Fuqia e yjeve nuk mungoi në përvjetorin e dhjetë të gala mbrëmjes “Art+Film” e cila zuri vend në Los Angeles dhe vjen e organizuar nga Muzeu i Arteve.
Më shumë se 650 mysafir të famshëm e ndoqën këtë ngjarje e cila i nderoi artistët, Amy Sherald, Kehinde Wiley dhe Steven Spielberg, si dhe i grumbulloi 5 milionë dollarë për t’i mbështetur iniciativat dhe programet e këtij institucioni.
“Gjithmonë është emocionuese të kesh një shfaqje që ndërthur artet. Dhe po ashtu do të ketë performanca muzikore. Pra këtë vit, në gala mbrëmje ka shumë ngjyra në art. Dhe pastaj do të nderohet një legjendë si Spielberg, kështu që po ndihem shumë e emocionuar”, tha aktorja latine.
“Mbrëmja e sotme është veçanërisht e rëndësishme sepse është në kulmin e lansimit të ekspozitës së portreteve nga kultura afrikano-amerikane, dhe është një punë e mahnitshme që është një dhuratë për qytetin tonë. Prandaj jam veçanërisht e emocionuar që jam këtu sonte dhe si regjisore shkrirja e artit dhe filmit është shumë e rëndësishme për mua. Kjo është një nga netët e mia të preferuara të vitit, sepse mblidhemi të gjithë së bashku në një dhomë. Është një eksperiencë e mrekullueshme”, shtoi tutje regjisorja DuVernay.
Regjisori i njohur hollywoodian, Steven Spielberg, tha se në njëfarë mënyre kjo ngjarje ishte eksperiencë e re për të.
“Është vërtet emocionuese sepse nuk jam nderuar kurrë më parë nga një muze arti, e lëre më muzeu i qytetit tim të lindjes, muzeu ‘LACMA’. Kështu që ndihem sikur jam djali i vendlindjes sonte”, deklaroi Spielberg.
Derisa ylli i shpërblyer me “Oscar”, Jared Leto, insistoi se është shumë e rëndësishme të përkrahet arti, aktorja Elle Fanning thjeshtë u deklarua e lumtur që më në fund ka dalë nga shtëpia dhe është rikthyer në ngjarjet me qilim të kuq.
“Dua të them, thjesht artistë të jashtëzakonshëm. Dhe sigurisht, ju e dini, ky është një vend novator prandaj është e rëndësishme t’i mbështesim artet. Shkëlqimi dhe glamuri që e shihni sonte janë argëtuese, por në fund të ditës, ne jemi këtu për të mbështetur kauzën. Dhe po, jam i lumtur ta bëj këtë gjë”, tha Leto.
“Kjo është hera e parë që po kaloj nëpër qilim të kuq prej se ndodhi pandemia. Në fakt, kam punuar shumë dhe nuk kisha kohë të vija shpesh në Los Angeles, prandaj po ndihem paksa e emocionuar. Është një ndjenjë vërtetë fantastike. Jam shumë e lumtur për këtë ngjarje dhe për faktin se do t’i takoj shumë njerëz të cilët ka kohë që nuk i kam parë. Dua të them, po, ka kohë të gjatë që nuk shkojë nëpër ndeja”, përfundoi aktorja.
Ndër yjet e listës A të cilët e përcollën këtë gala mbrëmje ishin: Salma Hayek, Eva Longoria, Jared Leto, Elle Fanning, Lil Nas X, Billie Eilish, Jeff Bezos, Hailey Bieber, Kate Capshaw, Elle Fanning, Jake Gyllenhaal, Maggie Gyllenhaal, Rebecca Hall, Sienna Miller dhe Paris Hilton.