Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Showbiz

Vjollca Robelli do të performojë në një prej skenave të “Royal Albert Hall”

Vjollca Robelli Mripa, këngëtarja e cila njihet me emrin skenik AJO, do të interpretojë në një prej skenave të sallës prestigjioze koncertale, “Royal Albert Hall”, në Londër. Lajmin e ka bërë të ditur vet këngëtarja, përmes një postimi në rrjetet sociale.

“E lumtur t’ju njoftoj se me datën 3 dhjetor nga ora 9:30pm, nën organizim nga “Arts Canteen” do të performoj në njërën nga skenat më të njohura dhe më prestigjioze në botë, ‘Royal Albert Hall’. Një nga ëndrrat e mija më të mëdha sa i përket karrierës po realizohet vetëm tri javë para ditëlindjes sime të 40-të… le të guxojmë të ëndërrojmë”, kishte shkruar Robelli.

 

 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by AJO (@ajo_music)

 

Tutje ajo ka bërë të ditur se në “Royal Albert Hall” do të këndojë shqip, performancë kjo të cilën e merr me përgjegjësi të madhe drejt promovimit të kulturës dhe muzikës shqipe, në një nga hapësirat ku kualiteti i muzikës është në nivelin më të lartë botëror, si dhe i ka bërë thirrje të gjithë të interesuarve që të shkojnë dhe ta ndjekin këtë koncert.

AJO është kantautore me bazë në Londër. Si shqiptare nga Kosova, rrënjët e saj janë ngulitur thellë në muzikën dhe performancat e saj. Ajo merr frymëzim nga trashëgimia e saj shqiptare, duke e ngritur zanatin dhe emocionin e muzikës tradicionale popullore në një territor inovativ, të futur në xhaz.

Në vitin 2002, AJO për herë të parë u paraqit në Kosovë dhe Shqipëri me lansimin e këngës “Ajo” nën emrin e saj të vërtetë Vjollca Robelli. Kënga i ishte dedikuar ndërgjegjësimit ndaj pandemisë së AIDS, e cila kryesoi toplistat në shumë TV dhe radiostacione, u rendit e dyta në rajonalen “BBC Top of the Pops”, fitoi “Video Best Rock” në “VideoFest” dhe Vjollca u emërua si ambasadore e muzikës rinore po atë vit.

Edhe AJO me “Gërshetat” në rrëfime jazzi vallëzon me perlat shqipe Kulturë AJO me “Gërshetat” në rrëfime jazzi vallëzon me perlat shqipe

Shtatëmbëdhjetë vjet më vonë, kënga ruan popullaritetin e saj, gjë që bëri që Vjollca të adoptojë emrin skenik AJO.

Vjollca u transferua në Londër në 2004 për të studiuar vokalin, muzikën dhe menaxhimin e mediave.

Në vitin 2019, AJO erdhi në Kosovë për ta organizuar koncertin i cili promovoi EP albumin “BESA”, që e riktheu në skenën muzikore. Koncerti i cili zuri vend në “Kino Armata” u transmetua në versionin televiziv ekskluzivisht për shikuesit e Kohavisionit.