Meloditë e muzikës jazz jehuan në sallën e kinemasë “Jusuf Gërvalla”, teksa edicioni i katërt i Festivalit të Jazzit në Pejë nisi me performancën mbresëlënëse të këngëtares Vjollca Robelli-Mripa, e njohur artistikisht si AJO. Festivali katërditor ishte një rrugëtim melodik nëpër botën e jazzit dhe nata e parë e “Peja Jazz” nuk ishte asgjë më pak se spektakolare.
AJO doli në skenë e shoqëruar nga Aurel Qirjo në violinë, Thodoris Ziarkas në kontrabas, Nikos Ziarkas në kitarë dhe Andreas Ziarkas në bateri.
Me të filluar interpretimin u bë e ditur që Robelli-Mripa i kishte munguar skenës në Kosovë, marrë parasysh që ka gati tre vjet që nuk ka marrë pjesë me ndonjë koncert në vendlindje.
“Burrnesha” ka qenë kënga e parë në program dhe vuri tonin për një mbrëmje që do të vazhdonte me këngë origjinale të këngëtares dhe perla të muzikës shqipe. Koncerti u shpalos me një kapërcim të qetë në këngën “Qamile” dhe hapi rrugën për interpretimin e “Dashurinë që kam për ty” e kënduar dikur nga e njohura Fitnete Rexha.
Ndër të tjera, kënga “Nëna” – pjesë e EP-albumit “Besa” lansuar pesë vjet më parë – ka ardhur më personale dhe këngëtarja e ka treguar vetë arsyen.
“Ka pasur këngë të cilat i kam riaranzhuar, këngë tonat shqipe të cilat janë të njohura nga diva të muzikës sonë, por gjithashtu kam performuar edhe disa këngë të cilat i kam kompozuar vetë unë kur e kam përgatitur EP albumin e publikuar në 2018-n edhe këtu performova sot këngën ‘Nëna’ që është shumë personale për mua, për shkak se e kam shkruar sa isha shtatzënë me djalin e vogël, me fëmijën e katërt. Performova edhe ‘Burrneshën’, një këngë e cila është e para që e kam shkruar kur kam filluar të punoja EP-n, edhe kjo këngë është përzgjedhur nga një dokumentar nga Bullgaria”.
Ka qenë pikërisht “Besa” që e riktheu fuqishëm Robelli-Mripën në skenë pas një pauzë prej 17 vjetësh. Pikërisht asokohe këngëtarja e hitit “Ajo” të vitit 2002, e cila tash gati dy dekada jeton në Londër, do të debutonte me emrin skenik AJO.
Interpretimet e AJO nuk erdhën para publikut në Pejë si thjesht performanca muzikore. Ishin shprehje të sinqerta që kalojnë kufijtë e tingullit duke u lidhur me publikun në një nivel të thellë. Midis çdo kënge, AJO ndau prezantime të shkurtra mbi historitë dhe emocionet prapa këngëve të interpretuara.
Për Robelli-Mripën e edhe për publikun, ky koncert shënoi një rikthim të rëndësishëm të saj në skenën kosovare. Mbrëmja kulmoi me këngën “Jarnana”. Ngriti publikun në këmbë për të vallëzuar nën tingujt ritmikë të këngës me origjinë nga jugu i Shqipërisë.
AJO e ka përshkruar ndjenjën që e ka kur performon para publikut në Kosovë. Ka thënë se fakti që audienca e di gati secilin tekst të atyre këngëve përmendësh i ofron një emocion të veçantë dhe e bën që t’i mungojë skena e Kosovës.
“Në Kosovë gjithmonë është emocioni më i veçantë. Është një ndjenjë më e ngrohtë, më e afërt me publikun, edhe sot e shihja publikun të gjithë këndonin, të gjithë i dinin këngët. Është kënaqësi sepse vjen në një nivel tjetër të performancës për shkak se e sheh që audienca është e lidhur me ty dhe ajo është shumë e veçantë”.
Me zbehjen e notave të fundit, duartrokitjet frenetike pohuan se magjia e jazzit dhe muzikës eksperimentale janë të pranishme edhe në Kosovë. Këngëtarja është shprehur e lumtur për këtë dhe ka theksuar që është e rëndësishme të lihet hapësirë për muzikën jazz dhe atë të improvizuar.
“Jam shumë e lumtur që Peja ka filluar të mbajë këtë festival sado pak për audiencën lokale për të kuptuar më tepër për jazzin, për muzikën e improvizuar. Në Londër ka shumë festivaleve të muzikës jazz dhe shumë mirë që edhe audienca jonë po përjeton emocione nga artistë prej vendeve të ndryshme të botës dhe po mëson shije të ndryshme të muzikës, të zhanreve të ndryshme, të cilat përzihen së bashku dhe krijojnë jazzin. Kështu që jam shumë e lumtur që Kosova po mban festivale të jazzit dhe evente të ndryshme”.
Pjesë e audiencës në natën e parë të “Peja Jazz” ishte Sokol Kada. Ai ka thënë që edhe pse nuk e eksploron aq shumë muzikën jazz, performanca nga AJO i ka falur emocione.
“Me një fjalë, mrekulli. Ka qenë shumë bukur muzika, performanca, vokali dhe femra shqiptare, shumë e bukur, kulturore, fantazi. Me të vërtetë jazzin nuk e njoh shumë, kështu që nuk mund të jap ndonjë koment, por marrë parasysh kësaj më ka pëlqyer tej mase”.
Festivali “Peja Jazz” sivjet ka ardhur me katër koncerte si një laramani performancash që festojnë frymën e muzikës jazz. Me një program të ndërtuar në muzikën që buron nga e kaluara, udhëheqësi i programit të Festivalit, Dardan Selimaj, ka thënë se pas mbrëmjes me Vjollca Robellin edhe artistët që kanë performuar netëve në vazhdim janë të tillë dhe sjellin copëza të së kaluarës të rajoneve nga vijnë.
“Ka nisur me Vjollca Robellin, e cila ka kohë që eksploron në muzikën kryesisht tradicionale shqiptare të Kosovës dhe Shqipërisë, por edhe këngë origjinale. Po ashtu edhe artistët e tjerë që janë pjesë e festivalit në këtë edicion janë të tillë. Ata hulumtojnë dhe gjurmojnë nën tinguj të së shkuarës në rajone të ndryshme. Vjollca e hapi ashtu edhe siç e kemi pritur dhe na vjen mirë që e kemi pasur mundësinë ta ftojmë”.
Vullnet Sanaja, organizator i “Peja Jazz”, në nisjen e edicionit të katërt është kthyer në kohë duke kujtuar rrethanat e pandemisë së koronavirusit, kur nisi gjithçka për Festivalin.
“Për mua qe një fillim i mbarë për ‘Peja Jazz’, një festival që këtë vit e ka edicionin e katërt. Po më duket që edhe audienca e priti shumë mirë koncertin. Ne e kemi filluar Festivalin gjatë kohës së pandemisë dhe e kemi parë se sa është e rëndësishme me pasë audiencë brenda hapësirës së kinemasë. Gjatë pandemisë ne i kemi realizuar koncertet dhe i transmetonim në KTV dhe online në YouTube. Kjo tash, me pasë audiencë i jep kuptim Festivalit”.
Festivali ka përmbyllur edicionin e tij të katërt të dielën, më 19 nëntor, me Ikiz, i cili ka sjellë një performancë midis ritmit, tingujve elektronikë dhe imazheve.