Showbiz

Vdiq aktori i serialit “Sex and the City”, Willie Garson

Foto: AP/Associated Press

Aktori Willie Garson, i cili e ka portretizuar Stanford Blatchin në serialin e njohur televiziv, “Sex and the City”, ka vdekur të martën mbrëma në moshën 57-vjeçare.

Lajmin e bëri të ditur djali i tij, Nathen Garson.

“Të dua shumë babi. Pusho në paqe dhe jam i lumtur që pate mundësinë t’i ndash të gjitha aventurat tua me mua, dhe munde të arrish aq shumë gjëra në jetë. Jam jashtëzakonisht krenarë me ty. Ti gjithmonë ishte personi më i fortë, qesharak dhe i mençur që kam njohur,” ka shkruar Nathen në një postim në Instagram.

Deri më tani nuk janë zbuluar hollësi rreth shkaktari të vdekjes, dhe zëdhënësit e aktorit nuk kanë pranuar të deklarohen për media. Por besohet se ai ka vdekur nga shkaqe natyrale pas një sëmundjeje të shkurtër.

Në serialin “Sex and the City”, Willie Garson e portretizoi Stanford Blatchin, një agjent i talentuar dhe miku i përkushtuar dhe me shumë stil i protagonistes Carrie Bradshaë, për gjashtë sezone. Ai e përsëriti këtë rol krahas aktoreve, Sarah Jessica Parker, Kim Cattrall, Cynthia Nixon dhe Kristin Davis, edhe në filmat e suksesshëm të arkave filmike “Sex and the City” dhe “Sex and the City 2”, si dhe ishte duke xhiruar për edicionin special të këtij projekti me titull, “And Just Like That”, i cili do të transmetohet në platformën HBO Max.

{gallery}

Menjëherë pas lajmit për vdekjen e aktorit, yje të shumtë të showbizit i pushtuan rrjetet sociale për t’i shprehur ngushëllimet e tyre, përfshirë këtu edhe disa pjesëtarë të kastës së “Sex and the City”.

I lindur me emrin William Garson Paszamant në New Jersey, aktori i filloi studimet për aktrim në moshën 13-vjeçare në shkollën “Actors Institute” në New York City. Ai i ka pasur qindra paraqitje të shkurtra në projekte televizive dhe filma gjithashtu.

Përveç rolit të tij në serialin “Sex and the City”, ai më së miri shquhet për portretizimin e mashtruesit Mozzie, në serialin “White Collar” si dhe ka pasur role periodike në projektet “NYPD Blue”, “Hawaii Five-0” dhe “Supergirl”.

Garson, i cili ishte përkrahës për agjencitë e birësimit në Amerikë, e adoptoi djalin e tij, Nathen, në vitin 2009 dhe e shënoi këtë veprim tejet të lumtur për të me një postim në Instagram ku shkruhej: “Dita më e mirë e jetës sime”.

Mesazhin e fundit aktori e postoi më 5 shtator në Twitter ku shkruhej: “Jini të sjellshëm me njëri-tjetrin… Gjithmonë. Dashuri për të gjithë”.