Showbiz

Vdiq aktori dhe komediani Bob Saget në moshën 65-vjeçare

Foto: AP/Associated Press

Aktori dhe komediani i njohur amerikan, Bob Saget, më së miri i njohur për rolin e tij në serialin “Full House”, ka vdekur papritur në moshën 65-vjeçare. Lajmin e ka konfirmuar familja e tij.

Të dielën, Saget u gjet pa shenja jete në dhomën e tij nga stafi i hotelit “Ritz-Carlton” në Orlando të Floridas.

Zyrtarët nga departamenti i policisë në Orange County pasi pranuan thirrjen urgjente nga punëtorët e hotelit, kishin arritur në vendin e ngjarjes ku dhe më pas e kanë shpallur aktorin të vdekur.

Detajet e sakta rreth shkaktarit të vdekjes vazhdojnë të jenë të paqarta. Por, përmes një deklarate të shkurtër të postuar në Twitter u bë e ditur se gjatë hetimeve fillestare, detektivët nuk kanë gjetur shenja të dhunës apo drogë në vendin e ngjarjes.

“Me pikëllim të thellë e konfirmojmë se Bobi ynë i dashur vdiq sot. Ai ishte gjithçka për ne dhe duam që ju ta dini se sa shumë i donte fansat e tij, dhe i pëlqente të performonte live duke sjellë njerëz nga të gjitha sferat e jetës së bashku me të qeshura”, deklaroi familja e aktorit.

Saget, i shquar si veteran në skenën e komedisë, sa e kishte filluar turneun e ri të performancave komike nëpër Shtetet e Bashkuara, dhe të shtunën mbrëma kishte interpretuar para fansave në qytetin Jacksonville në Florida.

Pas shout të suksesshëm, aktori e kishte shprehur gëzimin që është kthyer në skenë për të performuar, përmes një postimi në rrjetin social Instagram.

“I jam rikthyer komedisë si kur isha 26-vjeçar. Po e gjej zërin tim sërish dhe jam duke e shijuar çdo moment të performancave të mia në skenë”, shkruhej ndër të tjera në mesazhin e aktorit.

Edhe pse Saget u adhurua nga shumë humoristë për sensin e humorit laik dhe shpesh të prerë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ai më mirë njihej për rolin e tij në serialin televiziv, “Full House”, ku luajti së bashku me aktorët John Stamos dhe Dave Coulier. Ai u vlerësua lartë për portretizimin e Danny Tannerit në këtë shou, një baba i ve i tri vajzave dhe e portretizoi rolin e tij nga viti 1989 deri më 1995. Saget e reprizoi këtë rol edhe në vitin 2016 kur Netflixi e ringjalli serialin për pesë sezone të reja.

Vjetëve të fundit ai gjeti famë ndër gjeneratat e reja si narrator i serialit hit, “How I Met Your Mother” dhe për rolin mysafir ku e portretizonte një version të shpikur të vetvetes në shoun e suksesshëm televiziv, “Entourage”.

Menjëherë pas publikimit të lajmit të hidhur, yje të shumtë të filmit dhe televizionit i pushtuan rrjetet sociale me mesazhe ngushëlluese, të tillë si John Stamos, Kat Dennings dhe Whoopi Goldberg.