Showbiz

Vdiq këngëtari Shpat Kasapi

Shpat Kasapi

Ka vdekur këngëtari shqiptar Shpat Kasapi, kanë raportuar mediat shqiptare në Maqedoni të Veriut.

Sipas raportimeve, Kasapi ka pësuar sulm në zemër.

Kasapi vdiq në moshën 40-vjeçare.

Kasapi u lind më 1 maj 1985 në Tetovë. Karrierën e ka nisur në fillim të viteve 2000. Shpejt u bë ndër yjet më të mëdha muzikore atë kohë në estradë.

U bë i njohur me disa këngë që vazhdojnë të dëgjohen ende si “Valle kosovare”, “A më do?”, “Dashni pa limit” e “Aroma e saj”.

Kryetari i Çairit, Izet Mexhiti, ka thënë se vdekja e Kasapit ka lënë boshllëk të madh te familja, miqtë dhe të gjithë ata që e kanë vlerësuar artin e tij.

“Shpati la pas një trashëgimi të çmuar artistike dhe kujtime që do të mbeten gjatë në zemrat e publikut. Muzika e tij është një vlerë që nuk shuhet. Në këtë ditë të rëndë, u shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes Kasapi, të afërmve dhe gjithë komunitetit artistik. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij, dhe u prehtë në paqe”, ka shkruar ai në Facebook mëngjesin e së mërkurës.