit të rrjeteve sociale do të ishte duke qenë vetvetja në autenticitet.