Filmi me tematikë të “Beatles”, “Yesterday”, i tejkaloi pritjet e analistëve gjatë fundjavës së vet të hapjes, duke e arritur pozicionin e tretë dhe duke i fituar rreth 17 milionë dollarë – kundrejt 10 milionë dollarëve sa ishte parashikuar.
Totali i grumbulluar në mbarë botën është raportuar të jetë 24.7 milionë dollarë, gjë që e afron atë me rikthimin e buxhetit të produksionit prej 26 milionë dollarëve. Filmat kanë tendencë të konsiderohen si dështime kinematografike nëse nuk e sjellin dyfishin e shumës së buxhetit të produksionit. Megjithatë, “Yesterday” u përball me një kosto shumë specifike meqë mendohet se të drejtat për përdorimin e katalogut të Beatles kishin kushtuar rreth 10 milionë dollarë, shkruan KOHA Ditore.

"Komedia romantike flet për kompozitorin aspirues, i cili pas një aksidenti të çuditshëm zbulon se ai është i vetmi person që i kujton Beatlesat", raporton Variety. "Të drejtat në katalogun e hiteve më të mëdha të John, Paul, George dhe Ringo, nuk janë të lira, kështu që Universal shpreson që “Yesterday” do ta ketë një rrugëtim të gjatë dhe përfitues në kinema... Yesterday ishte më i preferuar për një audiencë më të vjetër femërore. Femrat përfaqësonin 56 për qind të blerësve të biletave, ndërsa 75 për qind e shikuesve ishin mbi moshën 25-vjeçare. Filmi ka një vlerësim të CinemaScore prej A-."
Deadline ka raportuar se "Rivalët e duartrokasin studion Universal për faktin që e ka sjellë një komedi muzikore aq origjinale në këtë treg të ngadaltë." "’Yesterday’ është pikërisht ajo për çfarë kanë nevojë kinematografitë vendore tani", tha shefi i distribucionit, Jim Orr. “Një komedi shumë e zgjuar, origjinale, kureshtare romantike për të cilën audiencat mezi po pret t’u tregojë miqve dhe familjeve të tyre që të vijnë në kinema dhe të këndojnë së bashku me filmin. E dija se Yesterday gjithmonë do të ishte një film që do t’i bënte ballë kohës, por me këto dalje të shkëlqyeshme jam edhe më i bindur".
Raporti vazhdon tutje duke theksuar se problemi më i madh i produksionit ishte se filmi ishte "paketuar si një indicie britanike dhe kjo është ajo që po ndalon një ngritje të madhe këtu... Megjithatë, sapo njerëzit të hyjnë në kinema, ata e duan elaborimin e filmit për një këngëtar që zgjohet pas një aksidenti dhe mëson se bota nuk ka dëgjuar kurrë për Beatles, kështu që ai fillon të përfitojë nga katalogu i këngëve të tyre".