Viti 2018 ishte një vit i mbushur me lajme në skenën e showbizit ndërkombëtar, dhe sigurisht se martesat, ndarjet, e sjellja në jetë e fëmijëve të çifteve të falshëm, kanë dominuar kryetitujt botërorë.
Fillimisht, do të ndalemi tek ajo që konsiderohet si dasma më e madhe e vitit 2018, ndërmjet princit të Britanisë së Madhe, Harry, dhe aktores amerikane, Meghan Markle. Çifti u kurorëzua në muajin maj me një ceremoni marramendëse, e cila u përcoll direkt nga publiku, dhe ku u përzien traditat e vjetra të familjes mbretërore me ato të kulturës afrikano-amerikane. Ndërkaq, në muajin tetor zyrtarët e familjes mbretërore e bënë të ditur lajmin se, Meghan është shtatzënë me fëmijën e parë të çiftit që pritet të lindë në pranverën e 2019-s.
Në lajme të tjera për familjen mbretërore britanike, Princi William dhe bashkëshortja e tij Kate, e mirëpritën në jetë fëmijën e tyre të tretë, Louis Arthur Charles, në muajin prill. Princi Louis është i pesti në radhë për ta trashëguar fronin mbretëror.
Por, 2018-ta nuk ishte një vit i mirë për dy prej aktorëve më të dashur të Hollywoodit, Angelina Jolie dhe Brad Pitt. Çifti më në fund e ka finalizuar shkurorëzimin përcjellë me vështirësi dhe mosmarrëveshje, sidomos kur vjen puna te ndarja e kujdestarisë së gjashtë fëmijëve të tyre. Jolie po kërkon me ngulm ta marrë kujdestarinë e plotë të fëmijëve, por Pitt po e lufton ashpër në gjykatë. Çifti ishte në lidhje për 12 vjet, ndërsa qëndruan të martuar për vetëm 2 vjet.
Michelle Williams në korrik të vitit të kaluar u martua në fshehtësi, duke deklaruar më vonë për revistën “Vanity Fair” se ajo asnjëherë nuk kishte hequr dorë nga dashuria, edhe pas vdekjes së partnerit të saj para dhjetë vjetësh, Heath Ledger. 38-vjeçarja Williams, ka bërë të ditur se është martuar me muzikantin amerikan, Phil Elverum, në një ceremoni private në periferi të New York-ut.
Pop-këngëtari, Justin Bieber, u martua me modelen Hailey Baldwin në një ceremoni private në muajin shtator. Çifti ishte në lidhje gjatë vitit 2016, por më pas ishin ndarë pas një kohe të shkurtër. Por, në qershor të vitit të kaluar, ata u shfaqën së bashku në publik duke nxitur spekulime te adhuruesit e tyre se janë bashkuar. Ndërsa, disa muaj më vonë, përmes një postimi në rrjetet sociale, Bieber e konfirmoi lajmin se ai dhe Hailey janë martuar.
Një tjetër çift i famshëm që u ribashkua pas një ndarjeje të shkurtër ishin, Zayn Malik dhe supermodelja Gigi Hadid. Në muajin mars ata dhanë lajmin se janë ndarë pas 2 vjetëve së bashku, derisa disa muaj më vonë, dyshja u pa sërish në përqafimin e njëri-tjetrit dhe duket se ata janë më të afërt dhe më të lumtur se kurrë.
Ylli i emisionit "Saturday Night Live" , Pete Davidson, në qershor e konfirmoi lajmin se ai dhe pop ylli, Ariana Grande, janë fejuar pas vetëm 2 muajve lidhje. Por, deri në muajin tetor dyshja i dha fund lidhjes së tyre duke e prishur fejesën. Madje, Ariana Grande, këtë ndarje e përcolli me lansimin e një këngë që bëri bujë dhe e cila u dedikohej ish të dashurve të saj, "Thank U, Next".
Aktori i njohur britanik, 58-vjeçari Hugh Grant, u martua me producenten televizive suedeze, Anna Eberstein, me të cilën i ka tre fëmijë. Në muajin maj, çifti e kurorëzoi lidhjen përmes një ceremonie intime në Londër. Duke folur për dasmën e tij, pas disa dekadash të deklarimit se urren të martohet, aktori tha se ka pasur arsye të mira për ta ndryshuar mendjen për këtë çështje.
Në muajin shkurt, ish ylli i serisë "Friends", Jennifer Aniston, dhe bashkëshorti i saj, Justin Theroux, e bënë të ditur lajmin se po ndahen pas më se tre vjetësh martesë. 49-vjeçarja Aniston, dhe 47-vjeçari Theroux, ishin kurorëzuar në gusht të 2015s.
Një tjetër ndarje që e shokoi Hollywoodin ishte ajo e aktorit të shpërblyer me Oscar, Robert De Niro, dhe bashkëshortes së tij prej më shumë se 20 vjetësh, Grace Hightower.
Sa i përket ardhjes së foshnjave në jetë, familja Kardashian ishin lajm kryesor në mediat botërore me ardhjen në jetë të fëmijës së tretë të çiftit Kim Kardashian dhe Kanye West, dhe fëmijës së parë për Kylie Jenner e Travis Scott dhe Khloe Kardashian e Tristian Thompson. Chicago, Stormi dhe True, po ashtu janë ndër foshnjat më të ndjekura në rrjetet sociale.
Ndërkohë, në muajin korrik, Cardi B e solli në jetë fëmijën e saj të parë me Offset, vajzën e quajtur Kulture Kiari Cephus. Por, fundviti i 2018-s nuk qe edhe aq i mirë për çiftin, që konfirmoi lajmin se po ndahen pas vetëm një viti martesë.
Gjatë vitit që e lamë pas u kurorëzuan aktorja Gwyneth Paltrow, me producentin Brad Falchuck, dhe aktori e këngëtari Nick Jonas me aktoren indiane, Priyanka Chopra.