Ned Beatty, aktori i nominuar për “Oscar” i njohur për filma të shumtë, si “Deliverance”, “Superman” dhe “All The President’s Men”, ka vdekur në moshën 83-vjeçare.
“Ned vdiq në mëngjesin e së dielës nga shkaqe natyrore, i rrethuar nga familja dhe më të dashurit e tij,” ka deklaruar menaxherja e tij, Deborah Miller, për televizionin “CNN”.
Roli i parë filmik i Beattyt, në filmin e vitit 1972 “Deliverance”, i solli atij vëmendje të madhe në industrinë e filmit. Ai e portretizoi një nga katër burrat nga Georgia të cilët shkojnë në një udhëtim tronditës me kanu. Ai ishte nominuar për shpërblim akademik në kategorinë “Aktori më i mirë në rol dytësor”, për filmin e vitit 1976, “Network”, e portretizoi Otisin në filmin e vitit 1978, “Superman”, si dhe pati paraqitje të panumërta në projekte të ndryshme teatrale, televizive dhe filmike.
Kohë më parë ai ishte vlerësuar nga “Daily Variety” si aktori më i angazhuar në Hollywood, kështu ka bërë të ditur agjencia e cila e menaxhoi karrierën e aktorit, “Shelter Entertainment Group”.
Beatty u lind dhe rrit në Kentucky, duke peshkuar dhe duke punuar nëpër ferma.
“Karrierën si performues profesional ai e filloi në moshën dhjetë vjeçare, kur fitonte para duke kënduar nëpër kuartete të muzikës kishtare”, thuhej në deklaratën e agjencisë.
Pas disa performancave në skenat teatrale në Virginia, Washington D.C. dhe në Broadway, regjisori John Boorman e përzgjodhi aktorin për ta portretizuar rolin e Bobby Trippe, i cili abuzohet seksualisht në trilerin “Deliverance”. Nga këtu, Beatty shënoi role të shumë dytësore në projekte të njohura të kinematografisë, si “All the President’s Men”, “The Big Easy”, “Hear My Song”, “The Walker”, “Charlie Wilson’s War”, “Shooter” dhe të tjerë.