Showbiz

Vdiq krijuesi i Ray-Banit, miliarderi Leonardo Del Vecchio

Leonardo Del Vecchio, kryetari i prodhuesit të syzeve EssilorLuxottica dhe një nga figurat më të pasura të biznesit në Itali, ka vdekur në moshën 87-vjeçare, ka njoftuar kompania e tij të hënën, raportoi CNN-i.

“EssilorLuxottica me trishtim njofton se kryetari i saj ka ndërruar jetë”, ka thënë kompania shkurtimisht në një deklaratë.

Del Vecchio, i cili e ka ndërtuar kompaninë që zotëronte markën Ray-Ban, fëmijërinë e tij e ka kaluar në një jetimore, ndërsa më pas grumbulloi një pasuri prej dhjetëra miliarda euro.

"Leonardo Del Vecchio ishte një italian i madh. Historia e tij, nga jetimorja në drejtimin e një perandorie biznesi, duket si një histori nga një kohë tjetër. Por është një shembull për sot dhe nesër. U prehtë në paqe”, ka thënë Komisioneri Evropian i Ekonomisë, Paolo Gentiloni në një postim në Twitter.

Biznesmeni italian themeloi Luxottican në vitin 1961 ndërsa bashkoi forcat me Essilorin e Francës në vitin 2018.

Ai mbeti kryetar ekzekutiv i EssilorLuxottica deri në dhjetor 2020, kur ia dorëzoi udhëheqjen e përditshme të kompanisë Shefit Ekzekutiv, Francesco Milleri.

Ndikimi i Del Vecchios u shtri përtej biznesit të tij dhe në fund të vitit 2021, dhe sipas Forbes, ai u shpall njeriu i dytë më i pasur i Italisë pas Giovanni Ferrero, i cili e drejton grupin që e prodhon Nutellan.